Pas raportimit të ministrave në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, kryeministri Edi Rama deklaroi se “përpjekja e nisur me reformën në sistemin e emergjencave dhe rritja e fokusit të këtij aspekti ka dhënë impaktin e duhur në kushtet kur duhet thënë dhe kur falë bujarisë së natyrës, goditja nuk ka qenë fatale, por që ka krijuar panik të madh krejt natyrshëm”.
“Ajo që mbetet të thuhet është që të vijojë intensivisht puna, pasi në tërësi dëmi mund të duket pak, por në veçanti për çdo familje më vete, dëmi mund të jetë shumë i madh, prandaj angazhimi duhet të jetë për çdo familje më vete. Kompanitë e ndërtimit të vënë në dispozicion individë të stafeve teknike për të shumëfishuar forcën monitorues në terren, pasi ai numër godinash pallatesh apo shtëpi është jo i pakët në raport me nevojën për të pasur një inspektim të detajuar se ku ka thjesht një plasaritje sipërfaqësore apo ku ka krisje që ka cënuar natyra”, deklaroi Rama.
Po ashtu, vijoi ai, është e nevojshme, që ka një element në godinat e mëdha, që është pjesë e sistemit mbrojtës nga tërmeti dhe që është aty dhe e parashikuar nga organizimi strukturor i godinës për të përballuar tërmetin. Por dhe për këtë duhet parë dhe monitoruar me kujdes se ku është pikërisht kjo plasaritje që vjen si mbrojtje e strukturës, apo është plasaritje e strukturës që duhet parë me kujdes”.
Rama tha se “nesër do të kemi një takim bashkarisht edhe me krytarët e bashkive dhe deputetët, sepse ka dhe një aspekt tjetër, që nuk figuron nëpër raporte, që është aspekti i nevojës së njerëzve për të pasur afër si të thuash njerëz që dinë çfarë t’ju thonë dhe që dinë ti qetësojnë me argumenta duke i lehtësuar me barrën e stresit”.
“E rëndësishme që kjo që sot ishte një arritje pozitive e koordinimit në kohë reale të vijojë edhe më pas”, tha Rama, duke kërkuar që “askush të mos mbetet i harrur dhe askush të mos rrijë të presi shtetin që nuk i vjen te dera”.
“ Koordinoimi në këto kushte është themelor dhe patjetër dhe me pushtetin vendor që ka detyrën e vet kryesore në këtë moment. Ne pastaj do të vëmë në dispozicion edhe burimet e nevojshme dhe për ti adresuar këto dëmë. Ashtu sikurse do të shikojmë hap pas hapi se si do paraqiten dëmet për të kuptuar se a do ta shtrimë përtej buxhetit dorën për të kërkuar ndihmë apo jo”, nënvizoi Rama.
Gjithashtu, kryeministri Rama falënderoi të gjithë miqtë ndërkombëtarë që shprehën gatishmërinë për ndihmë dhe mbështetje.
“Ajo që më vjen mirë ta them është se menjëherë në moment kur ne morëm lajmin, sapo kisha zbritur nga avioni në Frankurft, kryeministri i Italisë më shprehu gatishmërinë për ndihmë, Kancelari i Austrisë, Presidenti i Francës dhe të gjithë të tjerët me radhë që më kanë pyetur dhe janë interesuar. Kështu që për këtë jam shumë falenderues miqve tanë dhe atyre që janë shprehur të gatshëm, ashtu siç jam falenderues të gjithë atyre që janë bashkëqytetarët tanë jashtë atdheut që gjatë gjithë kësaj kohe, kanë shprehur gatishmërinë për solidaritet. Dëmet janë të pakta për ata që si kanë, për ata që i kanë janë dëme të mëdha. Lajmi i mirë është se Kryeministria i ka rezistuar tërmetti dhe do ishte e vetmja godinë që do ishte çarë në mes nëse s’do ishte bërë rikonstruksioni që i është bërë. Vazhdojmë me intensitet punën deri sa të fashtitet çdo gjurmë e këtij momenti kaq të vështirë dhe deri sa të fashitet çdo gjurmë e stresit që ka prekur qytetarët”, përfundoi Rama.
/a.r











