• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, July 15, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Ndryshimi i klimës dhe nevoja për thellimin e kërkimit shkencor në bujqësi/ Flet Akademik Nazim Gruda: Sektori i bujqësisë duhet orientuar pët t’u bërë më konkurrent

by Mentor Kikia
17/06/2025 15:44
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Mentor Kikia

Akademiku Nazim Gruda është një nga personalitetet e shquara të shkencës botërore në fushën e agronomisë. I diplomuar fillimisht në Universitetin Bujqësor të Tiranës (ish Instituti i Lartë Bujqësor, Kamëz), ai u vendos në Gjermani ku zhvilloi më tej karrierën e tij dhe iu përkushtua kërkimit shkencor. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar korrespondent i Akademisë Georgofili në Itali dhe anëtar nderi Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Rumanisë, ai u pranua së fundmi edhe si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Lituanisë.

Profesor, para se të flasim për kërkimin shkencor dhe sfidat e bujqësisë, mund të na thoni se çfarë do të thotë për karrierën e një studiuesi dhe kërkuesi shkencor, të qenit anëtar i kësaj akademie?

Anëtarësimi në një akademi të tillë është një nder i madh. Akademia e Shkencave të Lituanisë është themeluar në vitin 1941, ndonëse idea e krijimit ishte që në vitin 1773, por për shkak të luftërave të asaj kohe nuk u realizua. Ajo ka një rol të rëndësishëm si këshilltare e pavarur për qeverinë në fusha si arsimi, kultura, teknologjia, zhvillimi i qëndrueshëm, mbrojtja e mjedisit dhe kujdesi shëndetësor. Për më tepër, ajo bashkëpunon me mbi 27 akademi të huaja, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kjo zgjedhje përfaqëson jo vetëm një vlerësim për karrierën time akademike, por është edhe një nder që i bëhet akademisë sonë, ku një anëtar i saj merr vlerësimin maksimal nga një akademi e një vendi tjetër evropian. Por në ndryshim, p.sh. me marrjen e një çmimi, kjo zgjedhje për mua është edhe përgjegjësi për të ardhmen – për të vijuar kërkimin shkencor me cilësi dhe çuar më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve dhe dy akademive tona. Lituania ka bërë hapa shumë të përparuara në vitet e fundit, veçanërisht në fushën e kërkimit dhe risive shkencore. Nga vizitat që kemi zhvilluar në institute kërkimore, si edhe nga pjesëmarrja në konferenca dhe aktivitete shkencore, kam mbetur vërtet i impresionuar. Këto përvoja hapin horizonte të reja për bashkëpunim dhe shkëmbim dijesh. Pranimi në këtë akademi është jo vetëm vlerësim, por njëkohësisht rrit ndjeshëm përgjegjësinë time si studiues – si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj komunitetit shkencor. Zgjedhja në një akademi kombëtare të shkencave, e cila nuk është e kufizuar vetëm në sektorin bujqësor, por përfshin edhe fusha të tjera të dijes, krijon mundësinë për bashkëpunim ndërdisiplinor dhe qasje më të gjera ndaj sfidave që kemi përpara.

Ndoshta edhe për një kuriozitet, si pranohesh anëtar në një akademi të huaj shkencash? Aplikon, përzgjidhesh, ju rekomandojnë, si veprohet?

