Nga Marenglen Kasmi
Debati për investimet turistike në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit është zhvendosur tashmë në Komisionin Europian. Disa eurodeputetë ngritën ditët e fundit shqetësime për projektet e planifikuara në këto zona dhe kërkuan shpjegime nga Komisioni Europian. Si zakonisht, në Shqipëri vëmendja nuk u përqendrua shumë tek ajo që u tha, por te ajo që secili dëshironte të dëgjonte.
Për kundërshtarët e projekteve, fakti që çështja mbërriti në Parlamentin Europian u paraqit si provë se Europa ka filluar të ngrejë flamuj të kuq ndaj qeverisë Rama. Për mbështetësit e investimeve kjo gjë lexohet si pjesë e një fushate kundër zhvillimit të vendit, çka premton të ndryshojë profilin ekonomik e turistik të Shqipërisë.
Kryeministri Rama u përfshi drejtpërdrejt në debat. Përveç deklaratave publike në Shqipëri, ai i përcolli Komisionit Europian argumentet e qeverisë, duke kundërshtuar pretendimet për cenim të zonave të mbrojtura apo për “shitje” të territorit dhe që duhet të gjykohet mbi dokumentet dhe procedurat ligjore dhe jo mbi sloganet e debatit politik.
Deri këtu duket se jemi në normalitetin politik shqiptar. Njëra palë e hedh, e tjetra e pret. Për kundërshtarët e kryeministrit Rama “Brukseli po ja fut atij këmbët në një këpucë”, ndërsa për mbështetësit e qeverisë, më e pakta që ndodh është anashkalimi i këtij qëndrimi.
Për hir të së vërtetës, në debatin publik shqiptar qarkullon kryesisht vetëm interpretimi i parë. Në media dhe rrjetet sociale ka dominuar ideja se Brukseli po i dërgon një sinjal të fortë qeverisë shqiptare dhe se çështja e Zvërnecit mund të shndërrohet në një problem politik e europian.
Pikërisht këtu qëndron interesi i debatit. Po të lexohen me kujdes dokumentet dhe deklaratat, ato nuk përmbajnë gjuhën dramatike me të cilën janë përcjellë shpesh në Tiranë. Flitet për procedura, standarde dhe detyrime që burojnë nga procesi i integrimit. Por sapo mbërrijnë në Shqipëri, ato futen menjëherë në mullirin e politikës së ditës, ku bluhet miell e krunde bashkë.
Kam përshtypjen se kjo nuk lidhet vetëm me Brukselin. Shqiptarët kanë pasur historikisht prirjen të kërkojnë jashtë vendit qendra referimi politike, ideologjike apo gjeopolitike. Në periudha të ndryshme këto qendra kanë qenë disa. Dikur Beogradi, më pas Moska e Pekini, ndërsa pas viteve ’90 Uashingtoni e Brukseli. Natyrisht, konteksti historik ka qenë krejt tjetër në secilin rast. Megjithatë, një element duket se mbetet i pandryshuar: prirja për t’u kushtuar këtyre qendrave një rol më të madh sesa ato kanë realisht në zhvillimet e brendshme shqiptare.
Edhe skenari përsëritet shpesh. Fillimisht krijohen pritshmëri të mëdha e shpejt vjen zhgënjimi. Pastaj fillojnë dyshimet dhe teoritë, a thua se jetojmë brenda një telenovele politike me titull “Dashuri dhe urrejtje”, ku ndryshojnë personazhet, por jo rrëfimi. Një ditë qendra e largët shpallej shpëtimtare, ditën tjetër akuzohej se po komplotonte kundër nesh. Midis këtyre dy skajeve lëviz zakonisht edhe mënyra se si ne i lexojmë lajmet që vijnë nga qendra e radhës.
BE-në e shohim si një autoritet të largët, fjalët e të cilit duhen deshifruar, ku një shoqëri me prirje të forta konspiracioni gjen material të bollshëm. Nëse një raport është kritik, atëherë dikush në Europë është zemëruar me qeverinë dhe nuk do “ta shohë me sy Ramën”. Nëse një deklaratë është e ekuilibruar, atëherë Tirana qenka në rregull me Europën, por nuk na intereson ta themi me zë të lartë.
