Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi reagoi nga Devolli për përplasjen mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas saj, Rama githmonë ka pasur frikë nga Ilir Meta, i cili siç tha ajo nuk bën kompromis për pushtetin e Ramës.
Kryemadhi tha se Ilir Meta nuk ka ardhur asnjëherë në krye si rezultat i një kompromisi politik por si rezultat i domosdoshmërisë për të pasur një lider i cili mbi të gjitha është shqiptar.
Kryetarja e LSI-së tha të mos çuditen kur pas një jave Rama do thotë se nuk hyn në zgjedhje me Bashën, kryetar opozitë, Metën President dhe Monikën kryetare të LSI-së.
PJESË NGA FJALA E KRYEMADHIT
Dëgjoj që bërtet dhe ulëret. Në fakt nuk kam pse ta mbroj unë Ilir Metën se Ilir Meta na ka mësuar dhe ne të tjerëve si të mbrohemi jo më ta mbrojmë ne, por e dëgjoj si bërtet dhe ulëret për Presidentin e Republikës. Në fakt Edi Rama gjithmonë ka pasur frikë nga Ilir Meta, ka pasur frikë sepse Ilir Meta nuk bën kompromis për pushtetin e Edi Ramës, për xhepat e Edi Ramës, për xhepat e oligarkëve të Edi Ramës.
Ka frikë nga mësuesit shqiptarë, ka frikë nga pedagogët, ka frikë nga të rinjtë. Ka frikë nga ato gratë naftëtare të cilave iu ka grabitur pagat 20 muaj të tyre dhe iu grabit dhe naftën sepse nafta e Shqipërisë shitet sot më pak se gjysma e çmimit të naftës të çdo vendi tjetër. Maqedonia që kemi këtu në krah nuk prodhon asnjë litër naftë dhe e ka 900 lekë litrin e naftës, ndërsa ne që prodhojmë 23 mijë fuçi në ditë e kemi çmimin 1600 lekë dhe cilësia është skandaloze, ajo që iu hidhet makinave të shqiptarëve.
Frika që njerëzit e kanë kuptuar vjedhjen që iu bën Edi Rama çdo ditë xhepave të shqiptarëve. Frika që njerëzit e kanë kuptuar se si Edi Rama po grabit pronat e shqiptarëve. Ky njeri që në jetën e tij kurrë nuk është votuar por ka ardhur si rezultat i kompromiseve dhe konjukturave. Ndërsa Ilir Meta është zgjedhur kryeministër me votat e socialistëve në vitin 2000, është zgjedhur kryetar parlamenti me votat e deputetëve socialistë dhe të LSI-së në vitin 2013 dhe president në vitin 2017 është zgjedhur me votat e Partisë Socialiste dhe të LSI-së.
Ilir Meta nuk ka ardhur asnjëherë në krye si rezultat i një kompromisi politik por si rezultat i domosdoshmërisë për të pasur një lider i cili mbi të gjitha është shqiptar. Nuk bën kompromis për interesat e vendit as për fëmijët e tij dhe për këtë ne si LSI jemi krenarë për ato vite që na ka drejtuar, por nga ana tjetër dua të theksoj që edhe Ilir Meta të jetë krenar për të gjithë këta të rinj dhe të reja të cilët do ta ndjekin nga pas në rrugën e tij si President për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të prerë çdo lloj plani edhe për shitjen e detit, edhe për ndarjen e Kosovës, edhe për grabitjen e pasurive natyrore të Shqipërisë dhe për ta kthyer Shqipërinë në një gropë plehrash që Edi Rama e ka në planin kryesor.
Sot Edi Rama të jeni i bindur, mos u çudisni kur të thotë nuk hyj në zgjedhje me Lul Bashën kryetar opozite, nuk hyj në zgjedhje me Ilir Metën president, nuk hyj në zgjedhje as me Monikën kryetare të LSI-së. Edi Rama do thotë unë do hyj në zgjedhje po të kem President Taulant Ballën, po të kem kryetar të PD-së Elisa Spiropalin, po të kem kryetare të LSI-së ndonjë tjetër. Mos u çudisni kur pas një jave të dëgjojmë që Edi Rama të thotë nuk hyj në zgjedhje më 25 prill.
Por unë di të them vetëm diçka, 25 prilli është dita e fundit e mbretërimit kriminal të Edi Ramës dhe grupeve të tij. I ka filluar numërimi mbrapsht. Ne nuk do të ndalojmë duke biseduar me ju dhe duke ju nxitur që më 25 prill, ju, familjarët, miqësia juaj të shkojnë të votojnë. Të kthejmë të gjithë të rinjtë dhe të rejat që kanë ikur emigrantë për shkak të pamundësisë dhe mungesës së punësimit që ka në Shqipëri sepse kthimi i tyre do jetë një dërmë dhe një referendum mbarëkombëtar për t’i dhënë fund këtij sekti grabitqar që në fakt po grabit të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Kjo është një nga detyrat tona, si nënë, si grua, si bijë dhe si kr partie është obligimi im për të mos ndaluar asnjëherë.
Sot LSI nuk është thjesht një strukturë politike por mundësi për t’u përfshirë të gjithë ata të rinj e të reja për të drejtuar Shqipërinë. Më shumë se kurrë nuk kemi nevojë për votën tuaj por angazhimin tuaj për të marrë pjesë në vendimmarrje. Jo se kemi gjë kundër jabanxhinjve, atyre që vijnë por kur kemi njerëz të aftë, Devollin mund ta drejtojë më mirë i zoti i shtëpisë se sa dikush që e shikon veten kalimthi. Qëllimi ynë hapja e partisë, të përfshijmë në jetën politike, të rinjtë dhe të rejat të cilët të ndryshojnë këtë sistem të kalbur, të mbyllin tranzicionin dhe të krijojmë etapën e re, epokën e re të integrimit europian.
/e.rr
Kur flet goja para mendjes