Nga Baton Haxhiu
PJESA I
Polemikat për “The Albanian Files” nisën shumë përpara se libri të hapej. Por sapo kalon faqet e para, kupton se debati i vërtetë nuk është për Edi Ramën. Është për mënyrën se si ndërtohet një qytet dhe për aftësinë tonë për ta lexuar një vepër përpara se ta gjykojmë.
Për fat të mirë timin, e njoh prej shumë vitesh Kryeministrin Edi Rama. Po aq gjatë e kam mik edhe pronarin e Shtëpisë Botuese Dukagjini. Megjithatë, vetëm pak ditë më parë më ra në dorë The Albanian Files, sapo kishte dalë nga shtypi.
E kuptova me vonesë se po lexoja gabim edhe kopertinën. Kisha menduar se titulli ishte “The Albanian Files”. Nuk ishte. Ai ishte vetëm emri i arkivit. Titulli i vërtetë ishte poshtë tij: Freedom and Architecture. Në atë çast kuptova se libri nuk rrëfente vetëm historinë e ndërtesave. Ai përpiqej të provonte një tezë shumë më të madhe: se arkitektura bëhet vërtet arkitekturë vetëm kur lind nga liria. Dhe se liria nuk është vetëm një sistem politik. Është aftësia e një shoqërie për të imagjinuar hapësirën ku do të jetojë.
Kjo, sipas meje, është shumë më e fuqishme se të flasim vetëm për Tiranën apo për Edi Ramën.
Sepse “Freedom and Architecture” nuk është një slogan. Është pyetja që libri ia shtron lexuesit në çdo faqe: çfarë forme merr liria kur ndërtohet në gur, në xham, në dritë dhe në hapësirë?
Dhe mendoj se ky shkrim duhet të mbyllet duke u kthyer pikërisht te kjo ide. Jo te politika, por te liria si kusht për krijimin. Aty, libri fiton një kuptim që shkon shumë përtej arkitekturës.
Nuk jam kritik i arkitekturës. Nuk kam as formimin profesional për të gjykuar një projekt urban, një ndërtesë apo një vizatim teknik. Prandaj, kur mora në dorë The Albanian Files, mendova se do të lexoja një libër që u flet kryesisht arkitektëve. Gabova. Pas pak faqesh kuptova se ky nuk është një libër që të kërkon të jesh arkitekt. Të kërkon vetëm të jesh një lexues i durueshëm. Sepse arkitektët më të mirë të botës, të mbledhur në këtë vepër, nuk të mësojnë vetëm si ndërtohet një ndërtesë. Të mësojnë si lind një ide. Dhe për ta kuptuar këtë nuk duhet të dish të vizatosh më mirë se ata. Mjafton të dish të lexosh atë që ata kanë vizatuar.
Unë nuk pretendoj se i kuptoj projektet më mirë se arkitektët që i kanë krijuar. Ata shohin atë që unë nuk mund ta shoh. Por kam një bindje tjetër: një shkrimtar, një gazetar apo një lexues mund të lexojë historinë që fshihet pas atyre vijave. Sepse arkitektët ndërtojnë me laps. Ne ndërtojmë me fjalë. Dhe ndonjëherë, kur një libër është shkruar mirë, këto dy gjuhë takohen në të njëjtën faqe.
E mora librin me një kureshtje të pazakontë. Jo vetëm për ta lexuar, por edhe për të kuptuar një paradoks që më kishte shoqëruar për javë të tëra.
Pothuajse çdo ditë lexoja komente për librin. Disa e ngrinin në qiell. Të tjerë e rrëzonin pa mëshirë. Disa e quanin propagandë. Të tjerë një monument kulturor. Debati ishte bërë i nxehtë, pothuajse politik. Por kishte një problem të vogël.
Shumica nuk po flisnin për librin, por po flisnin për autorin e parathënies.Pra po flisnin për Edi Ramën. Dhe atëherë e pyeta veten: pse arkitekt dhe analist po debatonim për një libër apo për idenë që secili kishte krijuar për të, kur libri ka dal nga botimi vetem tre ditë më parë. Dhe mu deshën poaq dite ta shikoja dhe të mbaja shënime.
Sa më shumë e mendoja këtë pyetje, aq më shumë kuptoja se ajo nuk kishte të bënte vetëm me këtë botim. Ajo kishte të bënte me kohën tonë.
