Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të Romës lidhur me rastin e shtetasit maroken 39-vjeçar, Fathalla Ouardi, i cili sipas saj ka një histori kriminale që përfshin trafik droge, dhunë seksuale dhe përdhunim në grup.
Ky shtetas maroken ishte transferuar më 17 shkurt nga Potenza drejt qendrës së riatdhesimit në Gjadër me qëllim deportimin në Marok. Megjithatë, sipas Melonit, Gjykata e Apelit e Romës nuk e konfirmoi ndalimin e tij pasi azilkërkuesi maroken paraqiti kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.
“Një person që ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Itali, i përfshirë në trafik droge dhe përdhunim në grup, sipas vendimit të magjistratëve nuk duhej dërguar në Shqipëri dhe as të riatdhesohet. Në këtë mënyrë vihet në pikëpyetje siguria e qytetarëve. Çfarë besimi mund të ketë një grua që ka vuajtur përdhunim në grup në sistem, nëse sulmuesi i saj nuk mund të deportohet?”, tha Giorgia Meloni.
Në intervistën e saj për radion RTL, kryeministrja Meloni u shpreh e vendosur që qendra e ngritur në Gjadër të funksionojë plotësisht, me mbështetjen e BE-së, pavarësisht se magjistratët, sipas saj, mund të shpikin justifikime të tjera.
“Bashkimi Evropian na ka ndihmuar me listën evropiane të vendeve të sigurta, e cila ishte çështja kryesore e ngritur nga magjistratët italianë për të bllokuar funksionimin e këtyre qendrave. Qeveria është e vendosur të ndjekë një politikë më të rreptë ndaj migracionit të parregullt, edhe përmes instrumenteve të reja si qendrat jashtë territorit italian. Projekti për qendrat e migrantëve në Shqipëri do të vazhdojë”, tha Meloni.
Meloni foli edhe për reformimin e drejtësisë italiane:
“Reformimi i sistemit të drejtësisë është thelbësor për ta bërë këtë komb modern. Nëse nuk ia dalim këtë herë, nuk do të kemi një shans tjetër”.
Kryeministrja përmendi edhe rastin e Firences, ku një grua u përdhunua nga dy emigrantë, duke i bërë thirrje feministeve që të mos heshtin.
Në fund të muajit të kaluar, tetëdhjetë të huaj të mbajtur në qendrat e riatdhesimit në Itali u transferuan në kampet e ngritura në Shqipëri me dy fluturime çarter, si pjesë e protokollit të nënshkruar nga Roma dhe Tirana për menaxhimin e flukseve migratore.
Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, gjatë transferimit drejt Shqipërisë azilkërkuesit u shoqëruan nga rreth 100 oficerë policie.











