• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, February 14, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Koncerti i Vjenës/ “Beethoveni” mbledh edhe zërat nga Kosova

by Java News
01/01/2024 10:46
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter
Muzika e ka këtë fuqi, e bën publikun që të prekë horizonte të ndryshme. Këtë fuqi e kanë pasur edhe koristët nga Kosova. Për herë të parë në jetën e tyre kanë qenë me një numër të tillë të publikut para. Me aso që zgjedhin që për netët festive të dëgjojnë Beethovenin (Foto: Arben Llapashtica)
Kori kosovar do te jete sot ne Koncertin e fillimvitit ne Vjene. I nderuar me shume çmime, ai do te jete ne perberje te korit te madh te kesaj ngjarje te madhe, qe kremtohet per çdop fillim viti.
                                                                               ****
Është një “shfaqje” që nuk fillon në skenë. As në hollin hyrës, por nis para ndërtesës së Sallës Koncertale të Vjenës. Kolona e taksive fillon të marrë formë para ndërtesës së inauguruar më 1913. Të veshur shik, nis të hyjë brenda publiku që ka vendosur të përcjellë një prej koncerteve më të rëndësishme që skena artistike e kryeqytetit austriak e jep në kuadër të festave të fundvitit. Kush me kartë bankare e kush me para kesh, të pranishmit nisin të paguajnë varjen e palltove te gardëroba për publikun. Aty edhe bëhet ndarja e atyre që do të futen në nivelin e parë – më të madhin e sallës – dhe ata që shkojnë në nivelin e dytë dhe të tretë, ku gjithçka shihet si në shuplakë të dorës. Pas skanimit të biletave, nis rrugëtimi për t’u futur nëpër objektin që numëron disa salla me emra të kompozitorëve të njohur. Por më 30 dhe 31 dhjetor e po ashtu më 1 janar, Salla e Madhe është nikoqirja kryesore. Rehatimi i publikut nëpër vende bëhet goxha më herët sesa të nisë koncerti. Pamja: madhështore. Me tavanin e larë në ngjyrë ari e me dekorime prej më të ndryshmeve, bashkë me shtyllat ikonike e skenën gjigante, salla është e gjitha me një enterier magjepsës. Atmosfera e festave të fundvitit mbretëron. Kur publiku i veshur për “Simfoninë e nëntë” të Ludvig van Beethoven ulet, sallës i shtohen ngjyrat edhe më.
Ndërkohë, në prapaskenë ka tjetër disponim. Anëtarët e korit vjenez, “Singeakademie” bashkë me 21 anëtarë të korit nga Kosova “Siparantum” janë duke bërë vokalizmat. Pra, ushtrimet e fundit para se të ngjiten në skenë. Ata të Kosovës e kanë për herë të parë këtë. Emocionet vërehen fort. U ndihmon goxha qasja prej ballkanasve për të hyrë serbes gjithkund. Dhe kështu vazhdojnë labirinteve të objektit për të dalë në skenë.

Krejt pak para se fillimisht orkestra të dalë në skenë, stafi u uron mirëseardhje mbi një mijë vetave, duke i lutur që të ndalin telefonat dhe po ashtu bëhet e ditur që ndalohet fotografimi dhe incizimi i koncertit në çfarëdo forme. Ecja e anëtarëve të Orkestrës Simfonike drejt skenës, është spektakël më vete. Të shtunën mbrëma ata janë duartrokitur nga publiku që ka parë koncertin e parë në kuadër të triptikut. Përderisa skena mbushet për veprën e vetme vokalo-instrumentale të Beethovenit, bashkë me radhët e Korit janë ngjitur edhe 21 kosovarë. Të miksuar me anëtarët e korit “Singakademie”, ata kanë zënë pozicionet e tyre duke ulur për të pritur pjesën e katërt të veprës ku Kori ka rolin e tij. “Simfonia e nëntë” e Berthovenit – e konsideruar si një prej veprave më me peshë në muzikën klasike – ishte luajtur në këtë sallë për herë të parë në tetor të vitit 1913 në koncertin inaugurues të sallës në praninë e perandorit Francis Joseph I. Në atë mbrëmje ishte interpretuar edhe “Festliches Präludium op. 61” e Richard Straussit.

