• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, April 22, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Mustafa Nano guxon të kritikoje Fishtën për vargjet antisllave

by Java News
01/07/2017 09:21
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Pëllumb XHUFI/

Nuk është hera e parë, që autori Mustafa Nano u largohet për një çast ujërave të ndenjura të gazetarisë e publicistikës shqiptare për të ndërmarrë udhëtimin e radhës nëpër kthinat e fshehta të historisë, kulturës e gjuhës shqipe. Albanologjia, me të vërtetat, dilemat, mitologjitë e misteret e saj, duket se është pasioni i tij i viteve të pjekurisë. Sprovat e para të kësaj stine të re të krijimtarisë së tij Nano na i kishte dhënë që me botimin e librit “Unë jam gegë”, në vitin 2013, dhe të atij me titull “Pax Albanica”, më 2014.
Jo pa qëllim, autori ka zgjedhur një titull libertin e provokativ për librin më të fundit të tij, “Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?)”.
Bie në sy konfeksionimi i tij në një gjuhë dialektore anti-standard, fillimi i tij paradoksal me një fjalë të huaj të kulturës fast-food dhe, mbi të gjitha, shtrimi në formën e një dileme shekspiriane i pyetjes “Të jesh a të mos jesh…shqiptar”. Ky titull, i zgjedhur qëllimisht nga autori, rrezikon t’i tingëllojë antipatik e irritues lexuesit tradicional, që do të ndihej i fyer në qenien e tij shqiptare dhe në ndjenjat e bindjet e veta puritane mbi historinë, kulturën e gjuhën e popullit shqiptar. Por, pavarësisht titullit ekstravagant, çdo lexues që e njeh krijimtarinë e Mustafa Nanos mund të rrijë i qetë, se në rastin e këtij libri të ri nuk kemi të bëjmë me një “rrëshqitje” të autorit në pozita renegate dhe as me një projekt të fshehtë për të çshenjtëruar a demontuar një lavdi kombëtare, siç është albanologjia.
Në fakt, qysh në faqet e para të librit bindesh se qëllimi i autorit nuk është edhe aq i keq.
Nano merr përsipër një mision “mohues”, madje edhe “destruktiv”, por ky është një mision fisnik, pasi ka të bëjë me demontimin e miteve, me rishikimin (revizionimin) e disa “të vërtetave të gjithëpranuara”, por që nuk i qëndrojnë kohës e i bëjnë dhunë të vërtetës. Sigurisht, shqyrtimi në mënyrë kritike i disa prej tezave kryesore të shkencave albanologjike, siç janë ato që kanë të bëjnë me origjinën e popullit shqiptar, me vazhdimësinë iliro-shqiptare, me marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët e me grekët, me gjuhën e kulturën e tyre, me procesin e islamizimit, me rolin e shqiptarëve në ngjarjet e mëdha politiko-ushtarake në rajonin e Ballkanit etj., është një ndërmarrje që kërkon guxim, e guximi nuk i mungon opinionistit Mustafa Nano, njërit prej zërave të rrallë kritikë të gazetarisë shqiptare të periudhës së trazuar të tranzicionit post-komunist.
Nano ka zgjedhur një gamë gjithëpërfshirëse të literaturës bazë, ku bëjnë pjesë, si autorë të konsideruar “filo-shqiptarë” të llojit G. Hahn, Fallmerayer e Durham, ashtu edhe autorë të stigmatizuar si “albanofobë” e deri “albanofagë” të tipit Pouqueville, Gjorgjeviq, Wilkinson, Mackenzie etj.

