Shefi i Shërbimit në spitalin “Shefqet Ndroqi” tha të premten mbrëma se ritmi i mortalitetit të COVID-19 është 10 herë më i lartë sesa ai i gripit sezonal.
Deklaratat erdhën në studion e emisionit “Java në RTSH” ku Perlat Kapisyzi tregoi detaje dalluese të koronavirusit me llojet e infektimeve të tjera.
Duke u ndalur te simptomat, ai u shpreh se nëse gripi e shfaq infektimin për dy ditë, koronavirusi e bën më të vështirë pasi shenjat dalluese ndodhin pas pesë ditësh.
“Italia, Spanja, Franca apo Britania e Madhe patën vonesa në reagimet e tyre. Kjo është edhe arsye e situatës së rëndë në këto vende. Duhet thënë se Britania nuk e vlerësoi Teorinë e Ngjarjes, që shpjegon edhe zinxhirin infektues” – tha Kapisyzi.
Ai u shpreh se bota nuk duhet të rrijë me shpresën se njerëzimi do të fitojë imunitet një ditë.
Kapizysi shtoi se kryerja e testeve është një prej elementëve për ndërprerjen e zinxhirit infektues, por jo i vetmi.
Duke u ndalur te vaksina e mundshme, Kapisyzi tha aplikimi i një të tille në popullatë do së paku 18 muaj nga dita e zbulimit.