Zgjedhjet në Akademinë Lituaneze të Shkencave bëhen mbi bazën e kritereve të rrepta të ekselencës shkencore, duke vlerësuar individë që kanë dhënë kontribut të dukshëm dhe të qëndrueshëm në fushat e tyre përkatëse. Procesi i pranimit kalon në disa faza të strukturuara dhe transparente. Fillimisht, kandidati nominiohet nga Seksioni përkatës, në rastin tim, nga Seksioni i Shkencave Bujqësore dhe Pyjore. Ky nominim bëhet mbi bazën e arritjeve individuale, por edhe të ndihmesës së dhënë më herët për akademinë apo për zhvillimin shkencor në Lituani. Secili seksion ka të drejtë të propozojë vetëm një kandidat në vit, por vetëm nëse hapen vende të reja, pasi edhe numri total i anëtarëve është i përcaktuar dhe nuk duhet të kapërcehet. Pas nominimit, dokumentacioni i propozuar i paraqitet Presidentit të Akademisë, i cili emëron një grup ekspertësh të jashtëm për të kryer një vlerësim të pavarur shkencor. Vlerësimi i tyre me shkrim i dërgohet Presidentit dhe më pas i paraqitet Këshillit Akademik, i cili, nëse e miraton, ia përcjell Asamblesë për votimin përfundimtar. Pas votimit zhvillohet një ceremoni solemne, ku të pranuarit kanë edhe nderin të mbajnë një prezantim të shkurtër në mbledhjen e Asamblesë. Dua të theksoj se, edhe pse një proces i tillë ekziston edhe në akademi të tjera, veçoria e Akademisë Lituaneze qëndron në transparencën e thellë: i gjithë procesi është i dokumentuar qartë në 15 pika, pa përfshirë nënpikat, dhe çdo fazë ka rregulla të mirëpërcaktuara. Gjatë një vizite që kisha më herët në Akademi, më lanë mbresë mënyra se si ata shpjegonin me krenari këtë procedurë, duke treguar edhe shembuj konkretë zgjedhjesh. Sigurisht, në atë kohë nuk më kishte shkuar ndër mend që një ditë mund të bëhesha vetë pjesë e saj, por serioziteti i procesit dhe standardet e larta më mbetën në mendje dhe sot, që kam përjetuar këtë eksperiencë vetë, ndjej kënaqësi dhe mirënjohje të thellë për këtë vlerësim.

 

Ju jeni edhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lidhjet që ju keni me disa akademi, sa hapësirë ka apo mund të krijohet për bashkëpunime mes akademisë shqiptare dhe akademive të vendeve të tjera?

Nuk diskutohet, që të gjitha lidhjet që kam unë me akademitë e tjera, janë njëkohësisht edhe lidhje të akademisë sonë me këto akademi. Dhe këto lidhje nuk janë vetëm formale, ato janë tanimë të çimentuara në marrëveshjet dypalëshe. E tillë është edhe marrëveshja mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Lituaneze të Shkencave. Bashkëpunimi shkencor ndërmjet këtyre dy akademive ka një terren të përbashkët për bashkëpunim në të ardhmen, sidomos në bujqësinë e qëndrueshme, bimët e kultivarët rezistente ndaj klimës, nanoteknologjinë, bioteknologjinë e deri në shkencat shoqërore. Po ashtu, ka potencial edhe për shkëmbime të materialeve gjenetike dhe fenotipizim të avancuar. Mundësitë janë për bashkëpunime edhe mes universiteteve dhe qendrave të tjera shkencore. Dhe këto bashkëpunime i kemi filluar tanimë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Rumanisë.

 

Shkenca e Agronomisë është shumë e gjerë. Mund të specifikoni se cila është fusha juaj, dhe si e gjetet veten në një vend si Gjermania?

Fusha ime është hortikultura, me fokus të veçantë tek perimet. U bëra pjesë e këtij drejtimi gjatë studimeve te doktoratës dhe më pas në kërkim shkencor, duke punuar fillimisht në kërkime për alternativat e torfës si dherishte/substrat për rritjen e bimëve. Në fund të viteve ’90, gjatë punës për tezën e doktoraturës, u përqendrova te përdorimi i materialeve të rinovueshme në hortikulturë – një fushë që asokohe ishte ende në hapat e parë. Në vitin 2007, pata mundësinë të bashkëpunoj me shkencëtarë në SHBA, në zhvillimin e substratit bimor me bazë fibrat e drurit. Sot, kjo fushë është e lidhur ngushtë me ruajtjen e biodiversitetit dhe sfidat klimatike. Ndërmjet viteve 2019 dhe 2023, pata përgjegjësinë të drejtoj strategjinë gjermane për uljen e përdorimit të torfës si substrat bimor dhe aktualisht jam i përfshirë në një projekt evropian Horizon që synon të përmirësojë mjedisin në zonën e rrënjëve dhe të zhvillojë alternativa të qëndrueshme.

Gjithashtu, që në fillim të këtij shekulli, jam marrë me kërkime mbi lidhjen ndërmjet kushteve të kultivimit dhe cilësisë së perimeve, duke analizuar ndikimin e faktorëve gjenetikë, të mjedisit dhe teknikave a praktikave agronomike në vlerën tregtare, ushqimore dhe ekologjike të prodhimeve hortikulturore. Për mua, cilësia nuk është një dimension i vetëm – ajo përfshin pamjen, shijen, përmbajtjen ushqyese, ruajtshmërinë dhe edhe perceptimin që konsumatori ka për prodhimin final.