Për sa u përket marrëdhënieve historike të shqiptarëve me fqinjët, Mustafa Nano është i bindur se një rishqyrtim objektiv do të sillte një zhdramatizim e shtensionim të tyre në ditët e sotme. Vërtet, ai nuk lë, e nuk mund të lërë pa komentuar platformat nacionaliste e antishqiptare të fqinjëve, si “Megali Idenë” greke, apo “Naçertanjen” serbe të Ilia Garashaninit dhe elaboratin albanocid të Vasa Çubrilloviqit. Këto, dihet, u kthyen në ushqimin kryesor të politikave të Greqisë e Serbisë kundrejt Shqipërisë e shqiptarëve, duke prodhuar në terren ngjarje të përgjakshme, masakra e operacione masive të spastrimit etnik, më i fundit prej të cilëve ishte ai i viteve 1998-1999 në Kosovë.
Nga ana tjetër, konstaton Nano, Greqia, vendi që para 200 vjetëve ishte më multietniku e multifetari në Ballkan, sot krenohet të paraqitet si vendi etnikisht e fetarisht “homogjen”. Kjo gjë nënkupton se në këta dy shekuj banorët shqiptarë, vllehë, turq, hebrenj e sllavë të saj ose janë përzënë, ose janë greqizuar me dhunë, ose janë zhdukur. Megjithatë, autori konsideron se në një mjedis inkandeshent e skizofren, si ai ballkanik, shfaqjet e nacionalizmit duhen mbytur që në vezë, e në këtë kuptim ai nuk heziton të trajtojë me po aq dorë të rëndë edhe shfaqjet e interpretimit nacionalist të historisë te shqiptarët, siç ishte edhe ajo tentativë e ndrojtur e vitit 1998, kur Akademia e Shkencave e Shqipërisë kuturisi të hartojë një platformë mbi zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Nisma është gjithsesi e kritikueshme, pavarësisht se platforma në fjalë e parashihte realizimin e idealit rilindës të bashkimit kombëtar në kuadrin e projektit europian të integrimit dhe aspak si një rezultat luftërash, dëbimesh e spastrimesh etnike.
Nuk është pa domethënie fakti që Mustafa Nano distancohet prerazi nga kori i intelektualëve hipokritë, kur guxon, si askush tjetër në këta 25 vjet lirie akademike e intelektuale, të kritikojë nervin antisllav të At Gjergj Fishtës në “Lahutën e Malcis”. Përballë vargjeve të poetit, vargje mjeshtërore, po ku janë tepër të ndezura tonet e ngjyrat e një armiqësie të hiperbolizuar e historikisht të papërligjur mes shqiptarëve e malazezëve, Mustafa Nano nuk përmbahet ta thotë açik mendimin e tij: “Vepra më e mirë e Fishtës meritonte një fabul më të denjë historike”.

SHQIPTARËT E SERBËT
Në të kundërtën, ai ndjek një tjetër linjë marrëdhënieje me fqinjët, duke kërkuar e duke evidentuar atë çka është pozitive, posaçërisht në marrëdhëniet e tyre me shqiptarët. Momente të shumta të historisë, të rindërtuara nga autori me citim të bollshëm dokumentesh, kronikash bashkëkohore e historianësh me emër, flasin për bashkëjetesë normale e bashkëpunim deri edhe me serbët. Tregues i saj është ekzistenca shumëshekullore e një brezi të gjerë të simbiozës shqiptaro-serbe, që fillonte nga Bosnja, në veri, e përfundonte në Mal të Zi e Kosovë, në jug. Në enklava të veçanta të këtij brezi, vazhdojnë të ruhen edhe sot gjurmë të kësaj simbioze, pavarësisht politikave të homogjenizimit etnik të zbatuara me egërsi nga koha e krijimit të shtetit të pavarur serb. Në dy betejat e mëdha të Kosovës, atë të vitit 1389 e 1689, shqiptarët e serbët u ndodhën në një llogore kundër pushtuesit osman. Që nga koha e princit Dhimitër të Arbërit, më 1210, midis shtëpisë mbretërore serbe të Nemanjiqëve dhe princërve shqiptarë nga familjet Balsha, Kastrioti etj. dëshmohen aleanca ushtarake, të sanksionuara edhe me lidhje krushqie. Akoma më të ngushta rezultojnë lidhjet mes shqiptarëve dhe malazezëve, të cilët autorë të ndryshëm, si kroati Milan Šufflay, anglezja Edith Durham e vetë malazezi Mark Milani, i nxjerrin me origjinë të përbashkët. Në të mirë e në të keq, në virtyt e në ves, shqiptarë e malazezë ngjajnë si dy pika uji. Jo më kot historia, letërsia e folklori i dy popujve rezervon konsiderata e vlerësime për njëri-tjetrin. Nano na kujton se në “Kurorën e Maleve” të Petar Petroviq Njegoshit, për shqiptarët flitet përgjithësisht mirë. Në një prej këngëve të tij, tregohet se si Ivan Crnojeviqi, në vend të djalit të tij fytyrëprishur, dërgoi në Venedik një sozi shqiptar nga Ulqini, Gjuron, për të kërkuar dorën e vajzës së dogjit. Edhe vetë At Gjergj Fishta, që inatin me sllavët e ka të madh, ndërsa derdh gjithë artin e pezmin e vet kundër “shkjajve” të knjaz Nikollës, nuk mund të bëjë pa shpenzuar ndonjë fjalë të mirë për “cernagorasin trim” e për Mark Milanin, “pikë e djalit”.