Ky është një keqkuptim i vjetër dhe sikurse thamë, lexohet sipas qejfit e interesave. Për vite me radhë Shqipëria ka qenë në periferi të vëmendjes europiane. Përmendej në raportet vjetore e në diskutimet për Ballkanin Perëndimor dhe kryesisht për keq. Vështirë se deri para disa vitesh një debat mbi një projekt turistik, një investim strategjik apo një çështje mjedisore do të zgjonte interes të madh në Bruksel.
Sot duket se gjërat kanë ndryshuar. Për herë të parë pas shumë kohësh, Shqipëria po trajtohet si një vend që mund të bëhet realisht pjesë e Bashkimit Europian. Dhe kjo sjell një pasojë krejt të natyrshme e të pashmangshme, pasi sa më shumë të afrohemi me Europën, aq më tepër Europa do të merret me ne.
Sikurse thamë më sipër, në Shqipëri kjo shpesh interpretohet si shenjë problemi. Në fakt, përvoja e vendeve të tjera tregon të kundërtën. Kroacia e kaloi këtë fazë përpara anëtarësimit. Po ashtu Bullgaria dhe Rumania. Çështje që më parë konsideroheshin të brendshme filluan të diskutoheshin në Bruksel. Raportet e Komisionit Europian u kthyen në pjesë të debatit politik të përditshëm. Shpesh ato lexoheshin në mënyrë dramatike. Më vonë u kuptua se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme në këtë histori. Institucionet europiane po silleshin me këto vende pikërisht siç sillen zakonisht me vendet që afrohen drejt anëtarësimit. Sa më konkret bëhej procesi i anëtarësimit, aq më shumë rritej edhe vëmendja ndaj zhvillimeve të tyre të brendshme.
Ndoshta pikërisht këtu duhet kërkuar edhe shpjegimi për zhurmën që po prodhojnë sot debatet për Zvërnecin dhe Sazanin. Fakti që këto çështje diskutohen në Parlamentin Europian duhet të lexohet edhe si shenjë e një vëmendjeje më të madhe ndaj Shqipërisë dhe jo si provë se dikush po përpiqet ta ndëshkojë Shqipërinë.
Për ditë me radhë në media u krijua përshtypja se Brukseli po përgatitej të jepte një verdikt politik ndaj qeverisë Rama. Kur përgjigjja erdhi, ajo ishte shumë afër gjuhës së zakonshme të institucioneve europiane. Në të flitej për procedura, standarde, vlerësime mjedisore, transparencë etj.. Në thelb, ishin mesazhe korrekte diplomatike dhe jo deklarata që do të tronditnin qeverinë e Tiranës.
Në fakt, kjo gjë ndodh shpesh me marrëdhënien tonë me Brukselin a Uashingtonin, pasi ne nuk lexojmë gjithmonë atë që thuhet, por atë që shpresonim se do të thuhej.
Kjo vlen edhe për teoritë që dëgjohen herë pas here se Berlini qenkësh kthyer kundër integrimit të Shqipërisë në BE dhe se marrëdhëniet e qeverisë gjermane me kryeministrin Rama janë prishur. Nëse do të ndiqnim këtë logjikë, atëherë do të duhej të pranonim se vendi që për vite me radhë ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të zgjerimit europian në Ballkan, paska vendosur papritur të punojë kundër vetë procesit që ka mbështetur. Por, historia e integrimit europian tregon diçka më të thjeshtë. Vendet që investojnë më shumë politikisht në një proces janë shpesh edhe më kërkueset. Mbështetja dhe kritika nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por shpesh ecin bashkë.
Prandaj nuk jam i sigurt nëse debati i këtyre ditëve flet aq shumë për Zvërnecin a Sazanin. Ai flet më tepër për mënyrën se si vazhdojmë t’i shohim institucionet europiane si arbitra të politikës sonë të brendshme. “Tani e kanë marrë në dorë amerikanët”, … “tani i di Europa këto punë”, dëgjoj të thuhet në bisedat e pashmangshme politike që bëhen në çdo kafene, a thua se çdo deklaratë e tyre është ja shpëtim, ja katastrofë. Më duket se sa herë që Uashingtoni a Brukseli flet, ne dëgjojmë më shumë veten sesa ata.










