Nga Endri Xhafo/
Sondazhi i 13 majit i IPR Marketing/Ora News tregon se Erion Veliaj fiton në Tiranë, Vangjush Dako në Durrës dhe Voltana Ademi në Shkodër. Këto përfundime kryqëzojnë përfundimet e analizës sonë, një muaj më herët, mbi faktorët zgjedhorë në Tiranë, Durrës dhe Shkodër (“Përpara drejt humbjes”, Java, 18 prill 2015). Sondazhi i IPR Marketing/Ora News ka një marzh gabimi +/-3.2%, që mund të ndikojë në Durrës, ku fitorja e Vangjush Dakos projektohet me një diferencë prej vetëm 2% të votave ndaj kandidates Grida Shqina (Duma). Analiza jonë linte mënjanë, në morinë e faktorëve zgjedhorë, dy variabla asokohe të pamatshëm: vetë fushatën dhe fenomenin e blerjes së votës. Blerja e votës është gjithmonë e pamatshme, sepse përbën vepër penale, e si e tillë rreket të jetë e fshehtë. Kurse fillimi i fushatës na jep sot një ide më të qartë të sjelljes së faktorëve në lojë. Sigurisht, do ta përsërisim edhe njëherë këtu faktin e pohuar në analizën e kaluar, se, sjellja e elektoratit nuk është kurrë një shkencë ekzakte dhe se sondazhet mund të gabojnë (rasti i fundit në Mbretërinë e Bashkuar, apo, vetë sondazhi i IPR Marketing/Ora News që nxirrte 21.2% të pavendosur, një numër ky mjaft i lartë për të bërë diferencën edhe në vetë bashkinë e Tiranës). Nga ana tjetër, analiza në vetvete, për definicion, nuk është asnjëherë gjeagjëzë, sepse as nuk zbulon të ardhmen, as rreket të depërtojë në qëllimin shpesh subjektiv të veprimeve, por analizon pasojat e veprimeve pavarësisht karakterit emocional të tyre; analizon gjithashtu edhe faktorët në lojë, përpara se ata të ndërverprojnë. Pra, nuk hamendësohet mbi arsyet subjektive të Koço Kokëdhimës për të imponuar Floriana Kokën si kandidate socialiste për Sarandën, apo të Edi Ramës për Erion Veliajn në Tiranë, por analizohen pasojat e këtyre vendimeve. Por, le të kthehemi për momentin në origjinë dhe të ndjekim logjikën që udhëheq forcat politike në çdo fillim fushate.
Në fakt, zgjedhjet dhe fushata elektorale fillojnë gjithmonë me prezumimin e ndryshimit. Pra, që, pikërisht rezultatet e kaluara, kanë lëvizur, kanë ndryshuar! Kjo i nxit partitë të marrin pjesë në garë, kjo motivon militantët! Mirëpo rezultatet e kaluara ndikojnë te aleancat e ardhshme, ndikojnë te kërkesat e partive të vogla për partitë e mëdha, si edhe në projeksionin fillestar të balancës së forcave. Analiza e parë që bëjnë vetë partitë është pra analiza zgjedhore. Shifrave të së shkuarës u shtohen sondazhet e së tashmes dhe analiza zgjedhore bëhet e domosdoshme për analizën politike, të cilës i paraprin. Përshembull, nëse marrim shifrat e zgjedhjeve të fundit, – dhe këtu mund të shohim qoftë zgjedhjet e 2013-ës (të përgjithshme), qoftë ato të 2011-ës (lokale), – shifrat i japin një rezervë të mjaftueshme koalicionit të majtë. Thjesht duke bërë një mbledhje aritmetike të rezultateve të saj, PDIU iu “imponua” PS-së, PS pranoi rikthimin në vathë të PDS-së, shpërfilli PSD-në, i la LSI-së “zona të lira” dhe caktoi, në disa raste krejt moskokëçarëse, disa nga emrat e kandidatëve të saj. Por, – dhe kjo sa për efekt krahasimi, – nëse kandidati Erion Veliaj, megjithë analizën e pafavorshme politike në Tiranë, i ruan shanset për fitore, kandidatja socialiste në Sarandë mund të humbasë pavarësisht “rezervës zgjedhore”! Në Sarandë u injorua analiza politike, që do të duhet t’u kujtonte socialistëve specifikën demografike të Sarandës, të përbërë nga çemër, lebër, minoritarë dhe ortodoksë shqiptarë, që e bën praktikisht të pamundur fitoren e një çami, por jo teorikisht të paarritshme fitoren e një minoritari, nëse ky i fundit e ka një “degë” të mirë shqiptare nëpërmjet lidhjeve të krushqisë. Në këtë logjikë, Floriana Koka vërtet ka lindur në Sarandë, por ajo është kaq e panjohur në qytet, sa katapultimi i saj prej të plotfuqishmit Koço Kokëdhima, i shndërruar në një si biçim drejtor kuadri i Jugut, që i është kundërvënë mëse njëherë publikisht kryetarit aktual të bashkisë së Sarandës, socialistit të butë Stefan Çipa, mund t’i prishë punë gruas së re më shumë se ç’mund t’i prishë rivalit të saj Kreshnik Bozho kujtimi ende i freskët i ish-kryetarit demokrat Emond Gjoka, të cilit sarandiotët i faturojnë shkatërrimin dhe jo modernizimin e qytetit. Por, Kreshnik Bozho perceptohet nga vendasit si një “sarandit” që ka bërë ndere kudo ku ka qenë. E meqë politika është në radhë të parë perceptim, në Sarandë mund të kemi rastin e mbizotërimit të analizës politike mbi atë zgjedhore.
