Nga Hamdi Jupe
Në dëborën e madhe, një metër të trashë, të janarit të vitit 1985, Dritëro Agolli erdhi në Peshkopi bashkë me shkrimtarin Anastas Kondo. Nëpër qytet nuk lëviznin makinat prej akullit. Jeta dukej sikur kishte ngrirë në vend. Në televizor jepeshin kronikat me helikopterët e ushtrisë që shpërndanin ndihma ushqimore nëpër fshatrat e thella të izoluara të veriut. Në Kukës kishin humbur jetën njerëz nga orteqet. Qumështi në qytet shpërndahej nëpër dyqane me traktor me zinxhirë. Isha mësues në gjimnazin e qytetit, por të gjitha shkollat e veriut ishin mbyllur prej dëborës.
Ata erdhën me një makinë të lartë fuoristradë, prodhim rumun, e tipit “Aro”, me goma me zinxhirë, të cilën e kishin marrë për atë udhëtim nga Rezervat e Shtetit. Se si erdhën dhe se si u shfaqën atje papritur si lugetër, në mes të acarit, një dreq e merrte vesh. Rruga Tiranë – Peshkopi në kohë të mirë kërkonte nja pesë orë. Ndërsa në kohë të keqe mund të mbeteshe në vend, të paktën në nja pesë pika të rrezikshme. Kisha patur rast ta provoja këtë në janar, duke mbetur i bllokuar per nëntë orë në Qafën e Buallit me autobuzin e linjës Tiranë – Peshkopi. Por ata erdhën.
Ardhja e tyre ishte një ngjarje e veçantë për qytetin e vogël të izoluar verior, jo vetëm se ishin shkrimtarë të njohur, por edhe për aktin që kishin bërë, duke çarë dëborën me zor, duke kaluar nëpër kiamet, me kokën në torbë, derisa kishin mbërritur atje. Një arsye më shumë për të marrë pjesë në një takim të posaçem të organizuar me ta aty për aty në shtëpinë e kulturës së qytetit te Peshkopise.
Të dy ishin të veshur me xhupa të trashë, me këpucë me qafa, me kokore pellushi dhe me doreza leshi. Kuptohej se këto i kishin marrë borxh diku, sa për të ardhur në Dibër, sepse në Tiranë nuk mbaheshin veshje të tilla. Nuk mund të vije në Peshkopi në ato ditë i veshur si levend. Ata e dinin këtë, se ishin njerëz të bredhur edhe më parë nëper zona të tilla. Tek i shihje të veshur ashtu, të dukeshin si dy gjahtarë që kishin dalë për të gjuajtur thëllëza në dëborë. Por nuk ishte kohë per thëllëza.
Duke qenë edhe ata të “udhëheqjes”, se ishin anëtarë të Komitetit Qendror dhe deputetë, u sistemuan për të fjetur te Shtëpia e pritjes, vila e udhëheqjes në Peshkopi, se në hotel nuk kishte ngrohje, në temperaturë minus dhjetë gradë Celsius të atyre ditëve. Por ata dolën shpejt andej dhe erdhën te Shtëpia e Kulturës. Salla e vogël ishte e ftohtë, megjithëse kishte ngrohje. Kjo nuk i pengoi pjesëmarrësit të vinin.
Ishte një takim i çlirët. Njerëzit flisnin lirshëm për kohën, për motin, për vështirësitë që kishte krijuar dimri, për letërsinë etj. Për këtë të fundit u fol më pak, se nuk ishte koha për të. Nuk të linin këmborët e mëdha të dimirt, të dëgjoheshin zilkat e vogla të letërsisë. Dritëroi, me atë të folurën e tij të ngadaltë dhe të thjeshtë prej fshatari, tha se “do të kalojë edhe kjo situatë e vështirë, bora do shkrijë dhe ne do kemi më shumë ujë në liqenet e hidrocentraleve tona. Dhe ky ujë një dite pastaj do te kthet në dritë.” Ishin përfunduar të tre hidrocentralet e mëdhenj mbi lumin Drin dhe e gjitha kjo deborë, një ditë do të përfundonte në basenet e tyre. Ky takim ishte si një zjarr i vogël që na ngrohte duart dhe shpirtin në mes të atij acari. Ja edhe nje fotografi e përbashkët e krijuesve dibrane me miqte nga Tirana ne oborrin e shtëpisë së kulturës të mbuluar nga bora ne mbyllje te takimit.
Ishte hera e parë që prekja dorën e tij, atë dorë, që kishte shkruar veprat letrare që u shpjegoja prej vitesh nxënësve në shkollë. Kur u ndamë, rrija e mendoja: ç’e shtyu Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të nisej në pikë të acarit nga Tirana e ngrohtë e të vinte deri në Peshkopi, përmes akullit dhe rreziqeve të shumta? Ai mund të rrinte i qetë në Tiranë, në zyrën e tij, në katin e dytë të Lidhjes, të pinte një kafe të ngrohtë në klubin e saj, të takohej me koleget krijues, të jepte edhe ndonjë intervistë për televizionin shtetror mbi situatën. Pastaj të kthehej në darkë në gjirin e ngrohtë të familjes etj. Dritëroi atëherë i kishte kaluar të pesëdhjetepesat, një moshë jo fort e pershtatshme për aventura në kohë bore.
Isha i bindur që ai nuk kishte marrë ndonjë urdhër nga “lart” për të ardhur atje, se ai ishte vet “lart”. Ishte vetëm “urdhëri” i ndërgjegjes së tij prej shkrimtari që i thoshte se duhet të ishte atje ku është ngjarja. Dhe ngjarja ato ditë ishte atje, në veri, ku bora dhe akulli kishin pllakosur gjithçka. Dhe kjo ngjarje nuk do të perseritej më. Të paktën prej dyzete vjetësh nuk është përsëritur më në vendin tone një situatë e tillë. Kanë ndodhur përmbytje e tërmete, pandemira e te tjera, por borë e tillë, jo. Po e kape, e kape atë çast, përndryshe, ëhë, të iku nga duart. Dritëroi nuk e la t’i ikte.
Përshtypjet për këtë udhëtim në trojet e bardha i hodhi pastaj në një reportazh të botuar në gazetën “Drita” shoqeruesi i tij, shkrimtari Anastas Kondo. Nga reportazhi kuptuam se ata ishin kthyer shëndoshë e mirë në kryeqytet, se rruga ishte po aq e vështirë e me rreziqe edhe në kthim, saqë dukej sikur do të ktheheshin nga Siberia.
Ne mbetëm atje, në humbëtirën e bardhë, ku kishim qenë edhe më parë. Por tani kishim me vete edhe mbresat dhe frymën e ngrohtë të takimit me shkrimtarin e madh, që na kishte mbirë nga dheu e na kishte vizituar, duke na thënë se “bora do shkrijë e do kthehet në dritë”. Kjo na e ngrohte disi shpirtin, se e kuptonim që nuk ishim tërësisht të braktisur në vetminë tone te akullt. Femra nuk kishte në atë takim, se nuk ishte kohë e pershtatshme për daljen e femrave nga shtëpia në atë acar.

