• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, September 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

UÇK-ja nuk mbrohet me statuse në Facebook

by Thoma Gëllçi
17/09/2026 12:27
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Thoma Gëllçi

Pas vendimit të Hagës për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, Facebook-u shqiptar hyri menjëherë në gjendje gatishmërie luftarake. U nxorën nga magazinat fotografitë e UÇK-së, flamujt, shqiponjat, hartat e Kosovës dhe të gjitha ato fjalë të mëdha që, në raste të tilla, Facebook-u i prodhon më shpejt se një shtab ushtarak prodhon urdhra.
Brenda pak orësh u krijuan batalionet e statuseve, brigadat e profileve dhe divizionet e komenteve. Secili mori pozicionin e vet. Njëri ndryshoi fotografinë e profilit. Tjetri vuri emblemën e UÇK-së. Një i tretë shkroi me shkronja të mëdha se historia nuk gjykohet. Një i katërt shpalli tradhtar cilindo që nuk kishte bërë ende një postim. Patriotizmi, si zakonisht, filloi të matej me madhësinë e posterave.
Kryeministri i Shqipërisë e dha shembullin i pari. Ndryshoi menjëherë dekorin e Facebook-ut. Në kopertinë vendosi shqiponjën dykrenare, ndërsa në postim Evropën të rrethuar me tela me gjemba, si një shenjë se Evropa tashmë ishte nën thundrën e nazizmit. Sipër shkroi një fjalë të vetme, me shkronja të kuqe: MARRE. Pas kryeministrit një tufë e madhe me ministra dhe ministresha i mbushën profilet e tyre me mallkime për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë që dhanë atë vendim që dhanë!
Edhe kryetari i opozitës Sali Berisha nuk mund të mbetej prapa. Me postimet e tij jo vetëm që tregoi se këtë vendim ai e kishte parashikuar disa vjet përpara, por gjeti rastin t’i thoshte edhe Edi Ramës se “po derdhte lot krokodili”.
Dhe kështu diplomacia shqiptare kreu detyrën. Ministria e Jashtme mund të vazhdonte punën e zakonshme, ekspertët mund të rrinin të qetë dhe juristët të mos shqetësoheshin. Shqiponja ishte vendosur në pozicion luftarak, Evropa kishte marrë qortimin dhe algoritmi i Facebook-ut ishte njoftuar zyrtarisht për qëndrimin e Republikës së Shqipërisë.
Problemi i vetëm është se Gjykata e Apelit në Hagë nuk ka butonin Like.
Vendimi i 16 shtatorit është vendim i shkallës së parë. Gjykata i shpalli fajtorë për krime lufte, ndërsa nuk i shpalli fajtorë për krime kundër njerëzimit, sepse nuk konsideroi të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër një popullsie civile.
Ky është realiteti juridik. Nuk na pëlqen. E konsiderojmë vendimin të gabuar, të padrejtë, të ekzagjeruar apo të pambështetur siç duhet në prova. Por për fatin e keq të patriotizmit dixhital, këto konsiderata tani duhet të shndërrohen në argumente juridike.
Sepse apeli nuk do të hapë Facebook-un për të parë sa shqiptarë vendosën dje emblemën e UÇK-së. Nuk do të numërojë flamujt në Prishtinë. Nuk do të kontrollojë sa politikanë në Tiranë thanë “turp”. Nuk do të bëjë as matjen se kush e shkroi “MARRE” me shkronja më të mëdha.
Apeli do të hapë aktgjykimin. Duhet gjetur ku ka gabuar gjykata, nëse ka gabuar. Te provat, te dëshmitë, te lidhja e secilit prej të dënuarve me veprimet për të cilat është shpallur fajtor, apo te masa e dënimit. Kjo është puna e avokatëve dhe e ekspertëve, jo e komenteve në Facebook.
Dhe pikërisht këtu mund të hyjnë në punë Kosova dhe Shqipëria. Jo duke i treguar Hagës sa të zemëruar jemi, por duke ndihmuar mbrojtjen me dokumente, ekspertë, arkiva, studime dhe juristë të mirë. Nëse ekziston një dokument që ndihmon çështjen, duhet gjetur. Nëse duhet një ekspert i së drejtës ndërkombëtare, duhet marrë. Nëse duhet paguar, duhet paguar.
