20 vjet më parë, në 11 Shtator 2001, një sulm terrorist rrëzoi dy kullat e famshme binjake në Qytetin e Nju Jorkut (New York City) dhe vrau mijëra amerikanë. Mes të vrarëve ishin edhe tre shqiptaro-amerikanë Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj, dhe Simon Dedvukaj. Tre njerëz të dashur për familjet dhe komunitetin tonë. Tre dëshmorë që nuk do të harrohen kurrë.
Për t’i kujtuar po ribotojmë këto pjesë nga libri “Shqiptarët e Amerikës” i botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami.
NJERIU NUK TREMBET NGA PASIONI I VET
Rrok Camaj – pastrues i dritareve në katin 107 të Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë
NEW YORK
Njeriu për të cilin shkruhen këta rreshta, për nga profesioni është i jashtëzakonshëm.
Rrok Camaj, nga Sukrugji i Malësisë së Mbishkodrës, që nga viti 1975 pastron xhamat e jashtëm të dritareve të Qendrës Botërore të Tregtisë (World Trade Center), në New York. Për ta bërë këtë punë, atij i vjen në ndihmë makina e madhe automatike që komandohet nga kulmi i ndërtesës. Ajo arrin nga kati i sipërm, deri në katin e nëntë dhe kthe- het lart për gjysmë ore. Vetëm katin e 107-të të ndërtesës, makina nuk mund ta pastrojë për shkak të përmasave të xhamave. Ata janë më të mëdha se xhamat e kateve të tjera dhe vetëm Rrok Camaj dhe ndihmësi i tij, Jimmy Meehan, mund t’ua heqin blozën “binjakeve” tri herë në vit. Në një proces pune, që zgjat çdo herë nga dy javë, ata i pastrojnë me dorë 516 xhama nga 43600 sa kanë gjithsejt ndërtesat e mëdha.
Rrok Camajn e takova në vendin e punës më 1996. Për disa minuta, nga kulmi i qiellgrryesit nr. 1, soditëm tokën. Para nesh u shfaq Manhattan-i, Statuja e Lirisë, urat e gjata të New York-ut, aeroporti Kennedy, New Jersey. Njerëzit poshtë të duken si miza, qenie fare të vogla, që mezi i shquan. Në kulmin e ndërtesës, Camaj më tregoi si operon makina e tij e madhe, pastaj u fut në njërën prej dy “shportave” të çelikta që shërbejnë për të zbritur ai dhe kolegu i tij poshtë, në katin 107, për të pastruar xhamat me dorë.
– A mund të futem edhe unë në atë “strofull” për të parë si duket qyteti? – e pyeta Rrokun me një dëshirë të fshehtë, por jo pa frikë.
– Jo! Askush, përveç meje dhe Jimmy-t, nuk ka të drejtë të hyjë në të. Madje, as shefi im, – ma preu shkurt dhe prerë.
Për punën që bën, shumëkush Rrok Camajn e ka quajtur “crazy” (i krisur).
“Nuk frikësohesh? Nuk të merren mendtë nga tërë kjo lartësi? Po sikur të ndodhë një defekt në mak- inë…?”, e kanë pyetur gazetarët e të afërmit. Rroku u është përgjegjur gjithnjë duke qeshur:
– Kjo është punë shumë e lehtë dhe nuk më frikëson fare. Jam mësuar, më duket e lehtë si buka që ha…
– Nuk të trembin lartësitë? – e pyes unë.
– Njeriu nuk mund të trembet nga pasioni i vet. Tradita e familjes sonë ka qenë të mos u trembemi lartësive. Vëllai im, Pjetri, i cili jeton në Belgjikë, ka qenë parashutist në Mal të Zi, – thotë Camaj, duke u
përgatitur për të hyrë në “shportën” e tij të punës. Gazetat “The New York Times”, “Daily News” e të tjera, që botohen në New York e shtete të tjera të botës, kanë shkruar shumë herë për Rrok Camajn. Kjo e fundit, më 24 prill 1980 i kushtonte atij dy faqe. Më 1995, Keith Elliot Greenberg dhe Bob Strong botuan një libër 32 faqesh për Camajn, të ilustruar me fotografi.
