Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë me dije në hapje të mbledhjes së kabinetit takimin që ka zhvilluar me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris, takim që tha se zgjati rreth dy orë.
Kreu i qeverisë tha se në qendër të takimit me Macron, ishte integrimi i Kosovës në BE, siguria dhe mbrojtja.
“Pasditen e së premtes isha mysafir i presidentit të Francës në një takim dhe një drekë pune në pallatin Elysee. Pritja e përzemërt u përcoll me një diskutim të thellë e të sinqertë rreth dy orë që u përqendrua në tema të bashkëpunimit e të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë e zhvillimit”, tha Kurti para kabinetit të tij.
Kurti gjithashtu tha se me presidentin Macron biseduan për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE e në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Pastaj për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantik dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, tha Kurti.
Kurti tha se në këtë takim rreth dyorësh me presidentin e Francës, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit i diskutuan bashkë.











