Lezha renditet e para në Shqipëri për numrin e aksidenteve rrugore në raport me mjetet në qarkullim, duke tejkaluar ndjeshëm mesataren kombëtare. Të dhënat e Institutit të Statistikave për vitin 2025 tregojnë se ky qark regjistron 3.2 aksidente për çdo 1,000 mjete, ose rreth 2.5 herë më shumë se mesatarja e vendit, prej 1.3 aksidentesh.
Pas Lezhës renditet Gjirokastra, me 2.8 aksidente për 1,000 mjete, ndërsa Korça mban vendin e tretë, me 2.6 aksidente. Në të kundërt, Berati dhe Durrësi rezultojnë qarqet me raportin më të ulët, me nga 0.6 aksidente për çdo 1,000 mjete në qarkullim.
Në nivel kombëtar, raporti i aksidenteve ndaj mjeteve në qarkullim ka rënë nga 1.7 në vitin 2024 në 1.3 gjatë vitit 2025.
Nëse merret parasysh numri absolut i aksidenteve, Tirana kryeson me 447 raste, e ndjekur nga Lezha me 169 dhe Korça me 134. Kjo tregon se renditja e qarqeve ndryshon kur aksidentet krahasohen me numrin e mjeteve në qarkullim.
Sipas INSTAT, numri më i lartë i aksidenteve gjatë vitit 2025 është regjistruar në rrugët interurbane dytësore, me 389 raste, ose 28.3% të totalit. Këto janë rrugë që lidhin zona të ndryshme jashtë qyteteve, përgjithësisht me një korsi lëvizjeje për secilin drejtim.
Në vendin e dytë renditen rrugët urbane dytësore, me 319 aksidente, ose 23.2%, të ndjekura nga rrugët urbane kryesore, ku janë regjistruar 276 aksidente, ose 20.1%.
Ndërkohë, në rrugët lokale kanë ndodhur 221 aksidente, ndërsa në rrugët interurbane kryesore janë regjistruar 134 raste.
Numri më i ulët i aksidenteve rezulton në autostrada, me vetëm 15 raste gjatë vitit 2025, që përfaqësojnë rreth 1.1% të totalit kombëtar.



