Koreja e Jugut po investon në modernizimin e ushtrisë përmes inteligjencës artificiale dhe robotikës. Ministria e Mbrojtjes ka inauguruar të hënën bazën e parë ushtarake të dedikuar për zhvillimin e këtyre teknologjive, me synimin që robotët të kryejnë detyra të rrezikshme në fushëbetejë.
Objekti ndodhet në Pangyo, në jug të kryeqytetit Seul, dhe do të përdoret për trajnimin e robotëve humanoidë dhe robotëve me shumë këmbë.
Sipas ministrisë, për zhvillimin e tyre do të shfrytëzohen të dhëna të inteligjencës artificiale fizike dhe modele të avancuara të IA-së, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Robotët pritet të përdoren për transportimin e furnizimeve në zona të rrezikshme, neutralizimin e mjeteve shpërthyese dhe pastrimin e fushave të minuara. Qëllimi është të reduktohet ekspozimi i ushtarëve ndaj rreziqeve që kërcënojnë jetën e tyre.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, synimi është krijimi i një qendre të avancuar ndërkombëtare për inteligjencën artificiale fizike, e cila u mundëson robotëve të perceptojnë dhe të ndërveprojnë me mjedisin përreth.

