Kryebashkiakët e PD thyejnë bojkotin, takim me Ramën në Kryeministri
Duket se kryebashkiakët demokratë kanë vendosur ta thyejnë bojkotin ndaj kryeministrit Edi Rama. Krerët e bashkive të djathta i janë përgjigjur pozitivisht sot një ftese të ardhur nga Kryeministria për një takim me UNDP për pushtetin vendor.
Të 13 kryebashkiakët demokratë kanë vajtur në Kryeministri, ndërsa në takimin e para e një muaji, vetëm kryetari i bashkisë së Përmetit dhe ai i Dropullit ishin prezentë në Kryeministri.
Ndërkohë, gjatë takimit kryeministri Rama deklaroi se “ajo që kemi paralajmëruar duke e konceptuar ndarjen e re territorial jo si shumatore bashkimesh mekanike e gjeografike, por proces shtet-ndërtues për të transformuar njësitë e trashëguara administrative, në njësi zhvillimi ekonomik nuk ka qenë lumë fjalësh fushate, por vizion që do ta vëmë në jetë bashkë pa dallime partiake, por për misionin e përbashkët që t’u japim shqiptarëve qeverisje të nivelit të dytë të denjë për një vend evropian”. Me anë të një kontrate me UNDP-në qeveria dhe bashkitë do të bëjnë auditimin dhe kontrollin e njësive të reja vendore si dhe do të inventarizojnë të gjitha pasuritë e tyre.
Marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë qendrore dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor parashikon asistencë teknike nga një kompani ndërkombëtare për vlerësimin e kapaciteteve vendore. Ndërsa ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi tha në fjalën e tij në fillim të takimit se kjo marrëveshje do të përmirësojë situatën në komuna, të cilat kanë sipas tij pasaktësi të theksuara në regjistrat e shpenzimeve publike.