Nga Baton Haxhiu
E lexova me kujdes shkrimin e Fredi Abrahams për flamingot me titull;“Shqipëria, kur fluturojnë flamingot”
Fredin e njoh prej shumë kohësh. Aq gjatë sa nuk kam nevojë të ndalem te biografia e tij, te Human Rights Watch apo te kontributi që ai ka dhënë në momente të rëndësishme të historisë sonë. Kjo nuk ka rëndësi për argumentin që dua të bëj. Ajo që ka rëndësi është se Fredi nuk po shkruan për flamingot. Ai po shkruan për politikën.
Në shikim të parë duket sikur artikulli i tij është një tekst për mjedisin, për lagunën e Zvërnecit dhe për rrezikun që një projekt i madh mund t’i sjellë një prej peizazheve më të bukura të Shqipërisë. Në të vërtetë, kush e lexon me kujdes e kupton se flamingot janë metafora, Zvërneci është metafora dhe madje edhe Kushner është metafora. Konflikti i vërtetë që përshkon të gjithë tekstin është konflikti mes dy botëve politike që sot po përplasen në Perëndim.
Për këtë arsye mendoj se Fredi ka të drejtë në pjesën më të madhe të analizës së tij. Ai kupton diçka që shumica e debatit shqiptar nuk e kupton ende. Beteja për Zvërnecin nuk është thjesht një betejë për një lagunë dhe as vetëm për një investim. Ajo është bërë një betejë simbolike ku një pjesë e botës liberale perëndimore po përpiqet të kundërshtojë modelin politik që përfaqësohet nga Trumpi dhe nga njerëzit që identifikohen me të.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka marrë papritur një rëndësi më të madhe se vetja. Sepse familja Trump ndodhet këtu. Sepse Kushner ndodhet këtu. Sepse beteja simbolike që zhvillohet në Washington, Bruksel apo Berlin mund të zhvillohet edhe në bregdetin shqiptar.
Deri këtu jam dakord me Fredin.
Por pikërisht këtu fillon pjesa që, sipas meje, mungon në analizën e tij.
Sepse protesta që po shohim para Kryeministrisë nuk mund të shpjegohet vetëm me trumpizmin. Nuk mund të shpjegohet vetëm me Kushnerin. Nuk mund të shpjegohet vetëm me ambientalizmin dhe as vetëm me rikthimin e liberalëve në skenë. Kjo protestë është shumë më e çrregullt, shumë më kontradiktore dhe shumë më interesante sesa duket në shikim të parë.
E kam parë nga afër. Kam parë pankartat. Kam dëgjuar bisedat. Kam dëgjuar zemërimin. Dhe sa më shumë e kam vëzhguar, aq më shumë jam bindur se para Kryeministrisë nuk po mblidhet një lëvizje. Po mblidhen disa pakënaqësi të ndryshme që për herë të parë kanë gjetur të njëjtin shesh.
Aty është Fatos Lubonja me betejën e tij shumëvjeçare kundër përqendrimit të pushtetit. Aty është Arlind Qorri me betejën e tij kundër kapitalit dhe oligarkisë. Aty janë ambientalistët që e shohin problemin te modeli i zhvillimit. Aty janë liberalët që e lexojnë gjithçka përmes konfliktit me trumpizmin. Aty janë njerëz që prej vitesh janë kundër Izraelit dhe që e shohin botën përmes konfliktit të Lindjes së Mesme. Aty janë të rinj që nuk kanë ardhur as për flamingot, as për Trumpin dhe as për Kushnerin, por sepse nuk gjejnë më një vend për veten në Shqipëri.
Po të uleshin në një tavolinë dhe të diskutonin Shqipërinë e nesërme, ka shumë mundësi që të mos binin dakord për pothuajse asgjë. Megjithatë ndodhen në të njëjtin shesh. Dhe kjo nuk ndodh sepse kanë të njëjtën ide. Ndodh sepse ndajnë të njëjtën mungesë përfaqësimi.
Këtu fillon historia që Fredi nuk e sheh plotësisht.
Për katër vite me radhë kam argumentuar se problemi kryesor i Shqipërisë nuk ishte mungesa e pakënaqësisë ndaj Edi Ramës. Problemi ishte mungesa e një opozite që arrinte ta përfaqësonte atë pakënaqësi. Zgjedhja e Sali Berishës për të mbetur figura qendrore e opozitës shqiptare prodhoi një efekt që shumë njerëz nuk donin ta pranonin. Ajo la jashtë sistemit një pjesë të madhe të pakënaqësisë që ekzistonte në vend.
Zgjedhja e Sali Berishës, si 82 vjeçar në krye te PD, për të mbetur figura qendrore e opozitës shqiptare prodhoi një efekt që shumë njerëz nuk donin ta pranonin. Ajo la jashtë sistemit një pjesë të madhe të pakënaqësisë që ekzistonte në vend.
Kjo është arsyeja pse unë nuk e shoh protestën para Kryeministrisë si lindjen e një lëvizjeje të re politike. E shoh si pasojën e një boshllëku të madh përfaqësimi që është ndërtuar gradualisht gjatë viteve të fundit.
Nëse e shikon me kujdes përbërjen e protestës, kupton se ajo nuk është produkt i një ideje të re. Është produkt i mungesës së një ideje që ka arritur t’i bashkojë këto pakënaqësi në një adresë të vetme politike. Për këtë arsye aty gjen njerëz që normalisht nuk do të qëndronin kurrë bashkë. Gjen liberalë që e shohin Trumpin si kërcënimin më të madh për demokracinë perëndimore. Gjen ambientalistë që shqetësohen për lagunën. Gjen të majtën radikale që e lexon çdo zhvillim përmes konfliktit mes kapitalit dhe shoqërisë. Gjen njerëz që kanë humbur besimin te institucionet. Gjen të rinj që nuk po kërkojnë revolucion, por thjesht një mundësi për të mos u ndjerë të huaj në vendin e tyre.