***
Rrok Camaj erdhi në New York më 1969 me zonjën e tij, Katrinën. Si të gjithë shqiptarët e tjerë që kishin mërguar në atë kohë në Amerikë, të shtyrë nga vështirësitë ekonomike dhe trajtimi jo i drejtë i tyre nga pushteti malazez, ai nuk dinte gjuhën angleze dhe nuk kishte ndonjë përgatitje profesionale që do t’i hapte lehtë rrugën për të gjetur punë. Pas peripecive të para, me të cilat ndeshet çdo emigrant i ardhur në Amerikë, më në fund ai gjeti punë si ndihmëskujdestar i një ndërtese në Manhattan. Më vonë Camaj e la këtë punë dhe filloi në aeroportin “Kennedy” të New York-ut. Katër vjet pastroi dritaret e këtij aeroporti të madh, derisa në mars 1975 gjeti punë në “binjaket” e New York-ut, vetëm dy vjet pasi ato u përuruan në një ceremoni që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Këto dy ndërtesa, në atë kohë, ishin më të lartat në botë. Më shumë se 350 kompani kanë zyrat e tyre në këtë qendër të madhe të biznesit, në të cilat punojnë rreth 50 mijë vetë të profesioneve të ndryshme. Rreth 70 mijë turistë vizitojnë për çdo ditë qiellgërryesit e New York-ut, të cilat i japin “kryeqytetit” të botës një pamje të mrekullueshme.
– Të kujtohet dita e parë e punës? Pate frikë? – e pyes Rrokun.
– Ditën e parë, kur erdha të punoj në këtë ndërtesë gjigande, u pendova, – përgjigjet ai. “Kjo nuk është punë për mua”, – i thashë kryepunëtorit, i cili ma ktheu: “Eja provo edhe nesër”.
Ditën e dytë, Camaj vendosi të fillonte punën. “Që sot jam punëtor i juaj”, i tha kryepunëtorit. Por, më vështirë se të vendoste për të filluar punën këtu, Rroku e kishte të vështirë t’u tregonte gruas e fëmi- jëve që kishte zgjedhur këtë profe- sion “në qiell”, siç do të shkruante një gazetar. E shoqja e pyeti shumë herë se ku kishte filluar të punonte, ndërsa ai nuk ia thoshte të vërtetën dhe i tregonte adresa të tjera. Për dy vjet Rroku e mbajti sekret nga familja vendin e punës, deri kur gazeta “Daily News” e bëri të njohur për lexuesit e saj, shqiptarin e Malësisë së Mbishkodrës. Atëherë, gruaja dhe fëmijët e tij erdhën e u ngjitën në katin më të lartë të ndërtesës e pastaj edhe në kulm fare për të parë se si e ku punonte njeriu i tyre, që druhej t’u tregonte të vërtetën.
Rroku sot fiton 769 dollarë në javë, 75 dollarë më shumë se pastruesit e kateve të ulëta, për shkak se punon në lartësi të madhe. Atje klima ndryshon nga toka. Ndodh që të bjerë borë kur në qytet ka mot me shi, apo edhe e kundërta që në tokë të bjerë shi e atje të shkëlqejnë rrezet e diellit. Ndaj dhe Rroku shpeshherë, në vendin e punës “rrezitet” në diell, ndërsa qytetarët e New York-ut mezi mbrohen me çadra nga shiu i rrëm- byeshëm. Kur gjysma e ndërtesës është e “zhytur” në shtëllungat e reve, nga lartësia ato i ngjajnë me figura të ndryshme të natyrës së bukur, herë si malet e Malësisë e herë si fusha e Cemit.
Ai thotë me shaka se është edhe punëtor, edhe shef. – Askush nuk më përzihet në punë, – pohon Rroku.
Puna i sjell kënaqësi kur kryepunëtorët i thonë se dritaret janë pastruar si jo më mirë.
Shpeshherë ka ndodhur që gjatë punës të ndër- pritet rryma në “shportën” që e mbart poshtë e lart dhe ai ka mbetur për një farë kohe në hapësirë.
– Dimrit, – thotë ai, – mund të ketë rreziqe, për shkak të erës nga e cila, nganjëherë, s’mund të hapësh as derën për të dalë jashtë. Ndaj ai preferon të punojë më mirë paradite, kur ka më pak erë, se sa në orët e pasditës, kur zë e fryn era e fortë, aq sa njëherë i hoqi kapelën, e cila humbi në hapësirën e pafund.
