-Intervistë e gazetarit Preç Zogaj-
-Sikur të hidhnit një vështrim retrospektiv në këto tridhjetë vjet të tranzicionit postkomunist, cilat do të renditnit si arritjet më të mëdha të medias shqiptare?
Kemi një media pluraliste të shumëllojshme, të shkruar, audiovizive dhe online, me një numër të madh testatosh në raport me tregun dhe popullsinë, të standarteve bashkohore mjaft prej tyre sa i takon teknologjisë; një media që mbulon dhe pasqyron, do thosha cep me cep, spektrin e pikëpamjeve, ndjeshmërive, interesave, orientimeve dhe shijeve të qytetarëve si konsumatorë të produktit të saj. Kjo është sipas meje arritja më e madhe e medias shqiptare këto tridhjetë vjet. Ajo është përpjekur të mbajë hapin me zhvillimet dinamike në rrafsh europian e botëror që ka njohur e vijon të njohë pushteti i katërt.
Një arritje tjetër është pështatja në legjislacionin tonë për median e legjislacionit me të mirë europian, gjë që pavarësisht problemeve në zbatim dhe në vetë mënyrën si funksionojmë mediat në Shqipëri, ka sjellë progres në lirinë e saj.
Gjithë këto vite kemi parë në përgjithësi një konsolidim të statusit të gazetarit, në kuptimin e vendit që ai ka në shoqëri, duke qenë gjithnjë e më shumë i pranuar dhe i respektuar në punën e tij dhe gjithnjë e pak vulnerabël, i atakueshëm fizikisht apo me çeshtje penale. Kjo që po them këtu spikat falë kontrastit me traditën. Në thelb është edhe arritje, edhe një sfidë për tu fituar deri në fund.
-Po dështimet më të qenësishme të saj?
Dështimet quhen ato kur nuk ia del me synimet. Nga kjo pikëpamje secila media ka e duhet të ketë të vetat. Unë flas për dukuri të reja në jetën e medias, për ndryshime dhe shmangie nga disa strandarte që njëherë e nje kohë, kur kam qenë gazetar aktiv, i konsideronim të shenjta, të tilla si prodhimi i lajmit dhe reportazhit drejt e nga burimi, drejt e nga ngjarja, verifikimi në dy burime i fakteve, prirja apo edhe zakoni për ta bërë e patur redaksinë një seli profesionale e të përgjegjshme të pushtetit mediatik, të kritikës dhe denoncimit në mosshpërdorim të këtij pushteti, të realizmit, etikës , etj. Nuk them së këto nuk i gjejmë në median e sotme. Por shoh shpeshherë se media punon më shumë brënda katër mureve, ajo rëndom nuk është burimi i parë i lajmit, por marrëse deklaratash e skupesh, gjë që e bën të varur në një formë tjetër nga furnizuesit e saj, nga politika dhe politikanët, institucionet, bota e showbizit etj. E gjithë kjo gërryen pavarësinë e saj dhe priret ta shndërroje në një platform me emër tjetër që pak ka të bëjë me konceptin klasik të medias.
-Si mendoni se është perceptimi i publikut për median në përgjithësi dhe figurën e gazetarit në veçanti? Cilët gjykoni si elementët e duhur që mund të përmirësojnë këtë imazh? Si e gjykoni besueshmërinë e medias sonë sot?
