Nga Frrok Çupi
Një deputete e zgjedhur në Manzë dje lëshoi alarmin se ‘rrezikoihemi nga Irani’! Disa qeshën, por s’ishte edhe aq për të qeshur.
Manza është një fshat në Durrës, nga ku shkon rruga për te kisha e Skënderbeut në Kepin e Rodonit. Kisha shërbeu edhe si seli strategjike e Gjergj Kastriotit.
Në Manzë, që nga viti 2013 janë vendosur ‘në ruajtje’ 3000 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Iranit. Regjimi i Iranit i ka kërkuar në ‘vrimën e miut’. Tani që Irani hapi luftë, ‘kujdestarja’ e paqes në Manzë jep alarmin se ‘mos na hedhin raketa në fshat’.
Lufta është e frikshme, sidomos kur mbrojtësit flenë.
Një tjetër ‘Iran’ bëri prova zjarri në mes të Tiranës, para dy ditësh.
Të parët u zunë në gjumë gati gjysma e rojeve në bedena. Ushtria e keqe theu trupat dhe hyri në ish vilën e ish Mbretit.
U zunë në gjumë shoferët e makinave dhe pronarë biznesesh në rrugët më të shtrenjta të kryeqytetit. Gjërat private u bënë ‘blozë’ nga zjarri i pushtuesit.
Partia në opozitë, që e ka djegur vendin me mijëra herë për tre dekada, ka zbritur me vrullin e hamshorit dhe të zjarrvënësit.
Po flinin qëllimisht edhe ‘qâzitë’. Qâzi quhen gjykatësit sipas gjuhës ‘farsi’ të Persisë, që përdoret sot në Iran. Këta po flinin qëllimisht. Prokurorë dhe gjykatës në Tiranë kishin marrë kabllin nga ‘ushtria e keqe’ se në atë pasdite do të sulmonin qytetin, dhe kishin urdhëruar gratë ‘mos na zgjoni’.
Askush tjetër, veç disa pjesëtarëve të familjes, nuk e di ku flenë gjyqi dhe prokuroria në momentet e gjëmës së kombit. Shteti u ka ndërtuar zyra të forta, u ka ndërtuar shtëpi me roje dhe me siguri, u ka dhënë në dorë shpatën që të bashkohen me ushtrinë e keqe, dhe kaq. Ajo çfarë nuk ka bërë shteti është mjeti për t’i zgjuar nga gjumi ose për të mos i lejuar të bëjnë gjëmën e dytë mbi kombin. As far nuk ka. Fari që orienton anijet në det është krijuar që tre shekuj para Krishtit. Tani në epokën e re duhet për të pikasur pushtuesit e detit. Por asgjë.
Predikohet sikur ‘këtu do të ketë drejtësi vetëm kur të mos ketë më njeri’. SPAK dhe GJKKO janë seleksionuar dhe ushqyer si gjeli i detit me ‘çfarë do?’. Por nuk ndodhen asnjëherë kur ndodh fakti, prova ose vetë krimi.
Kanë kaluar tre ditë qëkurse ata zbritën me ura në qyteti, por ende asnjë sinjal se po zgjohen ‘qâzitë’, sipas Iranit. Do të zgjohen, me siguri, në një moment, dhe do të kërkojnë përgjumshëm:
“Ku janë ata që e dogjën? Kur ka ndodhur, se në epokën tonë nuk ka ndodhur?!”
Do të mohojnë kohën dhe hapësirën. Teksa të gjithë mundohen të kthejnë kohën e kaluar, këta mundohen të shtyjnë faktin që ndodhi sot. Do të dalë se nuk gjejnë fakte.
Po vrisnin artistë brenda shtëpisë që e quajnë ‘e diktatorit’. Askush sot nuk ka hekura në duar për ‘tentativë vrasjeje në masë’.
Krimi nuk po kalon para syve, por nëpër duart e tyre. Kur gjykatës e prokurorë flenë, krimi bën gjëmën. Kur zgjohen këta, venë në gjumë krimin. Tani po përkundin krimin e vrasjes dhe po i heqin trurin njeriut. Qeveria vrau katër qytetarë, njerëz të lirë, në bulevard, me armët e qeverisë… Ka 15 vjet që gjykatës e prokurorë flenë dhe përkundin krimin.
Deputetja e Manzës, jo e jo, që mund t’i zgjonte.
Nëse Shqipëria do të sulmohet nga armiku i saj i njohur dhe i egër, nuk do të ketë kush të mbledhë gëzhojat as të numërojë viktimat. Prokurorë dhe gjykatës do të jenë në ‘botën e tyre’. S’kanë shumë lidhje me atdheun, veçse kur të vijnë ‘të korrat’. Mund të jemi i vetmi komb i Kombeve të Bashkuara që nuk do të kemi evidenca për sulmin mbi ne.
Kur të mbarojë gjëma, këta do të jenë prapë të munguar. Sepse këta nuk kanë as emra, as vlera, as kontribute. Askush nuk i njeh. Të gjithë i njohin si SPAK e GJKKO. Si mbishkrime etruske, asgjë e gjallë.
Bota ka dhënë model se sa ka vuajtur nga përgjumja e luftëtarëve. Që nga legjionet romake në prag të epokës së Krishtit, deri te sulmi i Gjermanisë Naziste kundër Bashkimit Sovjetik, 1941.
Humbjet u shkaktuan nga përgjumja.











