Shpenzimet që Partia Demokratike rezulton të ketë kryer ndaj kompanive lobuese në Shtetet e Bashkuara në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2017, kanë lënë pas dhjetëra pikëpyetje që mbartin hije të forta dyshimi, kundërshti deklaratash dhe fakte të pa kanalizuara nga organet e drejtësisë. Më poshtë po përcjellim një radiografi të plotë mbi këtë çështje e cila në bosht të saj rrotullon 675 mijë dollarë me origjinë të paverifikuar.
Nga Andrea Danglli
Edhe pse kryedemokrati Lulzim Basha ka përsëritur vazhdimisht se forca politike që drejton ka deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve çdo shpenzim elektoral sipas ligjeve në fuqi, duket se nga ana tjetër ka lënë pa përgjigje një sërë llogarish të hapura transparence që e vendosin atë para përgjegjësisë.
Në një kohë kur “selia blu” pretendon se ka paguar vetëm 25 mijë dollarë për kompaninë e lobimit “Muzin Capitol”, kjo e fundit deklaron se ka marrë nga PD fonde që kapin shifrën e 675 mijë dollarëve.
Tri pagesat
Situata politike në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017 u shoqërua me përplasje të forta politike, ngërç institucional, protesta opozitare dhe mungesë dialogu mes palëve. Nxitur nga një klimë e tillë, kryedemokrati Lulzim Basha tentoi të fitojë mbështetjen e ndërkombëtarëve të cilët shpreheshin kritik për “Çadrën e protestës” dhe bënin thirrje për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
Lideri i opozitës, mori asaj kohe kontakt me kompaninë lobuese “Muzin Capitol” të cilës referuar dokumentacioneve që subjekti ka deklaruar në Departamentin e Drejtësisë, i ka paguar 675 mijë dollarë për të përfituar vëmendje nga Uashingtoni. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se pagesa është kryer në tre faza të ndryshme.
Pagesa e parë është regjistruar më datën 24 Mars 2017 dhe kap shifrën e 150 mijë dollarëve. Paratë janë derdhur nga firma “Biniatta Trade LP” dhe janë shoqëruar në dokumentacionin e depozituar në Departamentin e Drejtësisë nga “Muzin Capitol” me këtë argument kryesor:
“Shuma 150 mijë dollarë është kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politike në Shtetet e Bashkuara”, sqaron ndër të tjera Muzin i cili e ka depozituar këtë kontratë më datë 14 nëntor 2017 si aneks bashkëlidhur deklarimit të tij si agjent i huaj ku ka nënvizuar se po vepronte për llogari të PD-së.
Pagesa e dytë rezulton se është kryer më 27 Mars 2017 ku Partia Demokratike ka derdhur sërish 25 mijë dollarë në llogarinë e kompanisë “Muzin Capitol”.
Ndërkohë, më 9 qershor 2017 Partia Demokratike do të kryente pagesën e tretë dhe më të lartën. Sipas të dhënave në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, rezulton se “selia blu” ka depozituar një shifër prej 500 mijë dollarësh për të njëjtën kompani lobimi.
Rreth një muaj pas kësaj ngjarje, i kryqëzuar nga media dhe akuzat e mazhorancës, kryedemokrati Lulzim Basha u përpoq të bënte një sqarim publik duke përdorur si shteg argumentin se këto para kanë qenë donacione nga të paktën 100 shqiptaro-amerikanë.
Gjatë emisionit “Opinion”, në TV Klan ai tha:
“Kjo kompani ka marrë dhe kontribute të tjera. Ka marrë një kontribut me një shumë prej 500 mijë dollarësh, përmes një skeme plotësisht në përputhje me ligjin amerikan, nga shqiptaro-amerikanët që kanë bërë grumbullim fondesh. Ky është një transaksion i drejtpërdrejtë, mes këtij fondi dhe kompanisë së lobimit. Këto para as nuk kanë ardhur në PD dhe as nuk janë paguar nga PD”, -nënvizoi Basha por pa dhënë asnjë emër konkret.
Teksa po kalojnë dy vite nga kjo ngjarje, pavarësisht kërkesave nga organet e drejtësisë, Partia Demokratike ende nuk ka dhënë një listë të individëve që pretendon se kanë kontribuar financiarisht për të grumbulluar fondin.
Çfarë thotë ligji?
