Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, prezantuan sot në IEVP “Ali Demi” drejtoreshën e re të këtij institucioni.
Zoja Jakaj u prezantua si alternativa më e mirë për të ofruar atë që ministri Manjani e quajti “standard i ri në drejtimin e burgjeve”. Me një formim të lartë akademik dhe eksperiencë të pasur profesionale në fushën e shoqërisë civile dhe botime publicistike, Jakaj mori nga Ministri i Drejtësisë detyrën e re.
“Jam sot në këtë institucion, sigurisht pak të veçantë për shërbimet që ofrojmë ne, që është institucioni i vuajtjes së dënimit për gra, për të prezantuar drejtoreshën e re, të cilën e kam emëruar sot me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm dhe që është znj. Zoja Jaka. Ju keni qenë një njeri shumë aktiv, për hir të së vërtetës, në këtë institucion, edhe gjatë kohës që s’keni qenë drejtoreshë, me projekte të ndryshme dhe besoj se do të keni gjithë dashamirësinë dhe mbështetjen e ekipit këtu, por edhe të zonjave dhe zonjushave të dënuara, të cilat janë gjithashtu qytetare të këtij vendi dhe që meritojnë respekt, brenda kuadrit ligjor që ato gëzojnë. Sepse kemi të bëjmë me njerëz, kemi të bëjmë me qytetarë të republikës, të cilët për një arsye apo një tjetër, në çaste të caktuara, mund të kenë patur probleme me ligjin”, tha ministri.
“Vij nga bota akademike dhe jam marrë shumë edhe me aktivitete televizive, me median e shkruar dhe median vizive. E kam marrë si detyrë për të ndryshuar pamjen e këtij institucioni”, tha Jakaj.
BW