Nga Sadiola Xhelili
Ka vende që të mirëpresin me gjeste të buta. Ka të tjera që të sfidojnë që në hapin e parë. Liqeni i Komanit është nga ata që të falin mrekulli, por jo pa të testuar durimin. Përpara se të ndjesh madhështinë e ujit që përshkon malet, duhet të kalosh përmes një realiteti të vrazhdë. Një rrugë që të lodh, një tunel që të përplas me absurdin dhe një fillim që i ngjan një shpërfilljeje kolektive.
E megjithatë, gjithçka të thërret të vazhdosh. Sepse aty ku shteti ka ikur, natyra ka mbetur si dëshmi krenarie. Ishte kjo dëshirë për të përjetuar natyrën, edhe kur ajo është e tradhtuar nga njeriu, që na nxiti të niseshim. Në një mëngjes të hershëm pranvere, vendosëm ta ndjekim këtë rrugë deri në fund. Ajo që përjetuam nuk ishte vetëm një udhëtim, por një zbulesë: për tokën, për turizmin dhe për ne vetë.
U nisëm herët në mëngjes nga Tirana, trageti i ndizte motorët në ora 11:00 dhe na priste një rrugë e gjatë përpara. Një rrugë për të cilën dinim pak, por na mësoi shumë.
Udhëtimi nuk na paralajmëroi për çfarë na priste. Të pushtonte qetësia e natyrës, flladi pranveror dhe dielli i butë mëngjesor. Rruga ndahej nga njëra anë me pishat e nga tjetra me pasqyrimin qiellor mbi ujë, duke të shtuar kureshtjen se ç’do të sillte më pas, por nuk vonuan shumë dhe nxorën krye të papriturat.
U dukën për së largu krisjet e para të asfaltit të vjetruar, por nuk e mposhtin dot qetësinë e natyrës, humbnin. Panorama përreth nuk të linte të të ftohej dëshira për të mbërritur, të ftonte sërish në udhëtim.
Kur… pak metra më larg, u ndeshëm me një rrëshqitje asfalti, të mënjanuar dhe të pashpresë, e cila na dha goditjen e parë të fortë. Asfalti sa vinte dhe venitej së qeni i tillë, sapo u dhanë shenjat e paralajmërimit. Natyra ia la vendin amortizimit, nisën të ndjehen goditjet që rrëmbenin gomat e makinës. Sytë e përkthenin këtë vetëm në mungesë investimi.
Pllakosi pluhuri sepse ai ishte gjithë çka makinat linin pas. Zhurmë zhavorri, pluhur mbytës… Më tutje ndodheshin disa eskavatorë, por nuk bënin zë, ishin të heshtur. Dukej se rruga po zgjerohej, por nuk kishte lëvizje për të të bindur se po punohej. Investimi ishte si i lënë pa zot, ia vidhte magjinë kthesave gjarpëruese, ia bjerrte harmoninë qiellit e tokës.
“Vitin tjetër kena për me pas rrugë të re”, na tha një nga guidat e Lumit të Shalës. Por portreti i atij djaloshi nuk fliste për entuziazëm, rrëfente për një kacavarje të sforcuar në shpresa të lodhura. Ai kërkonte të mbulonte zhgënjimin me buzëqeshje, por e nxirrte zbuluar rraskapitja e të qëndruarit mes diellit që sa vinte e nxehej dhe pluhurit që sa vinte e dendësohej.
“Edhe pak u ka mbet”, tha dhe na uroi udhëtim të mbarë.
I afrohemi tunelit. Por peripecitë s’kishin të sosur.
“Kthehuni pas”, na tha një nga efektivët e Policisë Bashkiake të Vaut të Dejës pasi na ndaloi dhe na pyeti se ku do të shkonim.
I kërkuam shpjegim se pse duhet të bëhej kjo lëvizje e pakuptimtë e të kthyerit pas të udhëtarëve dhe lënies së tyre në pritje të gjatë.
“Nuk mund të hyni që tani, duhet të prisni poshtë si të tjerët, te parkimi atje te kafja, vini këtu kur niset trageti”, u përgjigj.
