Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte në rastin e Masakrës së Padalishtës, e kryer më 26 mars 1999 në Komunën e Istogut.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, të cilat bëjnë me dije se hetimet për dokumentimin e këtij rasti kanë zgjatur për një periudhë të gjatë kohore.
“Prishtinë, 29 tetor 2026. Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale, ka ndërmarrë veprime hetimore për një periudhë të gjatë kohore në drejtim të dokumentimit të rastit i njohur si ‘Masakra e Padalishtës’ në Komunën e Istogut, e ndodhur më 26 mars 1999, në Komunën e Istogut”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Sipas autoriteteve, në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin, hetuesit e Sektorit për Krime Lufte kanë zhvilluar edhe veprime operative, duke angazhuar njësi në terren për lokalizimin e personave të dyshuar.
“Në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin, hetuesit e Sektorit për Krime Lufte kanë ndërmarrë edhe veprime operative, në përputhje me autorizimet përkatëse, duke angazhuar njësi në terren dhe si rezultat i këtyre veprimeve, sot, më 29.10.2026 janë lokalizuar dhe arrestuar dy të dyshuar Z.B., dhe G.B. në fshatin Osojan dhe Cerkolez të Komunës së Istogut”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se veprimet e mëtejshme lidhur me këtë rast do të vijojnë në bashkërendim mes dy institucioneve.