Kjo është më pak spektakolare se një flamur në profil, apo sharje për “Evropën kjo kurva e motit”, por ka një avantazh të vogël: mund të vlejë në gjykatë. Gotovina kishte marrë 24 vjet burg. Markac 18. Perishic 27. Jean-Pierre Bemba 18. Asnjëri nuk doli nga burgu sepse vendi i tij organizoi mitingun më të madh apo sepse Facebook-u u mbush me flamuj. Vendimet u goditën aty ku mund të goditet një vendim gjykate: te prova, standardi juridik dhe arsyetimi. Te Gotovina ra kriteri teknik mbi goditjet e artilerisë dhe bashkë me të një pjesë vendimtare e çështjes. Te Perishic u rrëzua lidhja juridike mes ndihmës së dhënë dhe krimeve. Te Bemba u rrëzua mënyra si ishte ndërtuar përgjegjësia e komandantit. Tre procese të ndryshme, por me një mësim të përbashkët: një vendim gjykate nuk rrëzohet duke bërtitur më fort. Duhet gjetur vendi ku vendimi nuk qëndron.
Ndërkohë, politika e Kosovës ka filluar ta bëjë atë që di të bëjë më mirë: ta fusë edhe Hagën në sherret e veta të brendshme. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi rrezikojnë të kthehen në argument kundër Albin Kurtit, ndërsa UÇK-ja në një lloj certifikate patriotizmi që partitë ia japin vetes dhe ia heqin kundërshtarit.
Kjo mund të vlejë në Prishtinë. Në Hagë vlen zero.
As bllokimi i institucioneve nuk e ndihmon këtë punë. Përkundrazi. Për të ndihmuar një proces kaq të madh duhen institucione që punojnë, arkiva që hapen, administratë që përgjigjet dhe para që miratohen. Është pak e çuditshme të thuash se po mbron njerëzit që luftuan për shtetin e Kosovës duke bllokuar pikërisht shtetin e Kosovës.
Ne nuk heqim dorë nga zakoni i vjetër i politikës shqiptare: sa herë mungon argumenti, nxirret patriotizmi.
Secili prej nesh bëhet gjykatës. Jo i vetes. I të tjerëve. Ky është patriot. Ky tjetri është tradhtar. Ky e do UÇK-në. Ai tjetri nuk e do. Ky postoi fotografinë. Ai heshti. Ky tha “turp”. Ai tha se duhet lexuar vendimi dhe për këtë arsye menjëherë bëhet i dyshimtë.
Qëndrimi ndaj procesit penal nuk është test besnikërie kombëtare. Historia e UÇK-së nuk varet nga një aktgjykim dhe një aktgjykim nuk rrëzohet duke recituar historinë e UÇK-së.
Katër të dënuarit tani kanë një problem shumë konkret: një vendim gjykate. Përballë tij duhen prova, ligj dhe argument.
Ne kemi bindjen se dënimet janë të tepruara. Por nuk mjafton të themi bindjen tonë. Kjo duhet treguar në gjykatë me rastet analoge. Nëse një dëshmi është marrë gabim, duhet provuar nga dosja. Nëse përgjegjësia e njërit prej tyre nuk është lidhur siç duhet me një krim, aty duhet goditur vendimi.
Kjo nuk është aq romantike sa një miting. Nuk është aq fotogjenike sa një flamur. Nuk prodhon aq shumë duartrokitje nga përkrahësit dhe militantët politikë që mezi presin të të krehin bishtin.
Por ama vetëm kjo puna pra britma, me dokumente dhe dëshmi, me ekspertizë dhe shkresa, vetëm kjo mund ta ndryshojë vendimin.
Është vonë sot që të diskutojnë pse u krijua Gjykata Speciale, kush e votoi, kush bëri presion, kush gaboi atëherë dhe kush po përpiqet të lajë duart sot. Ka material për vite të tëra emisionesh televizive. Por kjo është një histori tjetër.
Historia që ka sot përpara Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi quhet apel. Dhe për këtë nuk nevojitet një tjetër luftë në Facebook, as një luftë e re mes partive në Prishtinë. Nevojiten avokatë të mirë, ekspertë të mirë dhe institucione që bëjnë punën e tyre.
Facebook-u mund të vazhdojë ndërkohë mobilizimin. Ka flamuj sa të duash, shqiponja me bollëk dhe rezerva të pafundme të fjalës “tradhtar”.

