Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur mirënjohjen për të gjithë njerëzit që kontribuojnë në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore shqiptare brez pas brezi.
Në një postim në rrjetet sociale, Kuvendi ka sjellë në vëmendje figurën e Vendim Kapajt, i vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, i cili prej më shumë se 50 vitesh i është përkushtuar muzikës dhe tingujve të traditës shqiptare.
“Me fyellin dhe cylën dyjare në duar, ai ka ruajtur një pjesë të shpirtit të muzikës shqiptare”, thuhet në postimin e Kuvendit.
Kuvendi ndalet edhe në teknikën e rrallë të Kapajt, atë të luajtjes së fyellit me dhëmbë.
Sipas Kuvendit, tingulli i krijuar nga kjo traditë e lashtë shqiptare ka udhëtuar përtej kufijve të vendit, duke u bërë pjesë e kolonës zanore të filmit të ri të regjisorit Christopher Nolan, “Odisea”, në praninë e kompozitorit fitues të çmimit Oscar, Ludwig Göransson.
“Nga tradita shqiptare, te një prej produksioneve më të mëdha të kinemasë botërore. Kjo është trashëgimia kur mbahet gjallë, ruhet, përcillet dhe fiton admirim në të gjithë botën”, thuhet në postim.