U desh t’i kujtonim se ishim media – me keqardhje për këdo tjetër që nuk mund ta përdorte këtë kartë – për ta vënë atë në lëvizje. Na tha të prisnim dhe u nis me makinë drejt tunelit, e përshkoi, u vonua ca, kohë gjatë të cilës nuk e dimë se çka ndodhi matanë tunelit, dhe u kthye duke na lejuar kalimin. Ndërkohë udhëtarët e tjerë, përfshi turistët e huaj, do duhej të qëndronin në pritje.
Pas afro 500 metrash tunel, përballesh me paradoksin e radhës.
Një katrahurë të uron mirëseardhjen.
Madhështisë natyrore i ka rënë për hise të paraqitet në sytë e turistëve me një geto të harruar.
Ajo copëz e liqenit që të shfaqet para është e destinuar të jetë fathumbur, sepse, me të dalë nga tuneli, në të majtë të serviret një rrëmujë me mbetje e plehra. E disi më poshtë, thasë të tërë të zinj mbeturinash, që të ndezur nga i nxehti veçse kundërmojnë ere të ndyrë. Ndërkohë makina rreth e qark si rojtarë. Pështjellim i pashpjegueshëm që të shokon.
Për t’iu shkuar pranë varkave e tragetit rreth vijës, duhet ta matësh mirë ku hedh hapin pasi gropat, mungesa e theksuar e njëtrajtësisë, guriçkat e hedhura andej-këndej, mund të të përthyejnë bashkë me kyçin e këmbës edhe dëshirën për ta vazhduar udhëtimin.
Gjithçka buçet për një shkapërdarje nga ana e autoriteteve.
“Disgusting”, i thotë një turiste guidës teksa sapo kishte zbarkuar nga trageti. Ky i fundit i bëri me dije grupit se – ashtu siç ishin të ngarkuar me çantat e kampingut – duhej t’i përshkonin metrat e tunelit në këmbë, pasi furgonit të tyre nuk po i lejohej të hynte brenda e t’i merrte.
I njëjti skenar i pakëndshëm si nga ana tjetër e tunelit, qesharak në një moment kulmor për turizmin.
“Kush nuk vjen, i bie të mbetet këtu”, tha ai duke qeshur, çka tregonte se nuk ishte hera e parë që përballej me këtë anomali dhe se e njihte mirë pritjen.
E sërish natyra shqiptare fal. Edhe pse aty e egër, ajo fal. Fal dhe të fton në gjirin e saj si për të të vërtetuar se është kryelartë dhe e pamposhtur.
Harresë shtetërore
Po na priste trageti. Ora shënonte 11:00 dhe shëtitja do të merrte rreth dy orë.
Pak para se të niseshim, takojmë kapiten Azgan Musajn. Ai na tregon më tepër për atë zallamahi që na panë sytë.
“Deri më sot asnjëherë, kurrgjë”. Kështu i përgjigjet ai pyetjes nëse është vënë dorë nga shteti dhe nëse ka parë përpjekje për ta hequr qafe këtë çrregullim.
“Rruga që keni bërë për të ardhur deri këtu ka filluar të rregullohet, por për këtë vit nuk bëhet”, na tregoi ai.
Kapiteni renditi një sërë problemesh me të cilat haset përditë.
“Infrastruktura këtu ka disa probleme. Ka probleme tuneli. Nuk ka rregull te makinat, bllokojnë kalatën, vonohet trageti. Vetëm sot kanë sjellë dy policë. Këtu më parë ka qenë postë policie, duhet të vendosi shteti dorë pasi këtu vijnë rreth dy mijë veta në ditë që shkojnë për në Lum të Shalës dhe për Valbonë. Dhe këtu nuk ka asnjë njeri nga shteti që mund t’i menaxhojë gjithë këta njerëz”, shtoi ai.
Sipas tij, mospasja e asnjë pranie nga autoritet është një problem “i madh”.
“Problematika më e madhe është tuneli i hyrjes dhe kalata e tragetit. Vijnë parkojnë makina në tunel, bllokojnë tunelin, nuk kalojnë dot autobusët. Kalata nuk duhet të ketë asnjë mjet të parkuar. Ndërkohë që këtu mbushet plot me makina që parkojnë, nga të pronarëve të bizneseve dhe ky është problemi kryesor”.