– Do të ketë rënë diku në Kanada, – thotë duke qeshur Rroku dhe shton: – Një monedhë metalike, nëse bie në kokën e dikujt në tokë nga kjo lartësi, mund të jetë vdekjeprurëse.
Vetëm dy herë është frikësuar Rroku gjatë 21 vjetëve të punës në Qendrën Botërore të Tregtisë: ditën e parë të punës dhe kur terroristët hodhën bombën në bodrumin e ndërtesës, nga shpërthimi i së cilës vdiqën disa njerëz dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.Rrok Camaj në kulmin e një prej kullave binjake, ku punonte.
Ishte mesdita e 26 shkurtit 1993, kur Rroku dëgjoi një dridhje të lehtë të ndërtesës, që u pasua me fikjen e dritave elektrike. Mund të jetë ndonjë defekt në katin e sipërm, kishte menduar ai. Më vonë dalloi tymin që vinte nga ana e poshtme dhe futej si një gjarpër në të gjitha pjesët e ndërtesës. Pastaj dëgjoi klithmën e njerëzve, thirrjet për ndihmë.
– Nuk shpresova se do të shpëtoj i gjallë, – thotë Rroku, i cili zbriti përmes shkallëve pas 3 orë e gjysmë, me frymë- marrje të vështirësuar nga gazrat që kishin shpërthyer.
– Kur dola nga ndërtesa, fytyra ime ishte nxirë, e zezë sterrë. Kjo ka qenë dita më e vështirë në jetën time, – thekson ai.
Në dy ndërtesat më të mëdha të New York-ut kanë ndodhur disa ngjarje të jashtëzakonshme që tani kujtohen si kuriozitete. Më 1977, George Willing “pushtoi” ndërtesën 107 katëshe. Në orën shtatë të mëngjesit ai kishte filluar t’u ngjitej mureve të jashtme të ndërtesës. Kur i kaloi 30 “feet” (këmbë) rrugë vertikale, arritën policia, zjarrfikësit, ambu- lanca dhe i thirrën: “Zbrit poshtë!” Willing nuk iu bind urdhërave të askujt dhe vazhdoi të ngjitej deri në katin më të lartë të ndërtesës me kukëza e kuka, me litarë e një trastë, hap pas hapi për katër orë e 30 minuta. Në tokë, kuj- ton Rroku, ekipet shpëtuese krijuan një balonë të madhe me ajër që, nëse “njeriu i krisur” do të binte poshtë, të shpë- tonte i gjallë. Njerëzit që e vështronin prej së poshtmi dhe ata që punonin në ndërtesë dyshonin se mos ky njeri në trastë mund të kishte ndonjë bombë. Vetëm kur Eilling arri- ti në majë, ku e priste policia, morën frymë lirisht. “Pushtuesin” e ndërtesës më të madhe në botë e dërguan në spital për të kontrolluar gjendjen e tij psikike, ngaqë dyshonin se qe i çmendur.
– Parashikimi doli i gabuar, – thotë Rroku. – Willing, nga Queens-i, ishte njeri krejt normal, bile me kolegj të kryer.
Kuriozitete të tjera: Në gusht të vitit 1974, Philippe Petit nga Parisi lidhi një kabllo ndërmjet dy ndërtesave dhe kaloi mbi të; ndërsa më 23 korrik të vitit 1975, Owen Quinn parashutoi nga ndërtesa veriore.
Edhe Rrok Camaj, i cili u heq blozën nga “sytë” bin- jakëve të New York-ut, për shumë njerëz është kuriozitet më vete.
P. S. Rrok Camaj humbi jetën në vendin e punës nga pasojat e akteve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ai i përjetoi dy herë aktet e terroristëve në këtë qendër: më 1993, kur ata hodhën bombat në ndërtesa dhe herën e dytë, kur i sulmuan ato me aeroplanë më 11 shtator 2001.
Në ditën tragjike ai shkoi me kohë në punë, si zakonisht. Në orën 9 e 15 minuta të mëngjesit, pasi ndërtesa ku punonte u godit me aeroplan, ai kishte telefonuar në shtëpi nga kati 105 dhe kishte biseduar me të shoqen, Katrinën.
– Unë jam shëndosh e mirë. Në dorë të Zotit jemi e çka të bahet, le të bahet. Pa marrë parasysh se çdo të ndodhë, të lutem mos i shqetëso fëmijët! – ishin fjalët e fundit të Rrokut.