E kundërta në Tiranë! Ku kemi Erion Veliajn, i cili, pavarësisht se në 2013-ën u investua politikisht në Gjirokastër, pavarësisht se pranë degës së Tiranës gëzon një staturë politike të padiskutueshme kryetari i saj, Saimir Tahiri, rivaliteti i të cilit me Erion Veliaj është një fakt i njohur botërisht, pavarësisht se sondazhi i IPR Marketing/Ora News, i vetmi që kemi në dorë, tregon se Erion Veliaj merr më pak vota se koalicioni i majtë, sepse rrjedhja e votave të majta mesa duket shkon në favor të Gjergji Bojaxhiut (Halim Kosova merr të gjitha votat e demoratëve + 1% më shumë), përsëri analiza zgjedhore, pra, rezerva e votave, mbizotëron mbi analizën politike. Dhe, nëse sipas të njëjtës logjikë dhe të njëjtave përllogaritje artimetike, e majta, – e favorizuar kësaj here edhe nga sistemi mazhoritar nominal me një raund, ku fitorja arrihet direkt nga kandidati që ka marrë më shumë vota, – pra, nëse e majta mund të marrë më shumë se 85% të 61 bashkive të reja në 2015-ën, në një kohë që në 2011-ën e majta pa LSI-në mori diçka më shumë se vetëm 35% të 384 njësive të qeverisjes vendore, pyetja që ka vlerë për analizën politike është jo aq “kush fiton” nominalisht, por “me sa” fiton?
Në këtë logjikë, “humbja” e Gjergji Bojaxhiut me rreth 40 mijë vota në 2015-ën, shndërrohet në fitoren e 3-4 mandateve parlamentarë prej grupimit “Ne, Tirana” në 2017-ën. Problemi është që opozita nuk di, ose nuk do, që të relativizojë! Të paktën, jo publikisht! Publikisht kryetari i saj Lulzim Basha thotë se zgjedhjet e 21 qershorit do të jenë një plebishit antiqeveritar. Por e ka gabim! Plebishit antiqeveritar ishin zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013! Rezerva e votave që krijoi e majta nga ai moment, i mundëson sot qeverisë që t’i shohë këto zgjedhje më me qetësi. Mazhoranca mund t’i lejojë vetes edhe një rrjedhje votash për shkak të disa politikave të ashpra qeveritare. Edi Rama në fillim u shpreh i gatshëm për ta pranuar këtë kosto. Pavarësisht se tani po duket sikur është ai që luan “all in”, për shkak të një diskutimi publik deri-diku shantazhues ndaj banorëve të bashkive, të cilëve u flet për një bashkëpunim favorizues pushtet lokal/pushtet qendror nëse votojnë për kandidatë e mazhorancës. Idem për Erion Veliajn, i cili është larg të bërit një fushatë shembullore, në një kohë që rezerva e votave ia mundëson këtë. Apo edhe kryetari i opozitës, me propozimet e tij qesharake për uljen e taksave kombëtare në një fushatë zgjedhjesh lokale! Por, këtu jemi në lëmin e komunikimit politik, që nuk është objekt i këtij shkrimi.
Duke iu rikthyer fitores, për të cilën po luftojnë palët tani, perspektiva e zgjedhjeve të 2017-ës nxit relativizim. Po të ishim këshilltarë të opozitës, do t’i sugjeronim kryetarit të saj të hiqte dorë nga reklamimi i një beteje politike të përgjithshëm. Të thuash që “ne do të fitojmë shumicën e bashkive” do të thotë ta bësh fitoren nominale, t’i vësh një emër: Halim Kosova në Tiranë, Grida Shqina (Duma) në Durrës, Voltana Ademi në Shkodër, Ardian Turku në Elbasan, Enkelejd Alibeaj në Fier, Kreshnik Bozho në Sarandë, etj.etj. Por, për arsyet që thamë më lart, numri i kandidatëve fitues nga e djathta mund të jetë më pak se pritshmëritë, të jetë humbës! Në këtë rast a do të mbante Lulzim Basha përgjegjësi politike për humbjen? A do të jepte ai dorëheqjen? Sigurisht që jo! Por militantët demokratë do të demoralizoheshin. Qoftë edhe për të mos i demoralizuar ata, por sidomos për ftohtësi politike, opozita duhet të përcaktojë një limit të pranueshëm humbjeje, në funksion të votave që do të marrë si forcë politike. Sepse votat e marra si forcë politike, të përkthyera në një sistem miks proporcional me elementë mazhoritari, siç është sistemi ynë proporcional rajonal me 12 qarqe, do të japin tendencën e zgjedhjeve të ardhshme të 2017-ës, ku demokratët do të synojnë rikthimin në pushtet. Vetëm nëse palët i vënë vetes një limit “rrjedhjeje të pranueshme” nga njëra anë, dhe “humbjeje fituese” nga ana tjetër, pyetja “kush i fitoi zgjedhjet” nuk do të ketë më rëndësi pas 21 qershorit.









