Nga Ferdinand Dervishi
Shqiptarët e interesuar janë përballur me informacione tek-tuk të historisë së Gazmend Muçës, të fortit të Tiranës, i cili u bë i njohur menjëherë pas përmbysjes së sistemit komunist. Por cila është e vërteta, ku përfundon realiteti dhe nis legjenda?
Drejtues i një grupi bashkëmoshatarësh të rrugës “Bardhyl”, fama e tij do të kapërcente kryeqytetin në gusht të vitit 1991, pas lajmeve që emetoi eksodi masiv në drejtim të brigjeve italiane.
Saktësisht fama do të vinte përmes rrëfimit gojë me gojë të disa episodeve të udhëtimit të Gaz Muçës dhe grupit të tij, me anijen “Vlora”, në drejtim të portit të Barit, në Itali, dhe sidomos pas ngjarjeve të dhunshme dhe rrëmujshme në stadiumin “Victoria” të këtij qyteti, që të gjitha të pasqyruara në televizionet kryesore italiane.
Në fillim të vitit 1992, kur Gazmend Muça ishte kthyer në Shqipëri, emri i tij, si një bandit që “vret e pret në Tiranë” do të përmendej në Parlament nga deputeti Azem Hajdari – një tjetër episod ky, që shtoi edhe më tepër shpejtësinë e ngritjes përqiell të famës.
Por kush ishte me të vërtetë Gazmend Muça?
A ishte ai një bandit apo kapobandë që vriste e priste përditë, apo gjithçka që perceptohej ishte e ekzagjeruar?
Si u mundësua që, në dy vite të vetme postdiktaturë, shqiptarët të përballeshin me një mikrokriminalitet në rritje të ethshme dhe krejt jashtë kontrollit?
Cilat ishin ngjarjet që do të thyenin ligjet e hekurta të kontrollit absolut policor të kohës së diktaturës?
Ekspertët e policisë së kësaj periudhë kohore janë të mendimit se thyerja e madhe do të ndodhte për shkak të mëkateve të politikës dhe sidomos pas vrasjeve të 4 prillit 1991 në Shkodër. Sipas tyre, pikërsht pas kësaj ngjarjeje autoriteti i policisë ra përtokë, ndërkohë që vendin e lënë bosh e mbushi me shpejtësi mikrokriminaliteti.
Gazmend Muça, i vitlindjes 1969, djali i një berberi me origjinë nga Kavaja, ishte bërë i famshëm mes bashkëmoshatarëve të vet të rrugës “Bardhyl”, qysh në vitin 1985, në moshën 16-vjeçare, pikësëpari për shkak të aftësive fizike.
Kjo sepse adoleshenti Gaz Muça i kishte injektuar vetes besimin e një njeriu fizikisht të pathyeshëm.
Ai duhet të dilte fitues me çdo kusht në ndeshjet e boksit tek e tek mes bashkëmoshatarëve. Edhe po të mundej, ai do vijonte ti ftonte të tjerët në duel derisa një ditë ti ulte në tokë. Më tej, të gjithë ata që rrihte, i bënte miq.
Atraksioni i parë i Gaz Muçës rrëfehet të kenë qenë pëllumbat. Në shtëpinë përdhese të prindërve, që gjendej diku mes zonës që quhet “Xhamlliku” dhe spitalit të fëmijëve, qëllonte që ai të kishte në pronësi edhe 300 pëllumba njëherësh.
Rregullat ishin të ashpra; “Ti s’mund të kesh pëllumba më të bukur se të mitë! Pëllumbat e tu, ose bëhen të mitë, ose do të shfarosen!”
Kënaqësia tjetër e madhe e Gazmend Muçës, sigurisht e ndikuar nga filmat e shumtë artistikë me tematikë betejat e Mesjetës, që televizioni i vetëm shqiptar transmetonte, ishte kalërimi dhe mundësisht pjesëmarrja në ndonjë garë me kuaj.
Por kishte edhe gara të rrezikshme, si për shembull; të rrëzoje kalin përtokë duke e goditur me një grush të vetëm. Si të kopjonte skenën e një filmi western, rrëfehet se Gazi e kishte bërë këtë, duke e hedhur në tokë një kalë të ndërmarrjes komunale.
Gazmend Muça do ta paguante shtrenjtë dëshirën për të kalëruar. Ngjarja kishte këtë rrjedhë: Në vitin 1988, në moshën 19-vjeçare Gazi vjedh një kalë në fermën “Gjergj Dimitrov” të Saukut, por duke zbritur në rrugën e Elbasanit, përplasen me një kamion. Gazi shpëton mrekullisht, por kali ngordh.
Gjykata e dënon Gazmend Muçën me 8 muaj burg “për dëmtim të pasurisë socialiste”. Për habi, shteti i kohës vendos ta mbyllë të fortin e rrugës “Bardhyl” në burgun e Spaçit.
Gazmend Muça kthehet në Tiranë në vitin pasardhës, 1989. Miqtë rrëfejnë se burgu, jo vetëm që e kishte pjekur, por i kishte shtuar edhe famën.
Pikërisht në këtë periudhë Gaz Muça nis të shfaqet, fillimisht në lagjen e vet, dhe më tej, në gjithë Tiranën, i shoqëruar me një grup djemsh që nuk ta përtonin grushtin turinjve, apo një majë thike.
Po kaq shpejt, grupi i Gaz Muçës i qaset edhe lekut. Dëshmohet se fillimisht të hollat i nxirnin me anë të trukimeve të lojës së bixhozit, ndërsa më pas nisnin t’i bien shkurt:
Nisin të sulmojnë pikat ku luhej bixhoz në momentin kur loja përfundonte, duke zhvatur, përmes kërcënimeve, të gjithë xhiron e të hollave.
Grupi që shfaqej me egërsinë e një tufe piranjash, përdorte thika, doreza metalike, leva hekuri. Kryesisht hanin dru vetëm ata që nuk e njihnin Gazmend Muçën.
Gjatë viteve 1990-1991 piranjat e grupit të Gazmend Muçës nisën të bëhen të famshëm edhe pas inkursioneve te tregu industrial, që njihet si “Pazari i Ri”. Si të ishin në mallin e tyre, aty ata zgjidhnin rrobat më të bukura, përlanin ndonjë manjetofon e të tjera.
Ndonjëherë ndodhte që, sapo grupi i të fortëve të shfaqej në krye të rrugës, të gjithë tregtarët të mblidhnin mallim dhe largoheshin në panik.
Largoftë që grupi i Gaz Muçës ti futej dikujt në lokal për të pirë ndonjë gotë! Nëse kjo ndodhte, fillimisht nga lokali zbohej e gjithë klientela, më pas harbimi dhe pirja e alkoolit direkt nga shishet vijonte gjithë natën.
Pikërisht kjo lloj sjelljeje, pas asnjë lloj kthimi mbrapsht, bën që grupi i Gaz Muçës të dallojë mes grupeve të tjera të Tiranës. Ata ishin absolutisht më të fortët. Në lagjen e tyre nuk guxonte të afrohej askush, ndërkohë që ata mund të futeshin në çdo cep të qytetit dhe të mbaronin punë, qoftë duke kërkuar, gjetur dhe rrahur vendçe, ndonjë që guxonte ti sfidonte.
Në këtë periudhë kohore dashuria e re e djemve të rrugës Bardhyl bëhen motocikletat.
Vetë Gazi përdorte një motocikletë SUZUKI të zezë, që nuk është ruajtur. Por aktualisht miqtë e tij, në kujtim të Gaz Muçës dhe kohëve të lavdishme të shkuara, e kanë gjetur një tjetër 100 për 100 identike, madje e kanë targuar dhe e mbajnë në gjendje pune.
Në hapësirën kohore të vitit 1991 fama e Gaz Muçës dhe djemve të rrugës “Bardhyl” kapërcen kufijtë e Tiranës. Pikërisht në këtë kohë, përmes miqve apo të njohurve të përbashkët, në Tiranë, me qëllim për të takuar Gazin, ndenjur pranë tij dhe mësuar prej tij, nisën të vinin dhe disa të fortë nga rrethet, emrat e të cilëve do të bëheshin të njohur, sidomos gjatë vitit 1997.
Miqtë nga rrethet, të cilët ishin të shumtë, Gazi i sistemonte për të fjetur pranë gjimnazit “Çajupi”, në një banesë bosh, që i përkiste një familjeje të larguar me eksodin e ambasadave.
Ndonjëherë, bashkë me miqtë nga rrethet, grupi, edhe 50 vetë bashkë, fiks si një pamjet e filmit “Gangsterët e Nju Jorkut”, shfaqeshin nëpër rrugët e Tiranës duke u kallur datën, së pari tregtarëve të pakicës në tregun industrial.
Në fillim të gushtit 1991, Gazmend Muça, bashkë me grupin e tij, tentojnë të emigrojnë në dejtim të Italisë.
Ata imbarkohen në anijen VLORA, të ngarkuar me sheqer, mes mijëra shqiptarëve të tjerë, që ëndërronin atë ndryshimin magjik të standartit të jetesës.
Dëshmitarët e rrëfejnë Gazmend Muçën të pranishëm në urën e komandimit të anijes, pranë kapitenit të saj, dhe sigurisht si njeriun që kishte njëfarë kontrolli mbi situatën kaotike.
Historia e ndjek pas Gaz Muçën sidomos pasi disa mijëra emigrantë shqiptarë mbyllen në brendësi të stadiumit “Victoria” të qytetit të Barit me qëllim riatdhesimin.
Situatën e ndez pikërisht lajmi për i kthimit mbrapsht në Shqipëri. Të rinjtë e mbyllur në stadium revoltohen. Reagimet, në raport me policinë, me kalimin e orëve, bëhen të dhunshme.
Ndërkohë në brendësi të stadiumit, grupi i Gaz Muçës nis të bëjë ligjin. Policia dhe asistentët e Kryqit të Kuq detyrohen të largohen. Kaosi shtrohet këmbëkryq.
Miqtë rrëfejnë se në mes të rrëmujës së krijuar, Gaz Muça arriti të vendoste të paktën një rregull, të cilin nisën ta respektonin të gjithë: Falë tij, ushqimet, që hidheshin nga ajri me helikopter, u ndaheshin së pari fëmijëve dhe grave.
Por, situata bëhet tejet e rrezikshme kur grupi i Gazit thyen dyert e një ambienti në brendësi të stadiumit duke zbuluar një depo armësh zjarri.
Ishte një arsenal i tërë, përfshirë automatikë, pistoleta deri edhe pushkë snajper.
Pak minuta më pas, krismat në ajër nisin të terrorizojnë, jo vetëm shqiptarët në brendësi të stadiumit, por edhe policinë rreth tij.
Shpejt perimetri i stadiumit rrethohet nga forca policore dhe ushtarake.
Por aventuta vazhdon. Dikur Gaz Muça me grupin, të gjithë të armatosur, hipin në një autobus dhe tentojnë të çajnë kordonet e policisë me qëllim për tu arratisur, por pengesat me blloqe betoni i ndalojnë.
Pas bllokimit nisnin tratativat oër bisedime. Të gjitha marrëveshjet duhet të bëheshin përmes Gazmend Muçës, i cili më pas intervistohet edhe nga të gjitha mediat italiane.
Por, vetë Gazmend Muça, do të ishte zot i stadiumit për pak kohë. Pas dy ditë-netësh, fshehurazi, ai arrin të largohet dhe të niset drejt Francës.
Ndërkohë grupi mbetet, duke e humbur shumë shpejt kontrollin e situatës.
Të paktën dy kaçurrelsë të tjerë, një nga të cilët Arjan Hoxha, një kushëri i Gazit nga Kavaja – nisën të hiqeshin sikur ishin Gazmend Muça. Dhuna dhe plagosjet sidomos me armë të ftohta, nisën të shtoheshin duke përplotësuar atë jehonën e revoltës së dhunshme të emigrantëve shqiptarë në stadiumin “Victoria” të Barit.
Gazmend Muça kalon pak muaj në Francë dhe Gjermani, mes miqsh, por nuk bindet që të nisë jetën e një emigranti. Duket, jeta mes aventurash dhe gjithçka e arritur në Shqipëri, e joshte më tepër, e tërhiqte pas.
Përfundimisht, pas 4-5 muajsh, në fund të vitit 1991, Gazmend Muça kthehet në Tiranë, ku krejt papritur përballet me famën e vet të shumëfishuar.
Fillimi i vitit 1992 e gjen shoqërinë e Gaz Muçës të zgjeruar.
Veç grupit të fortëve, ai kishte shoqëri edhe me pjestarë të forcave speciale të Policisë e të tjerë personazhe, që vite më vonë do tu vinte radha të bëheshin të njohur.
Ndërkohë poshtë, në qytet, partitë politike kishin nisur fushatën për zgjedhjet e Parlamentare, që do të mbaheshin më 22 mars 1992.
Pikërisht në këtë periudhë Gazmend Muça bën një lëvizje që me gjasa do i kushtonte shumë.
Në një rast, i thirrur nga disa miq gardistë, ai ndihmon Partinë Socialiste të përmbyllë një miting të shoqëruar me antimiting, ku një grup të rinjsh i kishin sulmuar me gurë e me leva.
Pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhje, nuk dihet se pas çfarë shtyse, apo argumenti, deputeti Azem Hajdari, gjatë një fjalimi në Parlament nis të akuzojë policinë që nuk arrestonte të fortin e Tiranës – Gazmend Muçën, i cili “vriste e priste” në lagjen e tij.
Sipas miqve, Gazmend Muça ishte acaruar së tepërmi. Ai i kishte i çuar fjalë Azemit se, kur ta mbërthente, do ja qethte flokët tullë.
Policia e merr në mbrojtje deputetin Azem Hajdari deri në realizimin e një takimi mes të dyve.
Njeriu që bën bashkë dhe ul në bisedime Gazmend Muçën me Azem Hajdarin, do të ishte një tjetër i fortë i Tiranës – Nehat Kulla.
Madje edhe takimi mes të dyve realizohet diku në periferi të Tiranës, në zonën që kontrollohej nga Kulla.
Sipas dëshmitarëve, biseda kishte nisur me tone të ngitura, më pas të dy ishin shtruar, duke u ndarë si miq.
Por për Gazmend Muçën nuk kishte mbetur shumë kohë. Në fillim të prillit 1992, një incident i rëndomtë, do ti ndërpriste udhëtimin e jetës.
Shkak për incidentin do të bëhej Landi, vëllai i Gazmend Muçës.
Ngjarja nis në afërsi të stacionit të trenit, rreth orës 11:00 të datës 7 prill 1992, kur Land Muça dhe Gent Hajdari, tentojnë t’i marrin motocikletën, një VESPA të bardhë, një të njohuri të tyre.
Ngjarja zhvillohet në prezencë të Franc Konomit, një tjetër të forti të Tiranës, të cilin Gaz Muça dhe grupi i tij, nuk e konsideronin.
I ndier i fyer, Franc Konomi e zgjedh t’i japë një shpullë Land Muçës.
Ndërkohë Gazmend Muça, 7 prillin 1992, ditën e fundit të jetës, e kishte nisur me realizimin e disa fotografive, që do të ishin, po ashtu, të fundit.
Më tej, rreth orës 12:30, Gazi i hipën makinës së vet, një Opel-i me targa gjermane, dhe shkon të blejë bojë, pasi i ishte fiksuar që ta lyente me ngjyrë të bardhë.
Për fatin e keq të tij, ndërmarrja kartografike, ku u ble boja, gjendej përballë shtëpisë së Naim Zyberit.
Incidentin me Franc Konomin Gazit ja rrëfejnë orës 14:00. Ai nuk humb kohë për të marrë hak. Por Francin nuk e gjejnë as në lagje, as nëpër pikat e zakonshme të bixhozit.
Në mimutat e fundit të jetës, rreth orës 17:00, Gaz Muça gjendej te “Xhamlliku”, ku një tregtar makinash sapo kishte sjellë një “Ford Sierra”, që Gazi e kishte pëlqyer dhe po i prishej mendja ta blinte.
Pikërisht në këto çate pranë tij ndalon një autoveturë, nga ku zbret Naim Zyberi me kallashnikov në duar.
Ja dhe përshkrimi i ngjarjes sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që dënonte të pandehurin Naim Zyberi për vrasjen e Gazmend Muçës.
“Në datën 7 prill 1992 pasdite, rreth orës 18, i pandehuri Naim Zyberi ka qenë duke udhëtuar me një automjet të tipit OPEL, makinë të cilën e drejtonte shtetasi i quajtur Franc Konomi. Me makinë ata shkojnë në rrugën “Qemal Stafa” dhe ndalojnë tek lokali i quajtur “Xhamllëku”, përballë shatërvanit, ndërkohë në krahun tjetër të rrugës, përballë automjetit me të cilin ishte i pandehuri, ndodhej viktima Gazmend Muça.
Në këtë moment, ky i fundit, viktima, niset për të dalë në krahun tjetër të rrugës. Në këtë kohë, i pandehuri Naim Zyberi zbret nga dera e dytë e makinës (e pasme) dhe me automatik model 56 qëllon dy herë me breshëri në drejtim të viktimës Gazmend Muça, duke e dëmtuar atë në pjesë të ndryshme të trupit.
Makina me vrasësit erdhi nga unaza, kaloi në vendin ku gjendej Gazi, u kthye mbrapsht rreth 100 metër me lart dhe ndaloi përballë grupit të njerëzve që rrethonin Gazmend Muçën. Dëshmitarët tregojne se Gazmend Muça edhe pse e pa Namimin me kallashnikov në duar, nuk bëri asnjë hap pas, duke i pritur plumbat ballazi, ndërkohë që gjithë të tjerët ishin larguar në panik.