Përceptimi bazë mendoj se është ky që mediat kanë anësi të qartë politike dhe dihet që në krye në cilin mulli e çojnë ujin. Edhe pse në përmbushje të këtij misioni ato përpiqen të veshin kostumin e profesionit dhe madje kanë edhe momente pavarësie. Por në thelb njerësit e dinë se “ kush” e ka, çfarë do të lexojnë e çfarë do të shohin kur marrin iks gazetë, hapin iks stacion apo klikojnë iks portal. Kjo është një dukuri e përbotshme që në Shqipëri shfaqet më vrazhdë edhe për faktin se tregu vendas e bën me vështirësi median. Ndaj, pronarët e saj, për të qëndruar në skenë, kërkojnë mjete dhe rrugë që i çojnë në ortakëri me qeverinë dhe grupet politike. Këtu jemi tek rrethi vizioz i medias së kapur nga politika dhe politikës së kapur nga media. Një media në shërbim të drejpërdrejtë të një grupi të ngushtë politik apo biznesi ka fatin të zvogëlohet dhe të zhduket. Kjo shihet qartë edhe në Shqipëri. Mua më duhet se publiku i medias informative vjen duke u vogëluar. Përceptimi për figurën e gazetarit mendoj se lëviz midis konsiderimit të tij shërbëtor i publikut dhe konsiderimit shërbëtor , klient apo edhe pjesë e piramidave politike ekonomike, në dispozicion të të cilave vendos profesionin e tij që do të tjetërsohet e zhduket. Gazetarët profesionistë, që nuk mungojnë në Shqipëri, nuk e kanë të lehtë.
Si e gjykoni ecurinë e lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion dhe në ç’nivele gjendet aktualisht? A mendoni se gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët i marrin vendimet në punën e tyre të përditshme mbi bazën e ndërgjegjes profesionale?
-Ta shohësh nga largësia e tridhjetë vjetëve apo në kohështrirjen tridhjetvjeçare që nga dita e startit, që është edhe dita e ndarjes me shtypin e kontrolluar të regjimit komunist, nuk mund të mos dallosh progres. Por koncepti i lirisë së medias është kompleks. Tabloja e medias sonë në këtë pikë ngjan të jetë mjaft origjinale. Nëse bëjmë shumaren e testatove, del se liria e shprehjes është një realitet. Kushdo e gjen tribunën ku mund ta shkruaje e thotë atë që mendon. Nga ana tjetër, nëse marrin çdo media veç e veç, në njëjësin e secilës, gazetarët më duket se i pështaten apo janë të detyryar t’i përshtaten vijës. Pra në thelb liria e tyre është e kushtëzuar. Pyetja së cilës unë e kam të vështirë t’i jap përgjigje në këtë rast është: sa realisht është e lirë një hapësirë mediatike ku gazetarët janë të kushtëzuar në median singolare ku punojnë?
Në lidhje me vendimet, ndërgjegja profesionale nuk mund të përjashtohet, por linja editoriale rëndom është më përcaktuese.
-Sot po përjetojmë nga njëra anë një krizë të medias, por njëherësh edhe një revolucion të saj. Në ç’raport mendoni se janë mediat tradicionale dhe mediat e reja në vendin tonë, dhe cili është ndikimi i këtyre të fundit?
Për ta nisur nga fundi, mediat sociale që janë edhe “ media e shkruar”, edhe “media audiovizive”, u kanë diktuar një dinamikë të re mediave tradicionale.Kjo është beteja e radhës mes tyre. Në gjithë botën media e shkruar po përshtatet dhe po përforcon ledhet kundër sulmeve dhe gërryerjeve nga media online. Radiot dhe televizionet gjithashtu. Media e shkruar dhe audiovizive është industri. Numerikisht gazetat dhe radiotelevizionet nuk mund te jenë shumë. Ndërkohë që portalet dhe rrjetet janë mizëri. Si përfundim, mendoj se do të jetojnë edhe në të ardhmen në një “ bashkejetëse në luftë”, ku secili lloj do të konsolidojë profilin dhe klientelën e vet.
–Gazetaria duket se po kalon në një periudhe krize kudo në botë. Media e pavarur has vështirësi të mbijetojë në një treg ku mbizotëron sensacionalizmi, klientelizmi politik, dhe lajmet e rreme. Si e shihni të ardhmen për gazetarinë e pavarur në vitet në vijim? Jeni optimist apo pesimist?