Pikërisht për shkak të këtij heterogjeniteti, protesta është më interesante sesa duket. Por pikërisht për të njëjtën arsye ajo është edhe më e brishtë sesa mendojnë organizatorët e saj.
Një protestë mund të mbledhë shumë zemërime të ndryshme. Një lëvizje politike duhet t’i shndërrojë ato në një drejtim të përbashkët. Kjo është arsyeja pse ende nuk jam i bindur se para Kryeministrisë po shohim lindjen e një alternative. Po shohim më shumë zbulimin e një boshllëku që politika shqiptare ka refuzuar ta pranojë.
Në këtë histori ka edhe një faktor tjetër që rrallë përmendet, por që ka ndikuar shumë në formësimin e klimës politike të viteve të fundit. Ky faktor është SPAK.
Për vite me radhë, një pjesë e madhe e opinionit publik u ushqye me idenë se problemi kryesor i Shqipërisë ishte politika ekzistuese dhe se mjaftonte goditja e saj që vendi të hynte në një fazë të re. U krijua bindja se rrëzimi i elitave të vjetra ishte vetvetiu reformë. Se ndëshkimi ishte program. Se de-legjitimimi i politikës ishte alternativë.
Por historia nuk funksionon kështu.
Institucionet e drejtësisë mund të ndëshkojnë. Mund të hetojnë. Mund të zbulojnë abuzime. Por ato nuk prodhojnë vizion politik. Nuk prodhojnë lidership. Nuk prodhojnë alternativa.
Dhe sot po shohim një pjesë të pasojave të kësaj logjike. Një shoqëri që ka humbur besimin te një pjesë e madhe e klasës politike, por që ende nuk ka ndërtuar një klasë të re politike që ta zëvendësojë atë.
Kjo është arsyeja pse protesta po mbledh kaq shumë njerëz të ndryshëm. Sepse secili sjell zhgënjimin e vet. Por askush ende nuk sjell një projekt që arrin t’i bashkojë të gjithë.
Ndërkohë, në anën tjetër të rrugës, Partia Socialiste duket sikur po zhvillon një debat krejt tjetër.
Teksa jashtë po grumbullohen pakënaqësi që kërkojnë një adresë të re, Partia Socialiste feston 35 vjetorin e saj dhe flet për historinë e vet. Dhe këtu shoh një problem që mund të jetë po aq i madh sa vetë protesta.
Partitë politike kanë nevojë për kujtesë. Por ato nuk jetojnë nga kujtesa. Ato jetojnë nga aftësia për të prodhuar të ardhmen, por nësep dëgjon fjalimet, nëse dëgjon diskutimet dhe nëse dëgjon mënyrën se si po përshkruhet vetja, krijohet përshtypja se Partia Socialiste është shumë më e qartë për atë që ka bërë sesa për atë që dëshiron të bëjë.
Kjo është arsyeja pse nuk mendoj se problemi kryesor i Edi Ramës sot është protesta. Problemi i tij është mungesa e një paradigme të re.
Modeli që e solli deri këtu e ka përmbushur ciklin e vet. Njerëzit që e ndërtuan atë model kanë dhënë atë që kanë pasur për të dhënë. Gjuha politike që funksiononte dhjetë vite më parë nuk prodhon më të njëjtin entuziazëm. Edhe suksesi, kur zgjat shumë, fillon të krijojë rutinë.
Për këtë arsye pyetja më interesante nuk është nëse protesta do të rritet apo do të zvogëlohet.
Pyetja është nëse pushteti e kupton sinjalin që po vjen prej saj.
Sepse historia e Ballkanit na mëson se pushtetet rrallë rrëzohen nga protestat. Ato rrëzohen kur humbasin aftësinë për të reformuar vetveten. Kur kujtesa bëhet më e rëndësishme se imagjinata. Kur besnikëria bëhet më e rëndësishme se talenti. Kur rrethi i njerëzve që mendojnë zvogëlohet dhe rrethi i njerëzve që duartrokasin zgjerohet.
Në këtë kuptim, protesta dhe Partia Socialiste janë më të lidhura sesa duket. Njëra po kërkon një adresë të re. Tjetra ende nuk ka gjetur një arsye të re përtej suksesit të saj të deritanishëm.
Kosova është shembulli më i afërt se si një protestë mund të fitojë pushtetin dhe megjithatë të mos prodhojë qeverisje. Vetëvendosja erdhi nga rruga, nga pakënaqësia dhe nga refuzimi i elitave të vjetra. Por kur zemërimi u kthye në pushtet, u pa se administrimi i shtetit kërkon më shumë sesa revoltë. Vitet që pasuan sollën konfuzion strategjik, amatorizëm institucional, mungesë eksperience në nivelet drejtuese dhe një kulturë politike që shpesh e ngatërroi moralin e protestës me aftësinë për të qeverisur. Kjo është arsyeja pse çdo shoqëri duhet të ketë kujdes kur ngatërron energjinë e protestës me kapacitetin për të ndërtuar shtet.
Dhe pikërisht këtu do të vendoset jo vetëm fati i protestës, por edhe fati i pushtetit në vitet që vijnë.
Rreziku për Edi Ramën nuk është se Shqipëria nuk ka ndryshuar. Përkundrazi. Shqipëria ka ndryshuar aq shumë sa modeli që e ndryshoi mund të mos jetë më modeli që i duhet për fazën tjetër. Shumë liderë kanë dështuar jo sepse nuk ndërtuan dot suksesin, por sepse u dashuruan me suksesin e tyre dhe nuk e kuptuan se koha po kërkonte diçka tjetër.











