Nga Ben Andoni
Ka një debat të fshehur, që ushqehet vetëm në rrjetet sociale, por edhe në mjedise social-kulturore, ku individë të ndryshëm përplasin ide por edhe pretendime, që lidhen me Kosovën dhe e kundërta nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Nga më të fundit kanë qenë ato lidhur me lojtarët e përfaqësueses së futbollit dhe interesat e përbashkëta, që shpesh bien ndesh me njëra-tjetrën. Mosekzistenca e shtetit kosovar, që dikur konsiderohej si një shtrëngesë për lojtarët, tashmë është një fat me krijimin e këtij shteti. Lojtarët e saj kanë të mundur të zgjedhin mes dy përfaqësueseve shqiptare. Në fakt, pikërisht ky element ka nxjerrë disi atë që sot transferohet nga fushat e lojës në marrëdhënien mes dy vendeve tona, një lloj stigme të fshehur, që sociologët ende se kanë kategorizuar.
Trajneri italian i përfaqësueses De Biasi në një intervistë të ditëve të fundit do e konfirmonte se prania e Kosovës në eliminatore ka kufizuar në përzgjedhje Shqipërinë. Ai ka konfirmuar gjithashtu se ekziston një mirëkuptim i ndërsjellë ndërmjet Federatave të Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilat nuk duhet t’i prishin planet njëra-tjetrës. Dhe, që funksion në dukje. Por, e vërteta është se pavarësisht fjalëve dhe marrëdhënieve shumë të mira, Federatat respektive e ndjejnë tensionin prej reagimeve të trajnerëve të tyre. Jo pak herë objekt vëzhgimi i trajnerëve respektivë janë të njëjtët lojtarë. Jo pak herë, me lobingjet e tyre, ata punojnë tek të rinjtë për të ofruar alternativat më të mira, që duhet thënë se bëhen duke përdorur elementë të ndryshëm, që i vendosin shkopinj në rrota njëri-tjetrit.
Ka qenë një gjetje interesante ajo që përdori trajneri kosovar Bunjaki para një ndeshje ndërkombëtare, që përkundrejt simbolikës të njëjtë nacionaliste që përdoret si frymëzim nga shqiptarët, të gjente një autor kosovar. Poezia e Podrimes në fakt do të thoshte shumë për Kosovën, por jo shumë për Shqipërinë, krejt ndryshe shumë autorë shqiptarë, për vetë specifikën e tyre, përdorin figuracione që përfshijnë areal gjithëpërfshirës kombëtar.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme është sjella e tifozëve. Ka një kërcitje të madhe të grupeve të ndryshme, që e përcjellin simbolikat e tyre nacionaliste shqiptare. Prej kohësh shikohet që grupimet e ndryshme e përcjellin këtë kërcitje të marrëdhënieve me Shqipërinë. E fundit erdhi nga “Dardanët”, një nga grupimet më të mëdha të tifozerisë kosovare, që tashmë e kërkojnë në mënyrë ultimative stadiumin në Kosovë prej mënyrës së trajtimit në Shqipëri, që duhet thënë se lidhet me një lloj shemrie të hershme me Kosovën. Në fakt, policia shqiptare jo vetëm s’është korrekte shpesh me tifozët kosovarë, por nuk lejon edhe të shfaqet nacionalizmi i tyre, kur nuk bie ndesh me rregullat e UEFA/FIFA.
Ndërkohë vetë qëndrimi ndaj Kosovës ka ndarë kosovarët, ku lideri i “Plisave” Albert Kastrati e ka krahasuar atë me banerin e Arbëreshëve të cilët në ndeshjen Itali – Shqipëri shpalosën banerin “Një gjuhë, një gjak, një komb”. Lideri i Dardanëve, Berisha, ua ka kthyer se: “S’ka njeri që është kundër Kosovës sime, jo, këta janë do huliganë që as veten s’e duan. Në tifo-grupin tonë janë njerëz që e duan vendin e jo njerëz droga e rakia e kundër shtetit që jetojnë. Le të më thonë këta farë patriotash se ku e kanë pa atë sen që ne jemi kundër bashkimit kombëtar e kundër Shqipërisë, po ai baner është qel në tokën shqiptare e jo në Greqi e as në Rusi… Marre llaskuca t’pabesë”.
Anipse kjo gjuhë nuk përcillet në Shqipëri, që janë tejet indiferent me Kosovën, por edhe pak si shumë nënvlerësues, duke mos e parë si realitet real ndarjen e Kosovës në futboll. Në simbolikat e tifozerive zakonisht mungojnë shfaqjet nacionaliste që lidhen me Kosovën, por edhe një indiferencë e hapur për performancat e saj, përfshirë dhe ato që lidhen me rezultatet e mira ndërkombëtare…Duket se nacionalizmi shqiptar po fillon e preket mu në arealin e saj më besnik, marrëdhënien në sport Shqipëri-Kosovë. (Javanews)











