Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka shpallur vitin 2026 si vitin e rinisjes së industrisë ushtarake shqiptare, duke prezantuar një program të gjerë prodhimi dhe investimesh. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ai theksoi se rritja e buxhetit të mbrojtjes po përkthehet jo vetëm në forcim të kapaciteteve ushtarake, por edhe në zhvillim ekonomik dhe inovacion.
Sipas tij, në muajin prill nis prodhimi i dronëve taktikë, ndërsa në maj do të prodhohen uniformat për ushtrinë dhe Policinë e Shtetit. Po në maj hapet edhe Shkolla e Aviacionit, me dy helikopterë trajnues të porositur, ndërsa në qershor pritet dalja e mjeteve të emergjencave dhe transportit në bashkëpunim me kompaninë Ray Metal. Programi do të vijojë deri në dhjetor me prodhimin e sistemeve antidronë, ngritjen e dy qendrave rajonale për emergjencat civile dhe blerjen e dy avionëve, duke rikthyer kapacitete të humbura prej dy dekadash.
Vengu njoftoi gjithashtu se janë finalizuar negociatat me kompaninë italiane Fincantieri për prodhimin e anijeve luftarake në bazën e Pashalimanit, duke hapur rrugën për krijimin e një kompanie të përbashkët. Në fushën e emergjencave civile, fondet janë shpërndarë për 47 bashki, me rritje të ndjeshme të buxheteve: trefishim në Lezhë e Gramsh, gjashtëfishim në Përrenjas dhe shtatëfishim në Delvinë. Janë miratuar 8 milionë euro për infrastrukturën parandaluese dhe 10 milionë euro për projekte të reja si prita dhe ura, ndërsa 2 milionë euro shtesë janë dedikuar për rinovimin e flotës së emergjencave.
Një tjetër shtyllë e programit është kapitali njerëzor. Ministri bëri të ditur se në 14 muajt e fundit janë rekrutuar 1 000 ushtarakë aktivë, ndërsa numri i largimeve është ulur me 70%. Përveç kësaj, janë hapur rekrutimet për 12 inxhinierë që do të trajnohen në bashkëpunim me partnerë izraelitë.