Një tjetër drejtim ka qenë vlerësimi i ndikimeve të ndërsjella ndërmjet ndryshimeve klimatike dhe prodhimit të perimeve. Botimi ynë i vitit 2018 në këtë fushë u përdor si referencë nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, çka ka qenë një nxitje për të vijuar me përkushtim në këtë rrugë. Të gjitha këto përpjekje kanë ndihmuar që të gjej vendin tim në një mjedis kërkimor si ai gjerman, ku bashkëpunimi dhe ndërlidhja e dijes janë thelbësore.

 

Profesor, kur flasim për shkencë, ne perceptojmë menjëherë robotët, anijet kozmike apo kërkimet në fushën e mjekësisë për të shpikur ilaçe të reja për sëmundjet e rënda. Çfarë vëmendje zë kërkimi shkencor në fushën e bujqësisë në Gjermani, ku ju punoni, apo vende të tjera të zhvilluara?

Në historinë e njerëzimit, toka ka pasur një rëndësi themelore. Që në lashtësi, fuqia dhe mirëqenia e një shoqërie mateshin shpesh me sipërfaqen që ajo kontrollonte – dhe për këtë janë zhvilluar luftëra pa fund. Në atë kohë, toka ishte burimi kryesor i ushqimit dhe i pushtetit. Me industrializimin, vëmendja u zhvendos nga toka tek industria. Fabrikat, makineritë dhe burimet energjetike u vendosën në plan të parë. Por në dekadat e fundit, jemi dëshmitarë të një transformimi të tretë: tani jemi në një epokë ku edhe industria është shpërndarë gjeografikisht, dhe ekonomia globale është e dominuar nga sektori i shërbimeve – si informacioni, teknologjia dhe kujdesi shëndetësor. Kjo nuk do të thotë që bujqësia ka humbur rëndësinë. Përkundrazi, ajo vatëm ka ndryshuar formë dhe funksion. Bujqësia sot nuk është thjesht një veprimtari prodhuese, por një pjesë thelbësore e zinxhirit të jetës sonë të përditshme – sepse ajo lidhet ngushtë me çështje madhore si ushqimi që konsumojmë çdo ditë, siguria ushqimore, shëndeti publik, mjedisi dhe klima. Për më tepër, bujqësia moderne është duke u ndikuar në mënyrë domethënëse nga zhvillimet në bioteknologji, inteligjencë artificiale, robotikë dhe analizën e të dhënave. Në vende si Gjermania dhe shtete të tjera të zhvilluara, kërkimi shkencor në bujqësi ka kaluar në një fazë të zhvilluar. Sot studiohen sisteme të qëndrueshme të prodhimit, përdorimi i sensorëve për monitorimin e tokës dhe klimës, përdorimi i algoritmeve për parashikimin e sëmundjeve të bimëve, apo për optimizimin e inputeve bujqësore si edhe bujqësia urbane, përfshirë atë në lartësi. Bioteknologjia ndihmon në krijimin e varieteteve rezistente, ndërsa inteligjenca artificiale analizon të dhëna komplekse për të marrë vendime më të sakta dhe efikase. Kjo do të thotë që edhe roli i agronomit ka ndryshuar. Agronomi i sotëm nuk është më thjesht një specialist që njeh tokën dhe bimët, por shpesh është edhe analist i të dhënave, studiues i lidhjes ndërmjet klimës dhe bujqësisë, madje edhe bashkëpunëtor në projekte ndërdisiplinore që përfshijnë teknologjinë, ekologjinë dhe ekonominë. Në këtë kuptim, kërkimi shkencor në bujqësi në Gjermani gëzon një vëmendje në rritje – sepse në fund të ditës, pavarësisht sa e teknologjizuar të jetë jeta jonë, të gjithë kemi nevojë për ushqim të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të sigurt. Dhe pikërisht këtu, shkenca bujqësore është më aktuale se kurrë.

 

Në disa publikime që janë bërë rreth aktivitetit tuaj kemi, mësuar se nga viti 2023 jeni ekspert pranë Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë në “Green Agriculture”. Sa e rëndësishme është sot ekonomia bujqësore e gjelbër, në këndvështrimin mjedisor?