Rrok Camaj ishte trim me plot kuptimin e fjalës, sepse punën e tij pak kush mund ta bënte. Pastrimi i dritareve të katit 107, ishte i mbarsur me rreziqe.
MON GJONBALAJ E KISH LËNË AMANET TË VARROSEJ NË VUTHAJ…
Mon Gjonbalaj kujdesej për pastrimin e zyrave në ndërtesën numër 2. Më 11 shtator, si përherë, ishte nisur në orën 5 të mëngjesit për të shkuar në punë. Kishte 29 vjet që punonte në katin 86.
– Babai zakonisht shkonte në punë një orë para orarit. E ka dashur shumë punën, por edhe shokët me të cilët kalonte shumë mirë. Babai ishte 65 vjeç. Për shkak të moshës mund të kishte dalë në pension, por nuk i pëlqente të ndahej nga puna. Disa minuta pasi terroristët sulmuan ndërtesën e parë, ai telefonoi në shtëpi dhe bise- doi me vëllanë, Bekimin, i cili në atë moment po ndiqte kanalin televiziv CNN, – tregon biri i tij, Salihu.
– Diçka ka ndodhur këtu. Një bombë ka eksploduar në ndërtesën tjetër, – ishin fjalët e Monit.
– Nuk është bombë, por është aeroplan, – ia ktheu Bekimi.
-Aeroplan?! – kishte pyetur i habitur Moni dhe kishte shtuar: – Do t’ju telefonoj përsëri.
Në orën 9 e 9 minuta Moni telefonoi sërish në shtëpi.
Kësaj here bisedoi me Albianën, bashkëshorten e Bekimit.
– Gjendem në katin 86, – tha Moni – Jemi blokuar të gjithë. Nuk shohim tjetër, veçse tym. Nuk di a do të shihemi më. Të keni kujdes veten dhe familjen.Mon Gjonbalaj (djathas) me bashkëshorten Hanifen (e dyta nga e majta) dhe djemtë: Selimin, Salihun e Bekimin dhe vajzën Shkurtën (fotografie e fundit, dalë në maj 2001). Nga libri “Shqiptarët e Amerikës” i autorit Vehbi Bajrami
Për gjashtë javë familja e tij jetoi me shpresë se ai do të kishte shpëtuar. Tre djemtë gati për çdo ditë shkonin në spitalet e New Jersey-t, New York-ut e Connecticut- it për të marrë ndonjë lajm për babanë e tyre. Sa më shumë që zgjaste kjo pritje, aq më shumë shtohej dhim- bja për të. Të afërmit e Monit nga Vuthajt e Kosova erdhën në Amerikë për t’ia bërë më të lehtë dhimbjen familjes.
Nipi i Monit, Samidi, 11 vjeç, i tha një ditë xhaxhait të vet Salihut se kishte diçka për t’i treguar. Ishte një ëndërr që i forcoi bindjen familjes Gjonbalaj të hiqnin dorë nga pritja e të bindeshin se Moni kishte vdekur.
“E kam parë në ëndërr Bacin (kështu e thërriste nipi Monin). Më tha që t’u them të gjithëve se nuk mundeni të më gjeni dot. Mos të më kërkojnë më. Bacit i shkuan lotët faqeve se e dinte sa vështirë e kishim pa të”, tregoi ëndrrën e tij Samidi.
Pas gjashtë javësh, familja Gjonbalaj hapi derën për ngushëllime. Mijëra vetë nga New York-u e shtete të tjera të Amerikës morën pjesë në atë ceremoni. Po ato ditë, kryebashkiaku i qytetit, Rudolph Giuliani e kongresistja Nita Lowery, i dërguan letër ngushëlluese familjes Gjonbalaj.
– Më ka mbetur peng se babai kishte dëshirë të varrosej në Vuthaj, ku edhe kishte lindur. Kur të gjenden eshtrat e tij do t’i çojmë atje. Ky do të jetë një ngushëllim i vogël pas tragjedisë së madhe që përjetuam, – thotë Salihu.
Mon Gjonbalaj la pas bashkëshorten, tre djem, një vajzë dhe tetë nipa e mbesa.Viktimat e akteve terroriste në vendin e tragjedisë u përkujtuan me ceremoni të ndryshme më 11 shtator 2002. Familja Dedvukaj kishte përgatitur një kurorë lulesh të dekoruar me foto të Simonit nga fazat e ndryshme të jetës.
