Agjencia amerikane e fotografive Getty Images njoftoi sot, të mërkurën, se ka deklaruar falimentimin para një gjykate të Nju Jorkut , diçka që pritej pas një marrëveshjeje të kohëve të fundit për të ristrukturuar borxhin e saj, e cila parashikon edhe tërheqjen e saj nga Bursa e Nju Jorkut.
Procesi filloi para gjykatës federale të falimentimit në Delaware “me qëllim miratimin formal të planit të ristrukturimit (…) dhe për ta zbatuar këtë plan në mënyrën më efektive”, tha agjencia në një deklaratë.
Getty, një partner komercial i shumë mediave, njoftoi më 12 tetor se kishte arritur një marrëveshje me kreditorët e saj kryesorë për të ristrukturuar borxhin e saj.
Sipas kësaj marrëveshjeje, familja Getty dhe firma e investimeve Koch Equity Development (KED) u zotuan të kontribuonin deri në 533 milionë dollarë për biznesin.
Nga ana e tyre, kreditorët e Getty Images ranë dakord të shlyenin 270 milionë dollarë borxhe.
Grupi gjithashtu arriti një ulje të normave të interesit dhe një zgjatje të afateve të ripagimit.
Agjencia njoftoi sot se ka “vazhduar me zbatimin” e planit.
Përfundimi i tij pritet ende “deri në fund të vitit, sapo të arrihen miratimet rregullatore “, shtoi ai.
Getty do të vazhdojë të funksionojë normalisht gjatë gjithë procesit, duke u mbështetur në fondet nga KED që mund të arrijnë në 143 milionë dollarë, si dhe në të ardhurat nga operacionet e agjencisë.
Kur procesi të përfundojë, familja Getty dhe KED do të zotërojnë 100% të kapitalit të kompanisë.
The post Agjencia Getty Images shpall falimentin appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë











