Nga Lorenc Vangjeli
Edi Rama mund ta shenjojë këtë periudhë si verën më përvëluese të katër mandateve të tij qeverisës. Kriza arriti pikun në fillim të javës së dytë të qershorit, atëherë kur protesta që u duk se u shpik nga hiçi, shënjoi edhe mksimumin e saj. Nervozimi i kryeministrit të kapur në befasi nga një përbetim armiqsh jo gjithmonë të njohur, ndiqte të njëjtën trajektore me revolucionin e flamingove në bulevard. Fiks siç ja pasqyronte pothuaj me besnikëri të plotë edhe grafiku i sondazheve që ai bënte: sa më masive ajo, aq më ulët ishte popullariteti i politikanit më popullor të tranzicionit shqiptar. Gjërat nisën të ndryshojnë në fillim të javës së tretë të qershorit, koha kur mbas zulmit drejt Rinasit, protesta nisi të humbasë sharmin e saj. Kryesisht tek shtresa e mesme, baza e saj kryesore. Elementë të dhunës që filluan të shpërfaqen brenda saj, por edhe shumë arsye të tjera, kryesisht lodhja, vera, kampionati botëror apo edhe rutina, nisën të shfaqin portret tjetër edhe në sondazhet “private” të Ramës që mbas këtij momenti, po rikuperonte pikë. Përballë ultimatumit që jo vetëm i kërkonte dorëheqjen, por i përmendte edhe burgun, Rama kishte nisur të planifikonte ringritjen e tij. Dhe shpalli sfidën: “Në fund të protestës, qeveria dhe PS do të dalin më të fituara!”.
Dokumentat e diskutuara në fundjavën e Pogradecit ishin lëvizja finale e kryeministrit, si reflektim për protestën dhe korret e bashkuara kundër tij. Besa apo platforma teknologjike “Pasqyrë Albania”, në thelb kërkojnë të vendosin një marrëdhënie të re mes shtetit dhe qytetarit apo dhe krijimin e një sistemi të ri komunikimi mes tyre. Premtojnë që mbasi Rama vete kishte toleruar në vite ngritjen e kryeministrave të Republikës së Drejtorëve, do të sillte edhe shkatërrimin e saj. Por a janë të mjaftueshme këto lëvizje, të gjitha produkt Bio i vetë Ramës? A janë operacion apo makiazh në një trup në lëngatë? A janë pikturë e re në fasadë apo shmangie nga muret dhe themelet e dëmtuar, a është mohimi i radhës i shkaqeve duke kërkuar të shërrohet pasoja apo janë zgjidhje nga halli i momentit? A është një revolucion teknologji përballë protestës njerëzore apo një tjetër tentativë për të kaluar lumin, kur dihet fati i kalit në bregun tjetër? Në të shkuarën ka ndodhur dhe herë të tjera kështu dhe dyshimi se dhe këtë herë, do të jetë si përherë, është më së paku i arsyeshëm.
Në fakt, qortimi më i rëndësishëm që mund t’i bëhet kësaj lëvizjeje, edhe sikur ajo të afrojë mrekullinë që premton e pret kryeministri, është refuzimi për të pranuar natyrën e vërtetë të krizës. Kriza është politike. Eshtë thellësisht politike, strukturore e psikologjike. Si e tillë, kërkon edhe zgjidhje që i afron vetëm një zeje si politika.
Dhe një lëvizje politike antikrizë do të duhej të fillonte padyshim me reformën e domosdoshme për rishkrimin e kushtetutës. Besa që afron kryeministri është shumë më pak sesa akti i betimit të qeverisjeve njëherë në katër vjet mbi kushtetutë. Dhe mes urdhërimeve kushtetutese, kryesisht në pjesën e ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve dhe realitetit praktik në vend, ka një humnerë të pafund. Shqipëria është një republikë parlamentare në letër, por ajo funksionon mirëfilli si një republikë kryeministrore. Pushteti ekzekutiv është totalisht i shtrirë dhe i shkrirë me pushtetin legjislastiv. Ai ka edhe distancë të skajshme, edhe ndikim relativ me pushtetin gjyqësor. Opozita është vetëm ornament pluralizmi dhe praktikisht ngjan si një e ftuar nga halli në një darkë ku e shohin si të huaj në tryezë. Një rishkrim i kushtetutës për t’ju përshtatur realitetit shqiptar – përshtatja me republikën kryeministrore – një president i zgjedhur nga populli me kompetenca shumë më të gjera që do të krijonte një pol të ri ekuilibrues pushteti, kufizimi i mandateve, ndryshimi i sistemit zgjedhor – Shqipëria një apo katër zona elektorale – me një prag të caktuar, nuk do të ndryshonte domosdoshmërisht lojën politike, por do të rishkruante rregullat e lojës. Gjithçka tjetër, përtej këtyre hapave megjithatë të diskutueshëm, bashkë dhe me ultimatumet e protestës për anullimin e ligjeve të caktuar, është vetëm kozmetikë në fytyrën e meitit.
Duket sikur Rama nuk ka askënd rreth vetes që t’i përshkruajë qartë se cilat janë sfidat e vërteta me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Duke nisur me korrupsionin endemik të shtrirë në administratën e tij e deri brenda tryezës qeverisëse. Natyrisht cilido është i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim të formës së prerë të gjykatës, por ky parim vlen për qytetarin e thjeshtë. Për një zyrtar të lartë, edhe vetëm dyshimi i arsyeshëm, në kodin e epërm moral të demokracisë, është arsye për të ikur. Sikur Rama ta kishte pranuar epërsinë e këtij kodi të pashkruar, por edhe një numër mbreslënës të akuzuarish të kishin bërë aktin e dorëheqjes në kohë, do të kishin kursyer shumë andralla edhe artificiale të muajve të fundit.
Eshtë e dukshme dhe vetëm naivët nuk kuptojnë se qeverisja Rama është përballë një presioni të jashtëzakonshëm nga një fluks po i jashtëzakonshëm i parave me origjinë të dyshimtë. Maketet vezulluese të kullave, xhamet vetëtitëse të tyre mund të japin disa like servile e sterile më shumë në instagram, por ato nuk do të ndërtohen kurrë nga kompani, të cilat shpiken nga askundi, me 100 mijë lekë kapital dhe pa asnjë CV të mëparshme në ndërtim. As të huaj snobë dhe as banditë dhe hajdutë të administratës nuk do të guxojnë të blejnë më hapësira në kullat e premtuara, kur dinë që mund t’u trokasin një ditë në derë e t’u thonë: Ku i gjetët paratë? Dhe me paratë nën ullishtre dhe të palara, edhe rëndësia e banditëve shqiptarë do të niste të relativizohej me shpejtësi.
Fatkeqësisht Rama e shënoi emrin e tij në listën e kryeministrave të tranzicionit që nuk i dhanë zgjidhje përfundimtare problemit të pronës mbi tokën. Një reformë bipartizane mbi pronësinë e saj, një revolucion i dhembshëm kombëtar do të duhet të përmbysë atë lëmsh shtrigash që ka krijuar ligji famëkeq 7501 dhe ligji i legalizimeve. Pronarë në rërën e detit apo pushtues dikurshëm të tokave publike nëpër qytete, nuk mund të trajtohen më si pronarë të ligjshëm. Të gëzojnë çfarë kanë ndërtuar mbi të, por toka nuk mund të jetë e tyrja. Ky është ngërçi nga i cili duhet të çlirohet gjithë shoqëria që vazhdon të mbetet peng i pakteve kriminale që politika ka bërë në vite me ta për hir të votave.
Ka shumë elementë të tjera që do të meritonin reflektimin e kryeministrit mbas protestës. Ato do të duhej të nisnin me sfidën demografike të vendit, me plakjen e frikshme të popullsisë dhe emigrimin e pakontrolluar, me një qasje krejt tjetër ndaj fshatit dhe ekonomisë pothuaj natyrore në të cilën janë ndëshkuar të jetojnë ata pak që kanë mbetur ende për të punuar tokën apo rritur bagëtitë, me një filozofi krejt tjetër për mjedisin dhe burimet natyrore. Ajo mund të fillonte edhe me uljen dramatike të TVSH-së për produktet e shportës, së paku në nivelet që i kanë fqinjët, që t’u japë shans për mbijetesë një shtrese të shoqërisë, që pa ndihmën e fëmijëve, do të përfundonin në uri.
Një shqiptare e madhe si Nënë Tereza, që vërtet nuk ka pasur shtatin e Ramës, këshillonte dikur se duheshin bërë punë të vogla, por me dashuri të madhe. Algoritmet, teknologjia apo AI-ja që thërret si aleatë kryeministri, mund të bëjnë edhe punë të mëdha, edhe punë të mbara, por ato nuk kanë zemër, nuk ndjejnë empati, nuk kanë emocion dhe as nuk ndjejnë keqardhje. Mund të japin zgjidhje teorike, por nuk ndjejnë dot pulsin e shoqërisë. Vetëm njeriu është i dënuar të veprojë edhe për një kohë të parashikueshme në një rrafsh të tillë. Ndaj përgjigja e Ramës ndaj Revolucionit të Flamingove duhet të vinte përballë reformën kushtetuese për të rishkruar rregullat e lojës së pari. Dhe po ashtu, ta ballafaqonte edhe me revolucionin moral. Por a mund ta bëjë dot Rama tani, që njerëzit që ka zgjedhur vetë e nderojnë pikërisht për kultin e personalitetit? A do të mundet ai të bëhet më i fortë jo duke mbledhur, por duke ndarë pushtetin? Dhe mbi të gjitha, a është në gjendje të divorcohet përfundimisht nga sjellja me Shqipërinë si një bashki unike, që fillon në Vermosh e mbaron në Konispol? Ka ende pak shanse ta bëjë një gjë të tillë, por ka edhe më pak kohë t’i bishtnojë traditës që ai vetë ka krijuar e për t’u bërë kështu, politikani i fundit që mbyll tranzicionin në vend.
Shqipëria është në pritje të shtatorit që do të rrëzojë gjethet e pemëve, por me gjasë do të shtojë numrat e protestuesve në bulevard. Një shtator që paralajmëron sërish një vjeshtë të gjatë ankthi qeveritar!