LUMTURIA E TIJ I BËNTE TË TJERËT TË LUMTUR
Simon Dedvukaj është viktima e tretë shqiptare e akteve terroriste. Ai punonte si mbikëqyrës i punëtorëve në kompaninë e pastrimeve “ABM”, në ndërtesën numër 2, kati 27.
Xhaxhai i tij, Dedë Dedvukaj, thotë se Simoni ka telefonuar në shtëpi në orën 8 e 30 minuta të mëngjesit dhe prej asaj kohe nuk u dëgjua më.
Në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, në New York, disa ditë pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, u bë një ceremoni madhështore fetare për të ndjerin.Simon dhe Elizabeta Dedvukaj ditën e martesës.
Pas një viti të vdekjes tragjike të Simonit, Kodi Biologjik konstatoi eshtrat e tij.
Më 21 shtator 2002, me një ceremoni madhështore u bë varrimi i eshtrave të Simonit në New York. Rreth 3500 vetë, të krishterë e muslimanë, morën pjesë në atë ceremoni. Vetëm nga Detroiti kishin ardhur qindra bashkatdhetarë.
Kushëriri i tij, Kanto Dushaj nga Detroit-i, tha për gazetën “The Journal News”: “Dy vjet më parë ne erd- hëm këtu për një rast shumë të gëzuar, për martesën e Simonit. Tani, ashtu sikurse edhe një vit më parë, ne jemi këtu për një ngjarje shumë të trishtueshme. Vdekja e Simonit na e coptoi zemrën”.
Vëllai i tij tha se Simoni preferonte më tepër të qën- dronte me nipat e mbesat, sesa të dilte e të argëtohej nëpër qytet.
“Ai ishte një djalë shumë i mirë. Lumturia e tij i bënte edhe të tjerët të lumtur”, tha ai.
Pas një viti nga vdekja e Simonit, Kodi Biologjik konstatoi eshtrat e tij të cilat u varrosën më 21 shtator 2002.
Tri rastësitë që shpëtuan babanë shqiptar dhe dy vajzat e tij nga tragjedia e 11 Shtatorit
Bardhyl Quku dhe dy vajzat e tij mbetën gjallë falë rastësive të asaj dite…Daniella qe në katin e 73-të kullës së dytë, Lori pat shkuar tek dentisti, ndërsa Bardhyli qe vonuar në punë.
Nga Vehbi Bajrami
NEW YORK
Kur dëgjova lajmin e parë për tragjedinë e 11 shtatorit, mendja më shkoi menjëherë tek shqiptarët që punonin në Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë. Vallë, a do të kenë shpëtuar? Unë njihja tre prej tyre: Bardhyl Qukun, nënpresident i një kompanie investimesh dhe vajzën e tij Lorin, si dhe Rrok Camajn, i cili pastronte xhamat e jashtëm të kateve më të larta të ndërtesës.
Po atë ditë u mor vesh se Rroku ishte shpallur i humbur. Pas disa ditësh u dha njoftimi për vdekjen e tij. Fatin e Rrokut e patën edhe dy shqiptarë të tjerë: Simon Dedvukaj e Mon Gjonbalaj. Ndërkaq, Bardhyl Quku pati fat tjetër. Nuk ndodhej brenda në ndërtesë, kur ngjau tragjedia. Ai e kishte zakon shpesh të shkonte në punë pas orës dhjetë. Edhe vajzat e tij, Lori dhe Daniella, qenë me fat. E para, atë ditë kishte shkuar te dentisti, e dyta, kur mori vesh për sulmin në ndërtesën nr. 1, nga kati 73 zbriti shkallët dhe doli jashtë.
– Unë isha në zyrë, kur dëgjova udhëzimet se të gjithë duhej të dilnim nga ndërtesa. Zbrita shkallët dhe, kur arrita në katin 40, dëgjova njoftimin tjetër se të gjithë duhej të ktheheheshim në vendet e punës, sepse nuk parashihej ndonjë rrezik. Mirëpo, unë sikur e parandjeva se edhe këtu do të ndodhte ajo që ndodhi në ndërtesën e parë. Me shumë mundime dola nga ndërtesa tamam në kohën kur ajo u godit, – tregon Daniella, e cila sot punon në “2 Penn Plaza” në New York bashkë me babanë, Bardhylin.
