Tsenko Chokov, kryetari i fshatit veriperëndimor të Galiches, është akuzuar për kontrollin e një bande të organizuar kriminale, njoftoi të premten prokuroria speciale e Bullgarisë.
Pas një operacioni policor të enjten, autoritetet arrestuan 12 persona, tetë prej të cilëve janë të akuzuar për pastrim të paligjshëm parash, mashtrim me pronën, sulme fizike, shantazh dhe rrëmbim të debitorëve.
Sipas dëshmive të mbledhura në një hetimi dy mujor i udhëhequr nga Prokurori i Përgjithshëm i Bullgarisë, Sotir Tsatsarov, Chokov ka kryesuar grupin e krimit. Kryetari i komunës është gjithashtu i akuzuar për dhunë fizike.
Grupi i Chokov u përshkrua si “brutal dhe shumë konspirativ ” nga kryesekretari i policisë bullgare Georgi Kostov.
Hetuesit shtetërorë të premten u bënë thirrje vendasve në Galiche që të dëshmojnë kundër mafiozëve të akuzuar, në mënyrë që shkalla e plotë të aktivitetit të tyre kriminal të mund të dalë në dritë.
“Vendasit kanë një frikë e madhe ndaj këtij grupi,” tha zëdhënësja e prokurorisë speciale, Daniela Peneva.
Frika e banorëve të Galichesë, një fshat prej rreth 1,600 banorësh, është e kuptueshme. Gjatë 20 viteve të tij në pushtet, Chokov thuhet se e ka trajtuar Galichenë si domenin e tij feudal.
Sulmet e zjarrit, rrahjet dhe frikësimet e kundërshtarëve të kryetarit të bashkisë u bënë pjesë e jetës së përditshme në fshat, ashtu si edhe festat e tij të çmendura dhe makinat e shtrenjta.
Karriera e Chokov është një personifikim i klientelizmit dhe paskrupullsisë së sistemit politik post- komunist të Bullgarisë.
Ai u bë fillimisht kryetari i Galiche në vitin 1995, i kandiduar nga Bashkimi Agrar Kombëtar i Bullgarisë.
Nuk u desh shumë kohë për të zbuluar shijen e tij për forcën brutale dhe drejtësinë e stilit të rrugës.
Në vitin 1996, pasi ai dyshoi se një bashkëfshatar vidhte, ai e lidhi në një shtyllë ndëshkimi në qendër të fshatit dhe e rrahu me një shkop bejsbolli – një praktikë për të cilën ai do të bëhet i njohur në të ardhmen.
Ai gjithashtu demonstroi haptazi lidhjet me organizatat e ish-mafioze. Në vitin 2002, ai hoqi flamurin nga ndërtesa e komunës dhe ngriti flamurin e KIS – një prej bandave kriminale më brutale dhe të fuqishme në historinë e kohëve të fundit në Bullgari.
Atë vit, ai u bë qendra e vëmendjes kur lidhja me një vajzë 16 -vjeçare fitoi publicitet. Chokov ishte atëherë 42 vjeç.
Pasi i ati i vajzës, një bukëpjekës lokal, i kërkoi t’i jepte fund marrëdhënies, kryetari zbrazi një karikator të tëtërë Kallashnikovi mbi makinën e tij.
Në vitin 2002, policia nisi një hetim kundër Chokov, e udhëhequr personalisht nga Kryeministri aktual, Bojko Borisov, i cili ishte kryesekretar i ministrisë së brendshme në atë kohë.
“Ne do të aplikojmë rreptësinë e plotë të ligjit kundër njerëzve të tillë që përdorin autoritetin e tyre për të marrë ligjin në duart e tyre”, tha Borisov.
Nëntë vjet më vonë, në vitin 2011, megjithatë, Chokov u rizgjodh në Galiche, i nominuar nga partia e vetë Borisov, GERB.
Ndërkohë ai kishte fituar pronat komunale dhe tokat bujqësore, të marra me qira, duke shumëfishuar pasurinë dhe ndikimin e tij.
Vendasit që kontaktuan rregullisht mediat dhe organizuan protesta kundër represionit iu nënshtruan sjelljes së dhunshme të kryetarit të tyre, pa marrë drejtësi.
Pavarësisht kundërshtimit ndaj tij, në vitin 2015 Chokov fitoi një mandat të katërt si kryetar, përsëri duke ndryshuar parti, këtë herë për të dominuar Lëvizjen Etnike Turke për të Drejtat dhe Liritë.
Për të garantuar votat që i nevojiteshin, ai çoi rreth 300 fshatarë me pushime në bregdet para zgjedhjeve – diçka që autoritetet nuk arritën të merrnin masa kundër.
Vendorët shpesh thonë se dënimi më i madh Chokov është djali i tij, Martini 18 -vjeçar, mes të pandehurve në grup.
Duke ndjekur hapat e babait të tij, ai ka qenë në telashe të vazhdueshme gjatë viteve të fundit.
Në fillim të vitit 2016, i riu Chokov është dënuar për rrahje nga gjykata rajonale në Vratsa.
Përballë kërcënimeve të vazhdueshme, disa persona nga Galiche kanë qenë të gatshëm të dëshmojnë kundër kryetarit të tyre të pandreqshëm dhe grupit të tij. Tani ata kanë mundësinë të marrin drejtësi.
“Mendoj se… më në fund populli do të shpëtojë”, ka thënë të premten shefi i policisë Kostov.
Ai mohoi se Chokov ka qenë ndonjëherë objekt i mbrojtjes politike – pavarësisht nga fakti se për vite me radhë ka qëndruar në pushtet, me mbështetjen e katër partive të ndryshme, pa marrë parasysh sjelljen e tij të egër. (BIRN / r.a)