Next Post
Tjetër ngjarje e rëndë, gruaja i jep fund tragjikisht jetës

Gruaja e divorcuar e nxjerr nga shtëpia, ish-i dashuri e përndjek dhe e dhunon

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Vendimi i fundit i Trump: Zgjatet armëpushimi SHBA-Iran, bllokada në porte do të vazhdojë

Vendimi i fundit i Trump: Zgjatet armëpushimi SHBA-Iran, bllokada në porte do të vazhdojë

April 21, 2026
Macron: T’i jepet kohë negociatave! Nuk duhet ta lejojmë rifillimin e konfliktit SHBA-Iran

Macron: T’i jepet kohë negociatave! Nuk duhet ta lejojmë rifillimin e konfliktit SHBA-Iran

April 21, 2026
Incident në Firence/ Turistja dëmton statujën e “Biancone”, ngjitet për t’i prekur pjesët intime

Incident në Firence/ Turistja dëmton statujën e “Biancone”, ngjitet për t’i prekur pjesët intime

April 21, 2026
Ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar letër të hapur ‘The Guardian’: Shqiptarët në Britani po ‘demonizohen’ e paragjykohen

Ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar letër të hapur ‘The Guardian’: Shqiptarët në Britani po ‘demonizohen’ e paragjykohen

April 21, 2026
Vrasja e dy vëllezërve shqiptarë në Podgoricë, arrestohet pas disa orësh ndjekjeje autori i krimit

Vrasja e dy vëllezërve shqiptarë në Podgoricë, arrestohet pas disa orësh ndjekjeje autori i krimit

April 21, 2026
Detaje nga vrasja në Memaliaj/ Sherri nisi mes dy grupeve, i plagosur edhe vëllai i autorit

Detaje nga vrasja në Memaliaj/ Sherri nisi mes dy grupeve, i plagosur edhe vëllai i autorit

April 21, 2026
“Nuk vizitoi Kievin”/ Zelensky kritika për të dërguarin amerikan në Ukrainë: Mungesë respekti në kohë lufte

“Nuk vizitoi Kievin”/ Zelensky kritika për të dërguarin amerikan në Ukrainë: Mungesë respekti në kohë lufte

April 21, 2026
ANALIZA E REL/ Bllokadë totale në Prishtinë, kush po e mban peng zgjedhjen e presidentit?

ANALIZA E REL/ Bllokadë totale në Prishtinë, kush po e mban peng zgjedhjen e presidentit?

April 21, 2026
Bisedimet me Iranin mbeten pezull/ Shtyhet vizita e Vance në Islamabad, Teherani nuk dërgoi delegacion

Bisedimet me Iranin mbeten pezull/ Shtyhet vizita e Vance në Islamabad, Teherani nuk dërgoi delegacion

April 21, 2026
Zjarri në kompleksin “Arlis”/ 40 mijë lekë bonus qiraje për të prekurit, projektvendimi pritet të miratohet nesër

Zjarri në kompleksin “Arlis”/ 40 mijë lekë bonus qiraje për të prekurit, projektvendimi pritet të miratohet nesër

April 21, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In