– Unë njëkohësisht përjetova tmerrin, por dhe mrekullinë, sepse arrita me kohë t’i shpëtoja vdekjes, – thotë Daniella. Ajo filloi punën në zyrën e të atit para tri vjetësh.
– Unë isha në qytetin Hoboken të New Jersey-t, duke shkuar në punë me tren, kur dëgjova për aktin terrorist në ndërtesën e parë. Tymi e zjarri shihej qartë që atje.
Pas disa minutash pamë sulmin në ndërtesën e dytë. Ne dolëm të gjithë nga treni dhe po shihnim tmerrin me sy. U përpoqa t’i telefonoja Daniellës, por lidhjet ishin bllokuar. Pas pak kohe mora vesh nga bashkëshortja se ajo kishte shpëtuar, – thotë Bardhyli.
Më 23 shtator të vitit të kaluar ai kaloi në zyrën e re në “2 Penn Plaza” në qendër të Manhattan-it, bashkë me dy vajzat, Lorin e Daniellën. – Puna në fillim këtu ka qenë shumë e vështirë. Humba gjithë dokumentacionin që pata në zyrën e vjetër. Gjithçka duhej ta filloja nga e para, – thotë ai.
Mund të fitosh vetëm kur pranon rrezikun e mundshëm
(Shkruar përpara sulmit terrorist, kur Quku ende punonte në Qendrën Botërore të Tregëtisë, të njohur ndryshe si kullat binjake në New York)
Nga Vehbi Bajrami
NEW YORK
Në katin e 73-të të ndërtesës “World Trade Center” në New York, midis njerëzve më të njohur të botës në biznes, punon edhe një shqiptar. Të vjetrit e njohin më shumë nga babai i vet që ka qenë përherë luftëtar i devotshëm për Shqipërinë. Të tjerët mund të kenë dëgjuar për të si ligjërues për biznesin në universitete, insitute ose ngaqë kanë lexuar intervistat e tij në gazeta.
Kur në gazetën “The New York Times” para një viti e ca lexova shkrimin për shqiptarin që pastronte xhamat e jashtme të dy ndërtesave 107 katëshe të New York-ut, pyeta disa emigrantë të vjetër: “A ka ndonjë shqiptar që punon brenda në këta rrokaqiej?” Asnjë nuk e dinte se në katin e 73 -të të njërës prej këtyre “binjakeve” aq të njohura në tërë globin tokësor, bënte biznes Bardhyl Quku, i lindur në Shkodër dhe i rritur e edukuar në Amerikë.
Bardhyl Qukun e takova më vonë. Një bashkëpunëtor i gazetës “Illyria” më tregoi se cili ishte ai, ku punonte e me se merrej.
– Më shumë se për veten time, do të doja të flisja për babain tim që ishte një luftëtar i Ballit, i idealit për Shqipërinë etnike, – më tha Bardhyli në shtëpinë e tij të bukur në lagjen e pasanikëve të njohur të Amerikës në New Jersey, në Franklin Lakes, gjatë një koktejli që kishte organizuar për xhaxha Fetiun e persekutuar, mysafir nga Shqipëria dhe disa miq të tij të vjetër.
Atë mbrëmje biseduam më tepër për Faik Qukun, babain e mikpritësit. Në çdo dhomë shihja nga një fotografi të tij. Diku i veshur me uniformë e me kobure në brez, diku në kampe të Italisë e në Amerikë.
Jetën e babait të tij e ke vështirë ta përfshish në korniza të një shkrimi si ky. Ajo ishte një histori më vete: kapiten i dytë i Ushtrisë Shqiptare në mbrotjen e Shkodrës nga malazezët; i arsimuar në shkollat e larta ushtarake të Stambollit e të Parisit; përkrahës aktiv i qeverisë së Nolit më 1924; luftëtar në mbrojtjen e Sirisë kundër Anglisë; ndër kryesuesit e lëvizjes së Ballit Kombëtar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore… Ky është përshkrimi i shkurtër i jetës së kolonel Faik Qukut, i cili vdiq në Amerikë më 1963. Pas shembjes së diktaturës, presidenti Berisha e dekoroi për devotshmëri ndaj atdheut.