Jetojmë në një epokë ku veprat shpesh gjykohen para se të lexohen. Një fotografi, një fragment, një postim në rrjetet sociale ose një emër në kopertinë mjafton për të prodhuar një verdikt. Nuk presim më faqen e parë. Nuk presim argumentin. Nuk presim autorin të na çojë deri në fund të mendimit të tij. E kemi ndërtuar zakonin e gjykimit të menjëhershëm dhe, në këtë nxitim, humbasim shpesh vetë veprën.
The Albanian Files është viktima më e fundit e këtij refleksi.Ironia është se libri vetë flet pikërisht për të kundërtën.
Libri dhe autorja vet flet për procesin, për kohën.Për durimin. Për evolucionin e një ideje.
Për të gjitha ato gjëra që nuk mund të kuptohen me një shikim të shpejtë.
Kur hapa faqet e para, kuptova se edhe unë duhej të hiqja dorë nga çdo paragjykim. Libri nuk kërkonte admirim. Kërkonte lexim.
Dhe pikërisht aty nisa të kuptoj se gabimi më i madh që është bërë në debatin publik nuk lidhet me përmbajtjen e librit, por me mënyrën se si ai u lexua.Ose, më saktë, si nuk u lexua.
Parathënia është shkruar nga Edi Rama. Pikërisht aty nisi gjithçka.
Mendoj se kjo ishte një zgjedhje e natyrshme. Historia e transformimit urban të Tiranës dhe e hapjes së Shqipërisë ndaj arkitekturës bashkëkohore nuk mund të rrëfehet pa njeriun që e ka udhëhequr atë proces politik për më shumë se dy dekada. Do të ishte artificiale të pretendohej e kundërta.
Por emri i tij pati edhe një efekt tjetër. Ai u bë aq i madh, sa mbuloi librin. Shumë njerëz panë autorin e parathënies dhe nuk hynë më në faqet që vinin pas saj.
Paradoksi është se vetë Rama, në fund të tekstit të tij, e fton lexuesin të mos ndalet te rrëfimi i tij. Ai shkruan se hapja e këtyre “dosjeve” mund t’i tregojë lexuesit një histori krejt tjetër nga ajo që sapo ka rrëfyer. Është një ftesë për të hyrë në libër.
Por debati publik bëri të kundërtën. U ndal te dera. Nuk hyri brenda.
Ky është, ndoshta, keqkuptimi më i madh që e ka shoqëruar botimin.
Sepse sapo kalon ato faqe të para, Edi Rama pothuajse zhduket. Libri ia dorëzon fjalën dikujt tjetër.Arkitektëve.
Dhe pikërisht aty fillon libri i vërtetë.
Redaktorja Anneke Abhelakh e vendos që në hyrje boshtin intelektual të këtij botimi.Ajo nuk e paraqet Shqipërinë si një ekspozitë projektesh të suksesshme. Nuk e sheh si një katalog ndërtesash. Nuk shkruan as një histori triumfi.
Ajo e sheh Shqipërinë si një territor ku arkitektura, historia, politika, kujtesa dhe transformimi urban janë ndërthurur në një proces të vetëm. Një vend ku projektimi nuk është vetëm akt estetik, por edhe negociatë me historinë, me peizazhin, me institucionet dhe me shoqërinë.
Ky është ndryshimi thelbësor sepse, në shumicën e librave të arkitekturës shohim ndërtesa.Në këtë libër shohim mendimin që i parapriu ndërtesës.
Dhe këtu qëndron edhe origjinaliteti i tij.
Ky nuk është një album. Nuk është një katalog dhe asesi nuk duket dhe nuk është as një broshurë për investime.
Është një arkiv i procesit krijues.
Një arkiv i mënyrës se si një vend i vogël u bë, për më shumë se dy dekada, një laborator ku disa nga arkitektët më të rëndësishëm të botës provuan ide, dështuan, korrigjuan, diskutuan dhe ndërtuan.
(Vazhdon neser në pjesën e dytë…
Si ndërtohet një qytet para se të ndërtohet një ndërtesë
“The Albanian Files” nuk dokumenton vetëm arkitekturën e Shqipërisë. Ai dokumenton mënyrën se si lind një ide, si ndryshon një peizazh dhe si ndërtohet një qytet shumë kohë përpara se të derdhet kubiku i parë i betonit. )