Ndryshe nga sa përcaktohet qartë në Ligjin Nr. 8580 “Për partite politike”, kemi një shkelje të pastër të normave juridike pasi çdo subjekt duhet t’i deklarojnë në Komisionin Qëndron të Zgjedhjeve shpenzimet përkatëse për aktivitetet që kryen.
Dokumentacioni i dorëzuar nga “selia blu” në KQZ për zgjedhjet e vitit 2017, shfaq një sërë shkeljesh.
Ai flet veç për faktin se PD ka raportuar vetëm shpenzimet e kryera për konsulencë në dobi të “Clearpath Strategies” me shumën 1.820.109 lekë dhe “Barnes & Thornburg LLP”, dy pagesa me shumën 6.385.000 lekë dhe 6.200.000 lekë. Ndërkohë fsheh deklarimet për konsulencën me kompaninë “Murphy Vogel Askeë” me vlerën 609.169 lekë sipas raportit të auditimit, vlerën 663.769 lekë sipas raportit të monitorimit dhe me kompaninë “Barnes & Thornburg LLP” me vlerën 6.000.000 lekë. Lidhur me këtë mungesë transparence, kjo forcë politike është ndëshkuar nga KQZ me masë administrative gjobë.
Neni 23/1 (Shtuar me ligjin nr.10374, datë 10.2.2011), shënon nje shkelje flagrante nga ana e Partisë Demokratike për donacionet që pretendon se ka marrë nga një grup shqiptaro-amerikanësh.
Pika 2 e këtij neni detyron që çdo forcë politike duhet të pasqyrojë në KQZ çdo fond të dhuruar.
“Dhurimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga partia politike. Personi përgjegjës për financat në partinë politike, brenda tre muajve nga krijimi i partisë politike, deklaron pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”,përcakton ligji.
Fakti që deri më sot nuk ka asnjë të dhënë identifikuese për fondacionet dhe për donatorët e tij ngre hije të forta dyshimi mbi origjinën e atyre parave.
Origjina e parave
Nëse do të ndjekim kronologjinë e ngjarjes, zërat zyrtarë brenda Partisë Demokratike janë detyruar disa herë që të ndryshojnë deklaratat për origjinën e parave të përdorura për lobim.
Për të pastruar mjergullnajën që ka rrethuar burimin e parave, u duhen dhënë përgjigje disa pyetje:
-Cili është identiteti i shqiptaro-amerikanëve që kanë kontribuar financiarisht?
-Pse ka nevojë PD për të lobuar në Uashington kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera?
-Çfarë interesi ka pasur kjo kompani pa asnjë lidhje të dukshme me Shqipërinë për të kryer këtë shpenzim monetar për të promovuar liderin e demokratëve në Uashington?
-Pse kjo pagesë në dobi të PD devijohet nga pasqyrat financiare dhe askush në “selinë blu” nuk shfaq shqetësim, kuriozitet dhe nuk ndërmerr asnjë hap për të sqaruar prapaskenën e këtij financimi?
-Pse lobisti Nikolas David Muzin po keqpërdor marrëdhënien kontraktuale me Partinë Demokratike për të fshehur burimin e të ardhurave kundrejt autoriteteve të SHBA-së dhe për “selinë blu” ky nuk përbën indicie për të kontaktuar autoritetet amerikane dhe për të sqaruar pozicionin e këtij subjekti politik?
Një përgjigje për këto është investigim i kryer nga revista amerikane “Mother Jones” vitin e shkuar.
Deri më sot, rezultatet e asaj pune kërkimore kanë mbajtur të ndezur debatin për ndërhyrjet ruse në forcen e dytë politike më të madhe në vend.
Hulumtimi konkludonte se pas kompanisë “Biniatta Trade LP” me qendër në Skoci, qëndronin biznesmenë ruse të cilët investuan shumën e paguar për lobim nga PD.
Përfundimet që nxorën gazetarët David Corn, Hannah Levintova dhe Dan Friedman, detyruan organet e drejtësisë të nisnin tri hetime paralele: Në Shqipëri, SHBA dhe Skoci të cilat vijojnë ende.
Hetimet në Skoci kanë dalë me rezultatet se pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP” janë dy shtetase ruse Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva.
Ndërkohë, administratoret janë shtetasja me origjinë nga Republika Çeke Molli Roselie dhe Gina Esparon nga ishujt Seychelles.
Për të gjitha këto spirale ku është përfshirë Partia Demokratike, deri më tani nuk ka asnjë përgënjeshtrim publik ku të faktohet e kundërta duke e lënë të shtohet misterin që shoqëron këtë çështje. (TemA)