Me Bardhyl Qukun u takova sërish pas disa ditësh në zyrën e tij të punës. Se ç’m’u kujtua përsëri Rrok Camaj, pastruesi i xhamave në katin 107 të kësaj ndërtese gjigante dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë që e sigurojnë jetesën duke pastruar zyrat e banesat e Manhattan-it. Dhe ndjeva një krenari në këtë çast që kisha pranë një shqiptar të një kategorie tjetër.
Bardhyl Quku, nënkryetar për investime në kompan- inë “Dean Witter Discover”, anëtar i Klubit të Presidencës – çmimi më i lartë i kësaj kompanie, me profesion është ndërmjetësues për investime (stock broker), një punë që bazohet në gjetjen e aksioneve blerëse për klientët. Nga realizimi i një shit – blerjeje ku Bardhyli është ndërmjetë- sues, nëse blerësi realizon një fitim të caktuar, një përqind- je mbetet në xhepin e tij. Nëse ndodh e kundërta, gjë që sipas Bardhylit ka ndodhur më rrallë, humb vetëm blerësi, pa u dëmtuar ndërmjetësi i biznesit. Para se të fillonte këtë punë më 1967, Bardhyli punoi tri vjet si drejtor i punimeve në kompaninë ajrore “Pan Am” në Afrikë.
-Çdo personi që pranon rrezikun, por që synon të fito- jë sa më shumë, mund t’i gjej aksione blerëse në kompanitë më të mëdha. Unë blej aksione, të cilat mendoj se janë tërheqëse për klientët. Gjatë këtyre 28 vjetëve, kam pasur vite të mira e të këqia. Shumica kanë qenë të mira, – thotë Bardhyli, tek tregon për përvojën e vet në investime.
– Në ç’mënyrë keni arritur ta kurorëzoni punën me sukses?- e pyes unë.
– Duhet të kuptosh se për çfarë ka nevojë personi, jo çfarë dëshiron ai. Nëse një 60 vjeçar kërkon të investojë, ai nuk duhet t’i fusë paratë në aksione blerëse me fitime të mëdha që mund të sjellin edhe humbje. Kjo do të thotë se një person me moshë të tillë, nuk mund të rrezikojë aq shumë. Analoge me këtë mund të marrim shembullin e një 30 vjeçari, i cili mund ta pranojë humbjen. Sa më shumë fiton investuesi, po aq i madh është edhe rreziku i humbjes. Pra, investuesit i duhet shpjeguar: kaq mund të fitosh, por po kaq edhe mund të humbësh. Në Amerikë, nëse njeriu pranon rrezikun e mundshëm, ka shans të fitojë shumë para, – thotë Bardhyli, i cili ka kryer fakultetin për administrimin e biznesit në “University of Tulsa” dhe ka magjistruar në “Fairleigh Dickenson University”, në degën e financave.
Si njohës i shkëlqyer i teorisë së “stock market”-it, Bardhyli ka mbajtur shumë seminare në kompani e universitete të njohura të Amerikës si, IBM, AT & T, Exxon, Fordham University, St. John’s University, Harvard Business School, New York University etj. Një herë në muaj u drejton letra investitorëve amerikanë ku shpreh idetë e veta rreth mënyrës se si të investohet, ndërsa në gazeta të ndryshme ka botuar herë pas here artikuj mbi investimet.
– Kur u flas njerëzve për investime, u bën përshtypje ajo që them dhe kërkojnë që unë të investoj paratë e tyre. Në këtë mënyrë kam arritur të gjej klientët e mi të shumtë, – thotë Bardhyli, i cili është këshilltar i shumë investitorëve e ndërmarrjeve. Investimet e deritashme individuale të klientëve arrijnë në 100 milionë dollarë, ndërsa ato të ndërmarrjeve në 200 milionë.
Që nga rënia e diktaturës në Shqipëri, Bardhyl Quku ka qenë disa herë në Shqipëri. Herën e parë atje shkoi që të takonte të afërmit, të cilët s’i kishte parë për 50 vjet. Herën e dytë, për të marrë pjesë në një tubim në Shkodër në përkujtim të babait të vet. Herën e tretë në një konferencë për investime në Tiranë e pastaj, edhe disa herë të tjera. Duke qenë tepër i zënë me punë në New York, ai mund të qëndrojë atje, të shumtën, një javë.
– Kur të kem kohë më tepër, – thotë Bardhyli – do të shkoj me familjen në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e do të qëndroj më gjatë.
