Shkruar nga Avni Alcani & Ferit Fixha
Festa e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit niste me 13 mars, në atë që quhet Nata e Ditës së Verës, ose Nata e Verës. Ky ritual niste me marrjen e masave përgatitore: zbukurini i shtëpive me lule e gjelbërim, blerja ose qepja e rrobave të reja për ditën e festës, sigurimi i harxheve dhe nisja e gatimit të ushqimeve dhe ëmbëlsirave karakteristike dhe me nam për cilësi dhe shije. Nata e 13 marsit përcillte një atmosferë të veçantë, pasi amvisat punonin deri natën vonë dhe bëheshin përgatitjet për pelegrinazhin e të nesërmes. Në darkë ndaheshin hiset ushqimore për secilin pjesëtar të familjes. Fëmijët e vegjël hisen e tyre e fusnin në trasta të thjeshta prej doku ose beze me një gjalm të gjatë, që e kalonin krahëqafë. Secili kujdesej që në trastën e vet të mos i mungonin zahiretë e përgatitura, si thelat e mishit të gjeldetit, ëmbëlsirat, frutat etj.
Ndër ëmbëlsirat më të veçanta dhe më karakteristike ishte ballokumja, që nuk mund t’i gatuante kush tjetër si gjyshet dhe momat Elbasanase. Enët për gatimin e ëmbëlsirave dhe, veçanërisht të ballokumes, ishin të veçanta. Gjatë gatimit, momat pëshpërisnin rituale dhe “formula magjike”. Çdo fazë e gatimit të ëmbëlsirës shoqërohej me thithje buzësh, e cila jepej me një fishkëllimë karakteristike. Mendohej se fishkëllima largonte të keqen, që në Elbasan i thonë “Qoftëlargu”. Ballokumet nuk dërgoheshin për t’u pjekur në furrën e lagjes, por piqeshin në shtëpi, që të mos përfliteshin nga fqinjët dhe “të mos e merrnin mësysh“ nga njerëzit që e kishin “synin e keq“. Nxjerrja e ballokumes së fundit nga furra, ishte një çast i veçantë dhe shumë i rëndësishëm. Ëmbëlsira e pjekur dhe e ardhur mirë konsiderohej si një ogur, kurse ballokumja që nuk ishte pjekur siç duhej, sillte trishtim tek amvisat, pasi, sipas tyre, ajo ishte një shenjë e keqe.
Darka në prag të Ditës së Verës pritej me padurim dhe në familjet Elbasanase kishte shumë gëzim e hare. Në familjet e mëdha e patriarkale shtrohej një sofër e madhe dhe, nën kujdesin e Zonjës së Madhe, apo të “Madhes”, siç e thërrasin në Elbasan gruan më të moshuar të shtëpisë, ndaheshin racionet e ushqimeve të gatuara me zotësi dhe përkushtim të veçantë nga gratë e shtëpisë.
Pas ngrënies së darkës të gjithë pjesëtarët e familjes, duke vënë përpara fëmijët e vegjël, shkonin për të fjetur, pasi ditën e nesërme i priste një ditë me argëtime, e madhe dhe e gjatë, siç ishte Dita e Verës.
Nënë-Madhja do të rrinte gjithë natën zgjuar dhe gjatë kësaj kohe do të vendoste lule dhe barëra të gjelbër mbi jastëkët e çifteve, të të rinjve dhe fëmijëve. Plisat prej bari të njomë qenë vënë që një ditë më parë, në mbrëmje, mbi tjegullat e avllivsë dhe mbi strehën e portës të shtëpisë. Të gjithë banorët e shtëpisë ishin larë e pastruar një ditë më parë. Dita e re, 14 Marsi, niste me ritualin e vënies së veroreve. Verorja, sipas studiuesit Hyjni Ceka, ishte një “distinktiv“ që Elbasanasit e vendosnin gjatë ceremonisë së kremtimit të Ditës së Verës. Verorja ishte e përbërë nga dy fije leshi me ngjyrë të bardhë dhe të kuqe. Ajo simbolizonte gjakun e kuq dhe bardhësinë e moshës së re. Gjithashtu, besohej se verorja kishte fuqi mbrojtëse, që e mbronte personin nga e liga, nga sëmundjet dhe nga të marrurit mësysh. Por në disa raste verorja përdorej edhe me tri ngjyra: e bardhë, e kuqe, jeshile (ose e kaltër).