Sa është kuptuar më pas, organizatori i vrasjes ishte pikërisht Franc Konomi, që ishte frikësuar nga hakmarrja e Gazit për shpullën ndaj të vëllait, Rolandit.
I njohur për veprime tinzare, ai kishte futur në lojë Naim Zyberin, duke i mbushur mendjen se Gazmend Muça kërkonte ta vriste.
Naim Zyberi besohet të jetë bindur pasi ka verifikuar se, atë ditë, vërtet Gaz Muca kishte qenë në afërsi të banesës së tij, saktësisht te ndërmarrja kartografike, ku kishte shkuar për të blerë bojë.
Naim Zyberi, ekzekutori i drejtpërdrejtë t Gazmend Muçës, u arrestua pak muaj më pas, më 10 shtator 1992.
Gjatë zhvillimit të gjyqit, që do e dënonte me 25 vite burg për vrasje, ai u mundua të luante kartën e papërgjegjshmërisë mendore, por dështon. Të dhënat janë pasqyruar në vendimin e dënimit.
“Por nga ekspertimi i fundit i bërë gjatë hetimit të çështjes penale për vrasjen e qytetarit Gazmend Muça, del që janë marrë në analizë nga një komision i gjerë eskpertësh edhe dy aktekspertizat e mëparshme dhe në përfundim, pas observimeve për një kohë të gjatë të të pandehurit, është konkluduar qartë dhe shprehimisht se ai – i pandehuri Naim Zyberi, jo vetëm në kohën e kryerjes së krimit, por edhe disa muaj përpara, ka qenë në gjendje normale mendore.
Disa vite më pas, më 1998, Franc Konomi, i akuzuari tjetër për vrasjen e Gazmend Muçës, arrin t’ja hedhë drejtësisë.
Si të ecte mbrapsht në performancën e saj, drejtësia shqiptare e kohës, dështon të gjejë prova për implikimin e tij në vrasje, duke pranuar një version, sipas të cilit, Franc Konomi ishte marrë peng nga Naim Zyberi. Argumenti lexohet në vendimin e pushimit të akuzave ndaj Konomit:
“Pas kryerjes së vrasjes nga i dënuari Naim Zyberi, ky i fundit ka hipur përsëri në sediljen e pasme të makinës së tij, që e drejtonte i pandehuri Franc Konomi dhe kur ka dëgjuar të pandehurin që po e pyeste për motivet qe e shtynë të kryente aktin dhe nuk po lëvizte mjetin, i dënuari Zyberi i ka vënë pas koke të pandehurit Franc Konomi automatikin, që ende e mbante në dorë, duke e urdhëruar atë që të ngiste mjetin me shpejtësi, ose ndryshe do e vriste edhe atë”.
Ceremonia e varrimit të Gazmend Muçës ishte madhështore. Edhe pse binte shi i fortë, për ti dhënë lamtumirën djaloshit 23 vjeçar, shkulet gjysma e Tiranës, duke realizuar një procession të ngjashëm vetëm me atë të Enver Hoxhës.
Gazmend Muça mbahet mend si gangsteri që të binte me grusht. Ai ishte pasonjësi më i denjë i brezit të vjetër të të fortëve të Tiranës që bënë emër gjatë diktaturës. “Frikacaku të vret, trimi të bie me grusht” – thoshte Gaz Muça, që duket se e kishte të vështirë të kuptonte se kohët kishin ndryshuar dhe se tashmë mund të të vriste edhe një kalama.
Ekzekutimi i Gaz Muçës do të mbyllte një epokë. Me vrasjen e tij mund të thuhet se përfundoi epoka e dominimit të të fortëve që e fitonin famën përmes guximit dhe forcës fizike, për ti hapur rrugën nisjes së një epoke të re, të një lloji tjetër të fortësh, të cilët, në vend të grushtave, do të përdorinin armët e zjarrit, në vend të burrërisë – intrigën dhe pabesinë.
Për tu habitur është se si, akoma sot, imazhi i tij, rinia e shprehur, buzëqeshja e ndrojtur, kujtohen me nostalgji, jo vetëm nga ata që e patën të afërm, mik apo shok, por edhe nga të gjithë ata që e njihnin në distancë, qoftë të konceptuar si të fortin e rrugës “Bardhyl”.