Po, dhe kjo është një përvojë e thelluar e rëndësisë që ka sot bujqësia e gjelbër botërisht. Ajo nuk është një etiketë e re për një bujqësi “më të mirë”, por një qasje e thelluar dhe e përgjegjshme që ndërthur prodhimin bujqësor me ruajtjen e burimeve natyrore, biodiversitetin dhe ndryshimet klimatike. Bujqësia e gjelbër e vendos bujqësinë në një rol qendror për përballimin e krizave të sotme – si humbja e tokës bujqësore, ndotja, mungesa e ujit të pijshëm, zhdukja e specieve, e deri te ndryshimet klimatike. Nga këndvështrimi mjedisor, ekonomia bujqësore e gjelbër synon një ekuilibër mes nevojës për të ushqyer popullsinë në rritje dhe detyrimit për të ruajtur e balancuar ekosistemet. Kjo nënkupton më pak inpute kimike, më shumë diversitet në selitje, ripërdorim të burimeve, mbrojtje të tokës, si p.sh. asaj torfike, por jo vetëm të saj, promovim të praktikave agro-ekologjike dhe investime në teknologji që e ndihmojnë fermerin të prodhojë me sa më pak ndikim negativ në mjedis. Parë me këtë sy, ekonomia bujqësore nuk është më thjesht “prodhim dhe shitje”, por përfshin gjithë ciklin e vlerës – nga toka e deri te konsumatori si edhe ndikimet mjedisore dhe sociale në çdo hap. Sot, shumë shtete të zhvilluara e shohin këtë qasje si një komponent kyç të tranzicionit të gjelbër. Dhe për vendet në zhvillim, është një mundësi për të ndërtuar sisteme më elastike, më të qëndrueshme dhe më të drejta e drejtpeshuara. Në fund të fundit, e ardhmja e ushqimit është e lidhur ngushtë me mënyrën se si ne kujdesemi për tokën dhe burimet natyrore. Ndaj, ekonomia bujqësore e gjelbër nuk është vetëm e rëndësishme, ajo është thelbësore.

 

Në nivel global, bujqësia është sot para sfidës së përshtatjes me ndryshimet e klimës. Edhe në Shqipëri, ndikimet e klimës së re janë dramatike. Ato po ndodhin me shpejtësi. P.sh., ju keni dëgjuar që prej 3-4 vitesh pemët e qershisë nuk prodhojnë më fruta, dhe qershia në sezonin e saj shitet më shtrenjtë se frutat ekzotikë. Çfarë rëndësie ka kërkimi shkencor në procesin e përshtatjes së bujqësisë me këto kushte të reja klimatike?

Dukuri të tilla nuk janë aspak tipike vetëm për Shqipërinë, por prekin të gjithë rajonin dhe më gjerë. Sapo u ktheva nga një vizitë pune në Rumani, ku isha i ftuar nga Universiteti i Shkencave Agronomike dhe Veterinarisë Mjekësore në Bukuresht. Gjatë qëndrimit pata fatin të vizitoj edhe koleksionin e tyre shumë të pasur të pemëtarisë, dhe një ndër temat që diskutuam ishte pikërisht qershia. Me temperaturat e pazakonta të ngrohta në janar, qershitë u zhvilluan më herët se zakonisht. Fatkeqësisht, ngricat e vonshme e kapën qershinë në fazën e lulëzimit, duke dëmtuar thuajse plotësisht prodhimin për këtë vit. Probleme të tjera të mundshme janë edhe breshëri apo thatësira. Këta janë shembuj tipik i mënyrës sesi ndryshimet klimatike nuk ndodhin në një kah të vetëm, por janë gjithnjë e më shpesh të karakterizuara nga ekstreme – ngrohtësi e parakohshme, e ndjekur nga ngrica, thatësira të zgjatura apo reshje intensive me breshër brenda pak orëve. Në ftesën që kam marrë për të folur në Lituani, tema ime do të jetë pikërisht “Hortikultura në epokën e ndryshimeve klimatike”. Ajo që dua të theksoj është se këto kushte të reja kërkojnë masa të menjëhershme dhe të shumëfishta – si për shembull në rastin e ngricave, ujitje mbrojtëse kundër ngricave, tymosje/fumigimi, apo edhe qarkullimi aktiv të ajrit të plantacioneve në çaste kritike. Por më tej, kërkimi shkencor është thelbësor për të zhvilluar varietete reziliente ndaj stresit klimatik. Sfida më e madhe është se ndryshimet klimatike ecin më shpejt sesa ciklet e zakonshme të përmirësimit të bimëve bujqësore. Nga momenti i identifikimit të një kultivari të ri e deri te futja e tij në prodhim, mund të duhen 10 apo më shumë vite, ndërsa ndryshimet klimatike janë të pranishëm sot e po thellohen nga viti në vit. Ndaj duhet të pyesim veten nëse kemi mundësi të ndërmjetësojmë këtë proces përmes metodave më të shpejta – për shembull duke përdorur shartimin, apo teknika bioteknologjike që përshpejtojnë përzgjedhjen dhe testimin. Gjithë këto deri në shkallën e fermerit. Por së fundi, dua të theksoj se ndryshimet klimatike janë globale dhe ato kërkojnë zgjidhje gjithëpërfshirëse, që nuk mund të vijnë vetëm nga një fushë e vetme dhe as nga një vend i vetëm. Prandaj, anëtarësimi im në Akademinë Lituaneze më ofron mundësinë të bashkëpunoj me ekspertë nga fusha të ndryshme, duke i dhënë përmasa më të gjera dhe më efektive kërkimit për zgjidhjen e sfidave në bujqësi.