Një nga ritualet më të veçanta dhe unike gjatë ceremonialit të Ditës së Verës është “Kama“, që në qytetin e Elbasanit kishte të bënte me shpërndarjen e “hiseve“ te të afërmit, familjarët dhe miqtë e familjes. “Kama“ është një traditë unikale, që e bën të veçantë dhe e dallon kremtimin e festës në Elbasan. Me përgatitjen e ritualit merrej i zoti i shtëpisë, i cili do t’u bënte “Kamë“ të afërmve të tij. Hisja e “Kamës“ përmbante: ballokume, vezë të ziera, arra, palafik dhe 2-3 bisqe lule misiri, që në Elbasan çelin shumë herët. Për të dërguar “Kamën“ ngarkoheshin djem të rinj, ose djali më i vogël, i cili duhej të ishte me nënë e me babë gjallë. Ata këshilloheshin nga më të mëdhenjtë që, kur të futeshin në shtëpinë ku do të çonin “Kamën“, të hynin me këmbën e djathtë, për mbarësi. Hiset këmbeheshin; ashtu siç dërgoheshin, ashtu edhe do të merreshin hise nga familjarët dhe të afërmit e tjerë. Familja marrëse ia kthente në çast djalit pjatën e mbushur dhe e daroviste atë, duke e shpërblyer. Simbolika e këtij shkëmbimi ishte urimi për mbarësi e bereqet të ndërsjellë. Ky rit u zbeh në kohën e monizmit, ndërsa sot pothuaj nuk ndiqet më. Rituali i “Kamës“, shkruan studiuesi Hy. Ceka, shpërndarja e hiseve nëpër gjyshër e krushqi, është një traditë shumë e lashtë, që dëshmon për lidhjet që kanë Elbasanasit me brezat dhe me njëri-tjetrin. Sipas H. Cekës, mendohet se fjala “Kamë“ vjen nga fjala “Kambio” e latinishtes, që, sipas tij, është e huazuar prej gjuhës latine dhe që në gjuhën tonë shqipërohet “këmbim“ ose “ndërrim“. Elbasanasit konkuronin ndërmjet tyre me “Kamën“. Ata mateshin dhe mburreshin se kush e kush e dërgonte te tjetri hisen më të madhe, më të majme dhe më të shijshme.
Studiuesi Hy. Ceka, në librin e tij kushtuar Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit, shkruan se në këtë qytet, veç “Kamës“ tipike, për Ditën e Verës bëhej edhe një “Kamë“ tjetër, e cila, sipas tij, ishte disi më e veçantë. Ajo kishte të bënte me këmbimin e dhuratave midis të fejuarve. Të afërmit e dhëndrit dërgonin te dera e nuses disa sende, ku kishin futur një copë basme për fustan, disa arturina dhe një sasi e vogël me ëmbëlsira, si karamele, bonbone etj. Shtëpia e nuses ua kthente “Kamën“ dhe në të mund të kishin futur një jelek, rroba të brendshme dhe shami dore për të fejuarin. Edhe këto dhurata dërgoheshin prej një djali të ri ose me moshë më të vogël. Djali i vogël shoqërohej prej dados së tij. Dadoja ishte një grua që kujdesej për fëmijët në familjet e mesme, që zakonisht familjet elbasanase mbanin në shtëpitë e tyre.
