Ilir Meta ka pranuar për herë të parë publikisht ditën e djeshme se është fundosur nga një ish-bashkëpunëtor i tij.
Ai pohoi dje se hetuesit kanë gjetur diçka, por për njerëzit që dikur Meta i ka pasur pranë dhe tashmë i përdorin si pendito kundër Metës.
“Po, jemi në dijeni të plotë që falë përpjekjeve për të gjetur diçka rreth Ilir Metës, kanë gjetur diçka rreth njerëzve që dikur Ilir Meta i ka patur pranë edhe përpiqen ti përdorin si pendito të deklaruar apo të padeklaruar, duke bërë dhe inskenime të bisedave gjoja ambientale, të cilat janë një estradë e vërtetë”, deklaroi ai.
Në konferencën e djeshme për gazetarët në selinë e partisë, presidenti i PL-së u pyet mbi një hetim të mundshëm ndaj tij nga SPAK për transaksione të dyshimta dhe pasuri të paluajtshme jashtë vendit. Meta u shpreh se nuk mund të gjendet për të asnjë akti në kundërshtim me ligjin askund.
“Nuk e di se sa e saktë është kjo deklaratë e bërë nga një burim i tretë, por kjo gazetare në të kaluarën i është referuar dhe burimi të parë që është Dum-Dumani personalisht prej kohësh dhe mund t’ju deklaroj sot juve dhe të gjithë shqiptarëve se pavarësisht se Dum-Dumani ka 5 vjet që heton për Ilir Metën mbi bazë të kallëzimit të një personi të çmendur, i cili është dënuar me vendim gjykate për dhunë në familje që në dhjetor të vitit, kur ka qenë kulmi i debatit për Gjykatën Kushtetuese, as ka gjetur, as ka për të gjetur, në këtë botë dhe në çdo lloj bote, asnjë lloj akti të Ilir Metës në kundërshtim me ligjin”, tha Meta.
Një ndër personat që flitet se ka folur është Elvis Mataj. Ky i fundit dikur ka qenë kreu i LRI dhe bashkëpunëtor i Ilir Metës. Por Mataj ishte dhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë DIA dhe ishte ai i cili zbuloi pazaret e Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt. Hetimet e SPAK për dosjen CEZ-DIA bazohen në një padi të Romeo Karës dhe në këtë padi, juristi ka treguar me detaje mbi lëvizjet e Elvis Matajt. Madje Kara ka pasur dhe biseda me të, të cilat i tregon në padi. “Elvis Mataj ka pasur njohje te hershme me Ismailajn. Ai ka bërë edhe disa punë të tjera për të, kur ka pas punuar si drejtor, në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Elvisi ka pasur edhe me Ilir Metën njohje të hershme, pasi kanë milituar bashkë në Forumin Rinor Eurosocialist, si dhe në LSI. Elvisi është themelues i LSI si dhe drejtuesi i parë i LRI. Po kështu Elvis Mataj është edhe vëllai i ish-këshilltarit të kryeministrit Berisha, Endri Mataj”, thuhet në padi.
Duhet theksuar se Elvis Mataj ka pasur rol thelbësor dhe në gjyqin ndaj Kastriot Ismailajt, i cili u dënua me burg. Kara ka rrëfyer dhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA, Elvis Mataj. Sipas tij, ai i ka rrëfyer lidhjet e Metës me Kastriot Ismailin. “Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme vetë Ismailaj, apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ-Group. Ismailaj me mburrje në më shumë se një rast, ka pohuar se: ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, u aksidentua qëllimisht nga pala çeke, që ai të mos ishte i pranishëm në takimin e sipërpërmendur”, ka rrëfyer juristi.
Kara përmend dhe paratë që kanë qarkulluar në këtë mes. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo e fundit ja u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Sipas Karajt, nga ky favor u kërkuan 10 milionë euro. Ai ka përmendur dhe një valixhe me para. “Elvis Mataj më ka pohuar në mënyrë të përsëritur, mua personalisht se: Kastriot Ismailaj i ka çuar në shtëpi Ilir Metës, në një çantë ngjyrë kafe, që i përkiste Elvis Matës, rreth 200 milionë lekë të vjetra. Kjo gjë ka ndodhur, sipas Elvisit në fund të vitit 2010 ose në fillim të vitit 2011. Më shumë ka mundësi në fillim të vitit 2011”, thuhet në padi./TEMA