Projekti i zbatimit për segmentin hekurudhor Tiranë-Durrës është drejt përfundimit. Drejtori i Projekteve në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Krislen Keri bëri të ditur në një prononcim për ATSH-në se në fund të muajit gusht do të dorëzohet pranë ministrisë, projekti bashkë me paketën e tenderimit. Ai tha se vlera totale e këtij projekti është 81.5 milionë euro dhe se në forumin e Parisit që u mbajt në fillim të kësaj jave Bashkimi Europian miratoi 34.5 milionë euro grant, Ndërsa 35 milionë euro pritet të miratohen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në muajin tetor të këtij viti.
Keri tha se është bërë një studim i mirëfilltë, pasi ndërhyrjet tashmë kryhen në kuadër edhe të procesit të integrimit europian. Studimi e ka nxjerrë këtë segment të hekurudhës shqiptare të vetmin segment me interes për transport pasagjerësh. Ndërkohë, thotë ai, segmentet e tjera janë me interes për transport mallrash. Shpejtësia e lëvizjes së trenit sipas tij, llogaritet 100 km në orë dhe do të ketë stacione të cilat do të rehabilitohen në Vorë, Sukth, Shkozet. Distanca Tiranë-Durrës llogaritet të përshkohet për rreth 30 minuta. Projekti i rindërtimit të hekurudhës Tiranë-Durrës, pritet të ndihmojë në transportin e rreth 1.4 milionë qytetarëve në vit dhe 240 mijë ton mallrave.
Keri sqaroi se Banka Europiane për Ridnërtim dhe Zhvillim ka kryer studimin me vlerë 1.1 milionë euro për segmentin KAshar-Durrës, me porosi të qeverisë së mëparshme, ndërsa i është kërkuar edhe riaktivizimi i stacionit të vjetër përmes në shtese fondi nga donatori prej rreth 120 mijë eurosh.
Dy ekipe, nga ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Bashkia e Tiranës janë duke ideuar njollën se nga do të kalojë nga Kashari tek Stacioni i Vjetër i Trenit. “Stacioni i trenit do të jetë sërish në qendër” siguroi ai.
Për drejtorin e Projekteve në MTI, Keri, linja hekurudhore merr një rëndësi të madhe në kushtet kur ngarkesa në segmentin rrugor Tiranë-Durrës është shumë e lartë.
Ndërkohë, thotë ai, ky projekt synon ta sjellë standardin hekurudhor nga 60 km në orë në 100 km në orë standard ky bashkohor . Kjo sipas tij, do të evitojë vonesat. “Studimi ka llogaritur se do të kursehen në vit rreth 55 milionë euro nga koha e pasagjerëve, nëse zgjedhin të udhëtojnë përmes linjës hekurudhore”, deklaroi Keri.
Sipas tij, ky studim nuk ka parashikuar ato ndalesat që i bëhen transporit publik gjatë autostradës e që janë shumë të rrezikshme për sigurinë rrugore e për jetën e qyetarëve.
Gjithashtu, thotë ai, nuk është llogaritur amortizimi për shkak të këtyre mjeteve, pasi llogariten mbi 20 mijë kalime në ditë në këtë segment që do të reduktohen me aktivizimin e hekurudhës.
Duke folur për investimet në sektorin hekurudhor, Keri tha se po punohet mbi bazë startegjish që janë në linjë me zhvillimin e rrjeteve europiane, pra zgjatimin e rrjeteve europiane q ë quhen TENT që është Rrjeti i Transportit Trans Evropian. “Të gjitha segmentet hekurudhore , Vorë-Hani i Hotit, Durrës-Pogradec dhe lidhja me Maqedoninë janë duke marrë financim për bërjen e studimeve paraprake”, u shpreh Keri.
Linjat hekurudhore në vend janë ndërtuar në vitin 1951 te shekullit te kaluar./ ATSH/ a/k