Next Post
Eksperti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK mund të sfidohet si në fakte, ashtu edhe në ligj

Eksperti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK mund të sfidohet si në fakte, ashtu edhe në ligj

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Përlotet vajza e Jakup Krasniqit: Një njeri i zakonshëm nuk mund ta ketë atë buzëqeshje pas atij vendimi! Ja mesazhi që na la

Përlotet vajza e Jakup Krasniqit: Një njeri i zakonshëm nuk mund ta ketë atë buzëqeshje pas atij vendimi! Ja mesazhi që na la

September 17, 2026
“E dinte e gjithë zona, askush s’fliste”/ Rrëfehet vëllai i 15-vjeçares: Video më erdhi dhe mua, kanë abuzuar në grup

U abuzua nga tezja dhe kushëriri, ja si u zbulua skandali s*ksual me 12-vjeçaren! Çoi padashje një video pornografike në bisedë me shoqet

September 17, 2026
Burg për 86-vjeçarin/ Përdori për 58 vite me radhë identitetin e vëllait të vdekur dhe mashtroi sistemin e sigurimeve shoqërore

Ngërçi me pagat, Shoqata Europiane e Gjyqtarëve: Jemi të shqetësuar, ligjvënësit po përpiqen të anashkalojnë vendimin e Kushtetueses!

September 17, 2026
Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së: Shqiptarët protestojnë në Times Square dhe këndojnë “Mora fjalë”

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së: Shqiptarët protestojnë në Times Square dhe këndojnë “Mora fjalë”

September 17, 2026
PD nuk është më parti e demokratit kuksian

Përse gëzohen sot “Kasandrat” e Gjykatës Speciale

September 17, 2026
“Do të jetonim të dy në fshat”, gruaja e Jakup Krasniqit: Vendimi ishte shokues, kishim bërë plane për…

“Do të jetonim të dy në fshat”, gruaja e Jakup Krasniqit: Vendimi ishte shokues, kishim bërë plane për…

September 17, 2026
“Hashim Thaçi po tenton të zhbëjë Gjykatën Speciale”

U dënua me 25 vjet burg, reagon për herë të parë Thaçi: Qytetarët të ruajnë qetësinë pas padrejtësisë së djeshme!

September 17, 2026
FOTOLAJM / Rama viziton Malin e Shenjtë në Greqi, bashkë me të birin Gregun dhe Vangjel Tavon

FOTOLAJM / Rama viziton Malin e Shenjtë në Greqi, bashkë me të birin Gregun dhe Vangjel Tavon

September 17, 2026
“Sytë” rusë mbi Amerikën 14 satelitë spiunë mbi bazën e SHBA para sulmit iranian

“Sytë” rusë mbi Amerikën 14 satelitë spiunë mbi bazën e SHBA para sulmit iranian

September 17, 2026
“Jemi pranë agimit 2030”, Gogu: Punë titanike për integrimin në BE! S’mundet pacienti zero i korrupsionit, t’i hedhë baltë Shqipërisë

65 mijë kërkesa për dëmet në Ukrainë, Gogu: Dëmet që njihen dhe dëmshperblehen sjellin drejtësi

September 17, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com