Një xhiro me emocione të përziera
Trageti nisi të çante qetë ujin e liqenit, i cili i pandarë nga malet përreth e ndalte kohën për të të bërë pjesë të ritmit të vet e për të të ngërthyer mes valëzimeve të buta.
Peizazhi të mrekullonte. Një ‘Tajlandë e vogël’, siç e përshkoi një nga bashkudhëtarët në një bisedë miqësore. Fija e kaltër çan tejpërtej malet e ashpra.
Brigjet mburojë të bënin të ndjeheshe pjesë e krenarisë së tyre. Dukeshe shumë i vogël në krahasim me to nga shtatlartësia, por shumë i fortë në karakter teksa rrjedha dredhonte mes shkëmbinjve.
“Kështu janë edhe njerëzit e kësaj ane. Vijnë nga shkëmbinjtë, jo nga balta. Janë krenarë, e tregojnë nga postura se si e mbajnë kraharorin”, tha ndërsa kundronte me njëfarë simpatie mbresëlënëse çdo lëvizje të natyrës.
“I sheh këto shtëpitë këtu”, pyeti duke drejtuar gishtin drejt njërës prej tyre.
Ishin shtëpi të vetmuara, tek-tuk, në faqet e shkëmbinjve. Ngjanin të bekuara nga pamja para tyre, por të ‘dënuara’ nga të qenit larg gjithçkaje.
“Edhe këto tregojnë për njerëzit e kësaj ane. Nuk kanë pritur nga askush t’ju sjellë gjë, i kanë bërë vet. Kanë mbijetuar duke u munduar vet dhe duke u ndihmuar nga këto male, të cilat kanë penguar pushtuesit t’i depërtojnë”.
Në gjysmë të rrugës, teksa kishim lënë pas shpellat e fshehura në të dy krahët, ndodh një tjetër ballafaqim i trishtë me mungesën e përgjegjësisë nga autoritetet.
Një përzierje mes fenomeneve të natyrës që thërrasin për ndihmë, aktivitetit njerëzor ende të paedukuar dhe autoriteteve apatike.
Plastika, letrat, ashklat… ia kanosnin ngjyrën dhe hijeshinë ujit. Aq sa në një moment trageti u desh të ulte shpejtësinë për të thyer një barrikadë copash druri të pabindura për t’u shpërndarë.
Kapiten Azgani na foli edhe për këtë fenomen.
“Kur rritet niveli i liqenit merr me vete inertet. Por duhet të pastrohen. Shteti duhet të angazhojë një skuadër si kudo në botë. Duhet të ketë gjithmonë një skuadër me motorskafë dhe pajisjet e nevojshme për pastrimin e tyre”.
“Kur vijnë turistët dhe shohin këto këtu llahtarisen. Dhe ne ndjehemi shumë keq… është skandal i madh çfarë shihet gjatë gjithë rrugës”, shton ai.
Dhe e vërtetë, gjatë gjithë rrugës shihen anash brigjeve mbetje, të cilat nuk duhet të ishin aty. Aty ndodhej pika më e fortë e turizmit dhe ato e bënin të dukej më e dobëta.
Megjithatë në portretet e turistëve të huaj – më së shumti gjermanë – mbizotëronte një qetësi e habitshme, e cila linte pak vend për interpretim. Mbresat i mbanin të kyçura në zemër, si për të mos tendosur asnjë ndjesi të mirë e të ngrohtë. Donin me ngulm të mbanin mend atë që i bëri pjesë të saj heshtur, natyrën.
Sa i përket nisjes së këtij sezoni turistik, kapiteni u shpreh i kënaqur.
“Krahasuar me vitin e kaluar, ka më tepër turistë. Pjesa më e madhe e të cilëve janë të huaj”.
Për të, ky sezon mund të jetë një nga më të mirët siç duket edhe nga prurjet e deritanishme.
Xhiros po i vinte fundi. Cicërimat e zogjve që të përshëndesin herë pas here të tërheqin vëmendjen duke të shkëputur nga seritë e mërzitshme dhe duke të ftuar të mbërrish në Fierzë i mbrujtur me fuqinë e maleve.
Me të zbritur, rruga e vjetër e kthimit të mbërthente në reflektim. Me gjelbërimin që s’kishte të ngopur dhe flladin e pasdites, duhej veçse të mendoje.
Sepse natyra sërishmi fali.