 

Shqipëria ka ndryshuar nga ajo e periudhës së komunizmit, është zhvilluar. Por mund të themi se sektori i bujqësisë ka pësuar regres. U dëmtua infrastruktura kulluese dhe ujitëse, rendimenti i kulturave ka rënë, bujqësia nuk është e orientuar, çdo fshatar synon të mbjellë edhe drithëra, edhe perime, edhe foragjere. Mendoni se bujqësia duhet organizuar, ç’mund të bëjë shteti në këtë drejtim?

Po, Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm, gjë që na gëzon e bën krenarë të gjithë ne. Por sektori i bujqësisë përballet me sfida të mëdha, që vijnë edhe por jo vetëm nga humbja e infrastrukturës kulluese dhe ujitëse (kjo e fundit ndihet shumë me ndryshimet klimatike!), mungesa e orientimit të prodhimit dhe fragmentimi i madh i fermave. Kjo tregon nevojën për organizim dhe një qasje më të qartë sipas zonave dhe potencialeve të tyre. Shteti mund dhe ka ndërhyrë, p.sh. përmes politikave zhvillimore, investimeve në infrastrukturë, këshillimit teknik dhe sidomos përmes mbështetjes së formave bashkëpunuese. Por kjo punë duhet vijuar e thelluar. Vetëm me një vizion të tillë bujqësia mund të bëhet më e organizuar, më e qëndrueshme dhe më konkurruese në rajon.

 

Jeni gati ta jepni ndihmën tuaj për sektorin e bujqësisë në Shqipëri, e kam fjalën këtu, p.sh. si këshillues?

Po, jam i gatshëm dhe në fakt tashmë po e jap ndihmesën time në këtë drejtim. Jam anëtar i Këshillit të Urtëve pranë Ministrisë së Bujqësisë – një strukturë që përfshin kolegë me përvojë të gjatë dhe kualifikim të lartë, shumë prej të cilëve edhe jashtë vendit, dhe që kanë një dëshirë të sinqertë për të kontribuar në zhvillimin e sektorit. Jam përpjekur të jap ndihmesën time edhe në projekte të tjera. Një shembull konkret është përfshirja ime në projektin e FAO-s për prodhimin në sera në zonën e Lushnjes, i cili nisi në fillim të këtij viti. Sa i përket Këshillit të të Urtëve, mendoj se në të ardhmen duhet treguar kujdes për menaxhimin funksional të kësaj strukture, në mënyrë që potenciali dhe ekspertiza e saj të vihet realisht në shërbim të politikës dhe praktikës bujqësore në vend.

 

Dhe në fund një pyetje jashtë laboratorit, por e lidhur me laboratorin: Sa e vështirë është të merresh me shkencë në këtë fushë? Çfarë impenjimesh ka dhe sa e ndikon kjo jetën private?