Mëngjesin e Ditës së Verës kryhej dhe një rit tjetër disi i pazakontë. Djem të vegjël dilnin herët në mëngjes dhe i binin çekiçit të derës (familjeve jo farefis). Në qoftë se nga brenda dëgjohej thirrja: – Kush asht? – atëherë djali niste vargjet: “Marrsh morrat e pleshtat,/ gjumin e sabahut,/ ethet e verës, me çekiça derës…”.
Katër fazat e ritualit të Ditës së Verës në Elbasan. Pelegrinazhi, daljet në natyrë
Ritet e festës së Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit janë ruajtur dhe pasuruar vazhdimisht. Rituali i Ditës së Verës kalonte nëpër katër faza. Faza e parë ishte ajo përgatitore, që niste me grumbullimin dhe përgatitjen e zahireve të nevojshme për Ditën e Verës; faza e dytë fillonte në mbrëmjen e 13 marsit me ndezjen e zjarreve; faza e tretë niste në mëngjesin e 14 marsit të Ditës së Verës; dhe faza e katër është pelegrinazhi i Ditës së Verës, i cili organizohej në mesditën e 14 marsit dhe konsiderohej si piku i festës. Thanas Meksi, në librin e tij “Dita e Verës“ (Elbasan 1999), e ndan në tri faza përgatitjen dhe festimin e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit: Nata e Verës, më 13 mars; Mëngjesi i Ditës së Verës, më 14 mars; dhe Pikniku i Verës, më 14 mars.
Në vigjilje të natës së Ditës së Verës, në çdo shtëpi elbasanase, e cila ishte e mbushur plot me gjëra të mira dhe me bollëk, mbizotëronte një hare dhe një gëzim i madh. Portat zbukuroheshin me lule dhe bimë të gjelbëra. Në këtë natë, të afërmit, por edhe shokë e miq, të ardhur nga viset e tjera më të largëta, këndonin bashkarisht këngë rituale dhe këngë të vjetra popullore, si dhe shijonin gatimet e kuzhinës së grave elbasanase.
Elbasanasit zgjoheshin herët më 14 mars dhe, me një ceremonial e përkushtim të veçantë, hapin derën që të futej e mira dhe në të njejtën kohë të dilte e liga. Me ujin e enës ku ishin futur më parë lulet e stinës, të cilat ishin mbledhur një ditë më parë, si manushaqet, karakaftet etj., laheshin sytë dhe fytyra e familjarëve në mëngjesin e Ditës së Verës. Më pas pihet ujë nga ena ku ishte futur në ujë zhardhoku i një bime që gjendet nën tokë, në zonat me pyje dhe gjelbërim dhe që quhet “Buka e derrit”.
Në mëngjesin e 14 marsit lidhej në kyçin e dorës verorja, e cila ishte e formuar nga bashkimi i dy fijeve: të kuqe dhe të bardhë. Verorja hiqej dhe vendosej në ndonjë degë peme, ose në ferra. Elbasanasit besonin se veroren do ta merrte dallëndyshja dhe do ta vendosë në folenë e saj.
Pelegrinazhi, apo shëtitja në natyrë, që elbasanasit e quajnë Pikniku i Madh, ishte pjesa kulmore e festës se Ditës së Verës. Rreth orës 10.00 të paradites Elbasanasit niseshin grupe-grupe për të vijuar rrugën jashtë qytetit, për në vendet më piktoreske, siç ishin bregu përgjatë lumit të Shkumbinit, Burimi i Bushekut, Burimi i Bangës, Burimi i Ali Xhinsit, Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Ulliri i Qejfit, Teferiçi, Teqja e Madhe me çairet e saj, Tyrbja e Shutrit, Varrezat e Mëdha (sot Parku “Rinia”), Tepja etj. Disa prej banorëve blinin rrugës, nëpër dyqane, apo tezga të krijuar enkas për atë ditë, si qahi, simite dhe bugaçe aq të njohura të Elbasanit. Djemtë, të ngarkuar me trastat e tyre, kishin dalë pak më herët dhe ishin mblidhur në një vend të caktuar, nga ku niseshin së bashku drejt piknikut. Me vete ata merrnin topa llastiku për të luajtur dhe shkrepëse për të bërë zjarr. Nëpër kodra e çaire ata hanin, loznin, mblidhnin lule të ndryshme në lëndina dhe argëtoheshin derisa të thyhej dita. Kurse vajzat dilnin së bashku grupe-grupe dhe ishin të shoqëruara me prindërit e tyre. Atë ditë vajzat e reja kishin dalë të zbuluara dhe pa shami në kokë.
