Nga Ermal Peçi
Në vitet e fundit jeta më ka përballur me ngjarje të rënda emocionale dhe me humbje miqsh të dashur. Jam një njeri që besoj në Zot dhe shpesh herë e kam pyetur veten: pse Zoti merr para kohe pranë vetes njerëz me virtyt dhe zemër të mirë. I tillë ishte edhe Namir Lapardhaja, një personalitet në profesion dhe në jetë.
Namiri nuk ishte thjesht një njeri i aftë në punën e tij. Ai ishte nga ata njerëz që rrallohen gjithnjë e më shumë: i qetë në fjalë, i drejtë në qëndrime dhe i ndershëm në çdo marrëdhënie njerëzore. Kishte një lloj thjeshtësie që të bënte menjëherë të ndiheshe mirë pranë tij, sikur e kishe njohur prej kohësh.
Në një kohë kur shumë njerëz përpiqen të duken më të mëdhenj se ç’janë, Namiri mbeti gjithmonë i madh pa pasur nevojë ta tregonte. Ai ishte fisnik në mënyrën më të qetë të mundshme. Unë e quaja “Bej i Penës”, sepse nuk kërkoi kurrë duartrokitje, por fitoi respektin e të gjithëve. Nuk kërkoi vëmendje dhe protagonizëm, por la pas një boshllëk që ndihet menjëherë.
Humbja e tij nuk është vetëm një dhimbje për familjen dhe të afërmit, por edhe për të gjithë ata që e kanë njohur si njeri. Disa njerëz nuk largohen thjesht fizikisht, ata marrin me vete një qetësi, një mirësi dhe një besim te njerëzimi që sot na mungon më shumë se kurrë.
Namiri sot më këputi shpirtin dhe zemrën, më mbushi sytë me lot për një vdekje që më la pa fjalë e pa frymë. Një vdekje që erdhi e papritur dhe solli një lajm të kobshëm, për një boshllëk që do të ndihet gjatë.
U prehsh në paqe, Namir. Kujtimi yt do të mbetet më i fortë se çdo fjalë që mund të shkruhet sot