Të merresh me shkencë në bujqësi nuk është më e lehtë se në fushat e tjera – përkundrazi, shpesh kërkon një përkushtim të vazhdueshëm, sepse natyra nuk njeh fundjavë apo orar zyre. Kërkimi shkencor në këtë fushë lidhet me sezonet, me ciklet e bimëve, me testime në terren dhe analiza laboratorike që kërkojnë kohë, durim dhe saktësi. Impenjimi është i madh, sidomos kur përpiqesh të jesh në hap me zhvillimet ndërkombëtare, të publikosh, të udhëtosh për bashkëpunime apo konferenca, por edhe të ndihmosh vendin tënd kur të jepet mundësia. Kjo natyrisht ndikon jetën private – jo gjithmonë është e lehtë të ruash balancën. Por kur e bën këtë punë me pasion e dashuri, ajo bëhet pjesë e identitetit tënd, dhe çdo sakrificë merr kuptim. Nga ana tjetër, nuk duhet nënvlerësuar mundësia për të qenë aktiv: të takosh specialistë e shkencëtare të respektuar nga e gjithë bota, të shkelësh vende të reja, të mësosh nga kultura të ndryshme. Këto përvoja nuk janë vetëm kënaqësi — por edhe udhë për pasurimin profesional dhe shpirtëror. Dhe kur puna njihet e vlerësohet, si në këtë rast, gëzimi është i madh e lind një shtysë e re për t’ju përkushtuar asaj më tej.

Faleminderit, profesor.

Faleminderit për ftesën.

Next Post
E akuzoi se mori 20 mijë vota me ndihmën e bandave, Sara Mila i përgjigjet Berishës: Mezi pres shtatorin të jemi sy më sy në Parlament

E akuzoi se mori 20 mijë vota me ndihmën e bandave, Sara Mila i përgjigjet Berishës: Mezi pres shtatorin të jemi sy më sy në Parlament

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Deputeti Vasil Llajo kërkon hapjen 24 orë të Doganës së Qafë Botës: Letër zyrtare autoriteteve greke

Deputeti Vasil Llajo kërkon hapjen 24 orë të Doganës së Qafë Botës: Letër zyrtare autoriteteve greke

July 14, 2025
Prishet pas disa orëve tensione banesa e fundit e paligjshme në Theth! Banorët u futën në godinë, përplasje me policinë

Prishet pas disa orëve tensione banesa e fundit e paligjshme në Theth! Banorët u futën në godinë, përplasje me policinë

July 14, 2025
Fuqizimi i  Forcave të Armatosura, mbërrijnë në Kosovë autoblindat ushtarakë nga SHBA

Fuqizimi i Forcave të Armatosura, mbërrijnë në Kosovë autoblindat ushtarakë nga SHBA

July 14, 2025
“Ja ku janë, shkrepe o babe…”/ Dosja e plotë e përplasjes me armë në zonën e “Ali Demit” në Tiranë

“Ja ku janë, shkrepe o babe…”/ Dosja e plotë e përplasjes me armë në zonën e “Ali Demit” në Tiranë

July 14, 2025
Si po zëvendësohen shqiptarët? Nga India deri në Filipine, 20% e punonjësve në vend janë të huaj

Si po zëvendësohen shqiptarët? Nga India deri në Filipine, 20% e punonjësve në vend janë të huaj

July 14, 2025
Bamir Topi: Përplasja ime me Berishën nis pas Gërdecit dhe kulmon në 21 Janar!

Bamir Topi: Përplasja ime me Berishën nis pas Gërdecit dhe kulmon në 21 Janar!

July 14, 2025
“Dashuria” për UÇK/ Gazetarja polake mbledh fakte e dëshmi në Kosovë

“Dashuria” për UÇK/ Gazetarja polake mbledh fakte e dëshmi në Kosovë

July 14, 2025
Banorët kundërshtojnë prishjen e ndërtesës së fundit në Theth, bllokojnë fadromën (FOTO)

Banorët kundërshtojnë prishjen e ndërtesës së fundit në Theth, bllokojnë fadromën (FOTO)

July 14, 2025
“Ndërtoni identitet mbi vlera“/ Analisti Roland Bejko këshillon partitë e vogla për të çarë në sferën politike

“Ndërtoni identitet mbi vlera“/ Analisti Roland Bejko këshillon partitë e vogla për të çarë në sferën politike

July 14, 2025
Manja pret në takim zv.kryeministren e Ukrainës: Bashkëpunim për drejtësinë dhe rrugën drejt Europës

Manja pret në takim zv.kryeministren e Ukrainës: Bashkëpunim për drejtësinë dhe rrugën drejt Europës

July 14, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com