Me të mbërritur në vendin e caktuar që më parë, familjet shtronin mbulesa e qilima dhe qëndronin afër njëra-tjetrës. Ato hanin e pinin, bisedonin dhe këndonin. Ditën e Verës Elbasanasit e festonin pa ndonjë organizim të paracaktuar, por gjithçka ishte e rastësishme. Nëpër sheshe të vogla shiheshin këngëtarë popullorë të qytetit me instrumentet dhe orkestrinat e tyre. Në hyrje të qytetit, aty ku ndodhet sot Parku Rinia, disa të rinj, të shoqëruar nga orkestrinat popullore dhe këngëtarët më të mirë Elbasanas, këndonin këngët e usta Isuf Myzyrit, si: “Për gjith’ shokët asht Ditë Vere;/ Dimni tem s’ka të maru!/ Ç’jan k’to lajme, k’to habere?!/ Ah, erdh koha me kalu…!“.
Vendi më i pëlqyer për Elbasanasit ishte Rrapi i Mansit. Ky vend, që të kujton emrin e një stacioni Romak (Manthio) dhe që, siç e kemi përmendur edhe më lart, ka qenë zanafilla e qytetit antik Skampa, ka pritur e përcjellë në shekuj udhëtarë e pelegrinë, të cilët, siç shkruan studiuesi Hyjni Ceka, vinin në Skampinin e lashtë për t’iu falur Dianës së Kandavëve.
Elbasani, kryeqendra e festimit të Ditës së Verës Shqiptare
Dita e Verës në qytetin e Elbasanit ka qenë dhe do të mbetet një nga festat më tradicionale të këtij qyteti. Elbasanasit e ruajtën këtë traditë shekullore në gjirin e tyre edhe kur në Shqipëri mbizotëronte sundimi komunist dhe ishte e ndaluar me ligj që të kremtoheshin festat tradicionale me prejardhje pagane e fetare, të cilat s’i përshtateshin moralit komunist të kohës.
Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, pushtetarët e kohës kishin ndërmarrë nisma “revolucionare“, sipas modelit të revolucionit kulturor kinez, për “zhdukjen nga rrënjët të mbeturinave fetare dhe zakoneve prapanike“. Në ato vite diktatura arriti që të ndalojë me dhunë besimet dhe festat me përmbajtje fetare, si dhe të mbyllte e të shkatërronte objektet e kultit, por kurrë nuk arriti që të ndalojë festimin e Ditës së Verës. Qytetarët elbasanas, edhe në ditët më të errëta të dhunës së ushtruar nga organet e diktaturës së proletariatit, e patën festuar vit pas viti Ditën e Verës. Ata organizoheshin në familjet e tyre për të festuar së bashku dhe i kishin reduktuar deri diku daljet e manifestimet në natyrë, siç ishin pelegrinazhet.
Pas viteve ’90, Dita e Verës e rimori përsëri emrin dhe dinjitetin e saj, duke u përhapur në mënyrë masive, si në qytetin e Elbasanit, por dhe në të gjithë territorin e Shqipërisë. Në ditën e 14 Marsit qyteti i Elbasanit mirëpret Shqiptarët nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe jashtë saj, duke e kthyer qytetin si kryeqendrën e festimit të Ditës së Verës në Shqipëri.
(Marrë nga libri “Zana dhe Dita e Verës në Çermenikë e në viset e tjera shqiptare”. Tiranë 2015)