Pajtohen me konstatimin tuaj. Kjo shkon në ilustrim të asaj që shënuam me sipër se mjerisht, media profesioniste po konkurrohet e silurohet nga media e porositur, apo media–porosi që është instrument i gënjeshtrës për qëllime politike. Ndoshta jam i gabuar por mua e gjithë kjo më duket si një virus që nuk mund të mos kalojë, nuk mund të mos çaktivizohet. Lajmet e rreme nuk janë media. Media nuk mund të zhduket. Njerëzimi ka e do të vijojë të ketë nevojë për të vertetën, të informohet saktë, të mësojë, të ushqehet me produktin e mendjeve analitike, të argëtohet, të kënaqet me bukurinë e gjuhes dhe imazheve. Të imagjinojmë zhdukjen e medias do të thotë të imagjinojmë zhdukjen e artit dhe shkencës gjithashtu. E pamundur. Jam optimist se gazetaria e pavarur jo vetëm nuk do të vdesë, por do të kthehet me thirrjen e njerëzve të lirë, të neveriturga “epoka e lajmeve të rreme”, apo e “post së vërtetes”.
Si mendoni se ka evoluar marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës ndër vite? Si e shihni zhvillimin e këtij raporti në të ardhmen?
Pamja e diadës që përfytyronim dikur, media në një anë, politika në anën tjeter, secila në funksionin e vet, që japin e marrin, ndihmojnë dhe përmirësojnë njëra tjetrën, por nuk bjerrin nga indentiteti i tyre, kjo pamje më del sot e tjetërsuar në dëm të medias dhe në favor të politikës. Është një histori që nuk mund të tregohet me dy fjalë. Mendoj se dominimi politik ndaj medias e gjen shpjegimin në dukurinë e politikës mbi gjithçka, deri edhe mbi ligjin, që ka karakterizuar tranzicionin tonë. Ky raport ka denatyruar, dëmtuar e madje shkatërruar shumë shtylla të demokracisë që do të duhet të rivendosen me vendosjen e sundimit të ligjit.
Gazetaria profesioniste kudo në botë është në gjendje të vështirë edhe për një arsye madhore: ka ndryshuar modeli tradicional i biznesit, me hyrjen në lojë të internetit, medias online dhe rrjeteve sociale. Po në Shqipëri si e shihni këtë problem, dhe a shihni një model biznesi që është në gjendje të mbështesë një gazetari të pavarur, në interes të publikut?
Deri sot, për arsye që i cekëm në përgjigjet e pyetjeve të tjera, ne kemi zhvilluar kryesisht modelin e mediave- instrumente për influencë politike dhe përfitime ekonomike në duart e një njeriu apo një kompanie. Sekush zbret në këtë mejdan, që per eufemizëm mund ta quajnë edhe treg, me “ armen “ e tij. Kriza e shtypit të shkruar ka vite që bërtet për krijimin e grupeve mediatike, konsorciumeve, orkatërive të gjëra ku mbështetja dhe humbja eventuale financiare shpëndahet. Unë e kam tentuar njeherë ketë model këtu e njezet vjet përpara. Ka qenë e parakohshme ateherë, por koha po vjen. Koha e tregut të lirë thërret median e grupeve mediatike me shumë ortakë.
–Si do ta shihnit qasjen e medias ndaj problematikës së korrupsionit në vend dhe a gjykoni se gazetaria investigative mund të bëjë më shumë në këtë drejtim?
Shembulli i rrjetit të gazetarëve investigative BIRN ilustron më së miri vlerën e jashtëzakonshme të kësaj gazetarie. Nuk jam për kultin e investigimit, gazetaria është shumë me shumë se investigim, por në kontektin e përmasave që ka korrupsioni në Shqipëri, gazetaria investiguese dhe analitike është ajo që mban nderin dhe lavdinë e këtij profesioni. Ka përpjekje edhe në media të tjera, nga gazetarë të pavarur kurajozë dhe profesionistë. Në revistën “Monitor” përshembull, gjen shkrime shumë interesante për tema ekonomike që fqinjërojnë me investigimin. Ka gazetarë, ka edhe projekte, por investigimi kërkon kohë, rrjedhimisht mbeshtetje financiare më domethënëse. Një media e pavarur me dhjetë apo njëzet orakë, që “nuk i njihet” pronari për këtë shkak do të kishte lirinë dhe mundësitë për të mbështetur projekte të gazetarisë investigative.