Bashkimi Europian pret që klasa politike shqiptare të lërë mënjanë tensionet që vazhdojnë pas zgjedhjeve të 11 majit dhe të pajtohet për objektivin më madhor, që është integrimi në BE.
Në mbledhjen e posaçme të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, 57 anëtarë votuan pro progres-raportit të vitit 2023-2024 të përpiluar nga Andreas Schieder, 11 votuan kundër dhe 6 abstenuan.
Raporti bën thirrje për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medies, dhe për adresimin e polarizimit politik. Për këtë të fundit, Schieder tha se “ka shumë gjëra që nuk janë perfekte”.
“Sistemi politik shqiptar karakterizohet nga tensionet e larta mes kampeve politike, i përbërë nga dy parti të mëdha. Çfarë kritikohet shpesh është sistemi i votimit sipas strukturës sociale të zonave,” u shpreh raportuesi për Shqipërinë.
Një përgjigje për Sali Berishën që ka udhëtuar drejt Brukselit këto ditë për ta nxirë Shqipërinë, pati edhe kryesuesi i delegacionit europian për vëzhgimin e zgjedhjeve të fundit, Marco Tarquinio.
Ai kërkoi që kampet politike të tentojnë t’i zgjidhin problemet e brendshme përmes dialogut para se t’ia parashtrojnë ato BE-së.
“Kërkohet një dialog mes mazhorancën dhe opozitës, që në këtë moment është e vështirë. Situata është gjithnjë e më e polarizuar. Jam italian. Kam përjetuar faza të polarizimit shumë të ashpra në vendin tim dhe e di që mund të arrihet në drejtimin e duhur pavarësisht qëndrimeve të forta. Mbi të gjitha, e di që nuk mund të mendohet për të sjellë në Europë problemet kombëtare që mund t’i zgjidhë politika e brendshme. Europa mund të shoqërojë proceset dhe palët duhet me përgjegjshmëri t’i zgjidhin. Pres që në takimin e radhës të Komitetit të Stabilizim-Asocimit, në Strasburg, të jenë bërë hapa përpara në këtë kuptim,” tha eurodeputeti italian.
Në seancën e së mërkurës ishin të pranishëm disa përfaqësues të Tiranës zyrtare, si Jorida Tabaku, kryetarja demokrate e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme dhe Çështjet Europiane; bashkëkryetari Toni Gogu, anëtari i komisionit Etjen Xhafaj dhe deputeti Oerd Bylykbashi. Në Bruksel ndodhej edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Gahler: Është nevoja për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse
Për zgjedhjet e fundit parlamentare raportoi me detaje kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian, Michael Gahler.
“Zgjedhjet ishin teknikisht të organizuara mirë dhe konkurruese, por u zhvilluan në një mjedis të polarizuar politikisht. Shqetësime, abuzimi i burimeve publike, presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve në administratën publike dhe keqpërdorim i eventeve qeveritare si Giro di’Italia që u përdor për qëllime fushate. Njoftimet në momente të fundit për pagesa. Ishte në Prill një bonus 100 euro për pensionistët 1 muaj para zgjedhjeve, diçka që po ashtu ndikon. Administrata elektorale e menaxhoi procesin në mënyrë transparente, marrëveshja për hetimin dhe ndjekjen e krimeve elektorale mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK dha rezultate të mira. Mbulimi mediatik i fushatës elektorale u dominua nga dy partitë kryesore, nuk kishte debate publike mes kandidatëve kryesorë. Për herë të parë në këto zgjedhje u realizua vota e diasporës, kishte probleme me organizimin sidomos në Greqi, probleme logjistike nga DHL.

Është nevoja për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse që të përfshijë rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ne presim raportim final të ODIHR ku do të jenë dhe rekomandimet, shpresoj që reforma elektorale tani pas zgjedhjeve të përfshijë rekomandimet dhe të ketë konsensus politik. Nuk mund të ketë një situatë ku gjërat të bëhen nga mazhoranca, cilado qoftë ajo, dhe partitë e tjera të mos përfshihen. Çfarë kemi dëgjuar nga vëzhguesit afatgjatë, kanë folur për struktura të përfshira për të çuar votuesit në një drejtim, por kjo shkon përtej mandatit të vëzhgimit zgjedhor dhe ka impakt në situatën e përgjithshme që mendoj se ka ndikuar zgjedhjet që duhen adresuar,” deklaroi Gahler.
Ndërkohë raportuesi për Shqipërinë, Schieder, vlerësoi disa zhvillime për 11 Majin, siç ishte vota e diasporës, por edhe përdorimi i teknologjisë. Ai tha se zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it duhet të shihet me përparësi nga parlamenti i ardhshëm.
“Është e rëndësishme që kur të zbatoni këto reforma të gjeni konsensus të gjerë midis qeverisë dhe opozitës, pra një shumicë të gjerë parlamentare. Kjo do të jetë detyrë për të ardhmen, si edhe përfshirja e amendimeve që ODIHR ka bërë këtë radhë. Zgjerimi i BE-së luan rol madhor këtu, sepse do të negociohet Grupkapitulli 1, që ka të bëjë me sundimin e ligjit. Thirrja ime për parlamentin e ri që do të konstituohet në shtator është që të ngrihet menjëherë një komision për zbatimin e këtyre rregullave,” tha Schieder.
Njoftimi për shtyp i Komitetit të Punëve të Jashtme të PE
Komiteti i Punëve të Jashtme ka vlerësuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për anëtarësimin në BE përmes raportit të miratuar ditën e mërkurë.
Eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik në Shqipëri dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësimin në BE, krahas përafrimit të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, në raportin e miratuar nga Komiteti i Punëve të Jashtme me 57 vota pro dhe 11 kundër, me 6 abstenime.
Nevoja urgjente për të thelluar reformat
Ndërsa përshëndesin synimin e Shqipërisë për të përfunduar bisedimet e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe përparimin e bërë tashmë, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për intensifikimin e reformave. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Rritja e pluralizmit dhe transparencës së medies mbetet thelbësore për të ndërtuar besimin e publikut.
Dialogu politik dhe lufta kundër ndërhyrjeve të jashtme
Raporti vë në dukje polarizimin e vazhdueshëm politik të karakterizuar nga retorika konfrontuese dhe bën thirrje për dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, duke kërcënuar institucionet demokratike të Shqipërisë dhe ambiciet e anëtarësimit në BE. Ata bëjnë thirrje për një qëndrueshmëri më të madhe institucionale ndaj abuzimeve të financimit politik, manipulimit të medies dhe kërcënimeve kibernetike.
Mbështetje përmes nismave të BE-së
Eurodeputetët mirëpresin Mekanizmin e ri të Reformës dhe Rritjes prej 922 milionë euro kushtuar Ballkanit Perëndimor, e cila do të mbështesë Agjendën e Shqipërisë për Reforma pasi të plotësohen kushtet. Hapja e zyrës-satelit të Parlamentit Evropian në Tiranë shihet si një hap jetik për të forcuar lidhjet midis BE-së, institucioneve lokale dhe partnerëve të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Procesi zgjedhor dhe reforma në drejtësi
Raporti reflekton mbi zgjedhjet parlamentare të majit 2025, duke i përshkruar ato si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e burimeve administrative. Eurodeputetët u bëjnë thirrje partive politike shqiptare që të angazhohen për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Progresi i bërë me reformën në drejtësi dhe hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë janë të mirëseardhura, megjithëse ndërhyrja politike mbetet një sfidë. Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur llogaridhënien.