***
Bardhyli ishte 5 vjeç kur u largua nga Shkodra. U lind më 1939, kur Shqipërinë e invadoi Italia fashiste. Gjatë viteve 1944 – 49, bashkë me prindërit, vëllanë dhe motrën qëndroi në Itali prej nga emigroi në Amerikë. Ndonëse ishte i vogël kur u nis me anije rrugës së mërgimit, nga kujtesa e tij nuk janë shlyer disa ngjarje të tmerrshme.
Tmerret e jetës mbeten më gjatë në kujtesë e nuk har- rohen kollaj. Ai mban mend jo vetëm ditën kur u nis në mërgim, por dhe diçka tjetër: pushkatimin e të dënuarve në qendër të Shkodrës më 1944.
– Nuk do ta harroj kurrë atë ditë kur kalova afër viktimave, të pushkatuar nga komunistët. Trupa të përgjakur, syhapur, të masakruarr nga dora kriminele. Kur zbritëm nga kamioni që na solli deri në anije, personin që ishte afër meje, me të zbritur në tokë, e vranë komunistët. Pastaj duke udhëtuar me anije, më zuri deti. U sëmura rëndë, – kujton Bardhyli.
– Si ju duk Shqipëria, kur e vizituat pas rënies së komunizmit?
– Qytetet ishin shkatërruar nga diktatura. Sa keq më vinte kur i shihja tërë ato fabrika e shkolla të braktisura e mos më keq. Në aeroport dhe ndanë rrugëve shihje vetëm trungje të prera. Fshatrat e rrethi i qyteteve nuk qenë shkatërruar aq shumë dhe ato kishin një farë potenciali ekonomik për t’u zhvilluar. Shqipëria ka nevojë për fabri- ka që do të punësonin njëqind deri në dyqind njerëz secila, – pohon Bardhyli.
– Po investitorët amerikanë? Numri i tyre është i vogël. Kanë ata levërdi të investojnë në Shqipëri?- e pyes Bardhylin.
– Nuk e di, a do t’i tërheqë dot Shqipëria investitorët amerikanë. Ata kanë më shumë levërdi të investojnë, ta zëmë, në Meksikë, meqë ky shtet është afër tyre. Njëra nga arsyet që Shqipëria nuk është aq tërheqëse për investitorët amerikanë, është edhe lufta që zhvillohet në Bosnjë. “Ç’do të ndodhë me investimet tona, nëse lufta shtrihet edhe në jug?”, thonë ata. Apo, nëse bie regjimi i Sali Berishës, regjimi tjetër a do të ketë disponim pro – amerikan? Pra, nga të gjitha këto, amerikanët kanë frikë të investojnë në Shqipëri. Investuesit më të mëdhenj që kam parë atje, ishin italianë e gjermanë, por jo amerikanë. Madje, dy të tretat e botës tani kanë nevojë për ndihmë dhe do të jetë vështirë për Shqipërinë të tërheqë kapitalin e huaj, – thekson Bardhyli.
Bardhyl Quku është i martuar. Çifti bashkëshortor Bardhyl e Geraldine Quku ka pesë vajza. Lori J. Quku, njëra nga vajzat e tyre, punon me babanë duke e ndih- muar që t’i përballojë më lehtë angazhimet e përditshme, disa nga të cilat nganjëherë është e vështirë të kryhen nga një krah pune. Lori, 24 vjeçe, ka pesë vjet që punon atje si asistente e shitjes dhe merr pjesë bashkë me Bardhylin në transaksionet e tij. Edhe dy motrat e saj bëjnë të njejtën punë.
– Që të kesh sukses, duhet durim. Asnjëherë s’duhet të entuziazmohesh apo të dëshpërohesh me rezultatet e momentit. Nëse nuk ke sukses në një moment, mos u dëshpro, mos u tërhiq, por vazhdo, pëpiqu të hedhësh hapa të tjerë. Punë dhe durim. Ky është suksesi, – thotë Lori Quku, e cila u diplomua në “Rutger’s College”, në New Brunswick (New Jersey).
Korrik, 1995
(Shënim i redaktorit: Bardhyl Quku ndërroi jetë muajin e kaluar në 5 gusht 2021, në Florida, në moshën 81-vjeçare, i rrethuar nga familja e tij e dashur.)