Image
Në ditët festive, 21 të rinj nga Kosova i janë bashkuar një prej spektakleve më të mëdha të muzikës klasike që këto ditë ndodh në Evropë. Për dallim prej herëve të tjera, sivjet dirigjenti izraelit Omer Meir Wellber ka vendosur që “Simfonia e nëntë” – që te pjesa vokale ka poemën “Ode gëzimit” të Friedrich Schillerit – të shtojë edhe diçka. Këtë e ka treguar pak para se të nis koncerti (Foto: Arben Llapashtica)

“Ode gëzimit” në sallën e artë

Fiks 113 vjet më vonë, në ditët festive, 21 të rinj nga Kosova i janë bashkuar një prej spektakleve më të mëdha të muzikës klasike që këto ditë ndodh në Evropë. Për dallim prej herëve të tjera, sivjet dirigjenti izraelit, Omer Meir Wellber, ka vendosur që “Simfonia e nëntë” – që te pjesa vokale ka poemën Oda gëzimit” të Friedrich Schillerit, të shtojë edhe diçka. Këtë e ka treguar pak para se të nisë koncerti.

“Beethoveni ka shkruar një letër, ku ka thënë se ka ëndërruar duke shkuar nga Vjena në Jerusalem pastaj nëpër Arabi dhe mandej është kthyer. Ne kemi vendosur ta shtjellojmë këtë, por do ta bëjmë që ai të vijë nga Siria në Vjenë ku do të zbulojë një kulturë të re. Por se a do të jetë ëndërr apo realitet, mbetet që të përzgjidhni ju”, i është drejtuar ai publikut pak para se të japë sinjal që Orkestra të nisë lojën. E kur interpretimi nis, është e pamundur që të dëgjohet diçka tjetër në sallë. Duket sikur të pranishmit janë të kujdesshëm të lëshojnë edhe frymën. Nëse rastësisht dikush tenton të shkrepë një fotografi me telefon, intervenimi nga pjesëtarët tjerë të publikut për ta ndalur është i hatashëm.

Nën lojën madhështore të Orkestrës dhe me dirigjimin brilant duke bërë që energjia të kaplojë tri nivelet e sallës së artë, publiku është futur në rrugëtimin e veprës së shkruar në vitet ’20 të shekullit XIX. Është ambient ku e magjishmja dhe realja ecin paralel dhe nuk dihet kush kujt ia merr anën. Por muzika e ka këtë fuqi, e bën publikun që të prekë horizonte të ndryshme. Këtë fuqi e kanë pasur edhe koristët nga Kosova. Për herë të parë në jetën e tyre kanë qenë me një numër të tillë të publikut para. Me aso që zgjedhin që për netët festive të dëgjojnë Beethovenin dhe atë nga një Orkestër që nëse bën diçka përkryer, luan “Simfoninë e nëntë”.

Image
Nën lojën madhështore të Orkestrës dhe me dirigjimin brilant duke bërë që energjia të kaplojë tri nivelet e sallës së artë, publiku është futur në rrugëtimin e veprës së shkruar në vitet ’20 të shekullit XIX. Është ambient ku e magjishmja dhe realja ecin paralel dhe nuk dihet kush kujt ia merr anën (Foto: Arben Llapashtica)

Ëndrra e veprës dhe e koristëve të “Siparantumit”

Pjesa e letrës së Beethovenit ishte një ëndërr më vete. Interpretimi i saj bashkë me atmosferën që ka sjellë i kanë dhënë “Simfonisë…” ngjyrat e operës. Kurse pjesa vokale e dramatizon shumë. Kur dirigjenti izraelit jep sinjal që Kori të fillojë, gjithçka shkon në një tjetër nivel. Përmasat e veprës zgjerohen, Salla mbështillet me një tjetër jehonë. Ritmi sa vjen e përshpejtohet. Atmosfera shkon deri në masën sa edhe pse gjithçka është statike duket sikur aty është duke u zhvilluar një teatër i madh. Bëhet fjalë për njëfarë gjendjeje transcendente dhe merret vesh se ëndrra e përmenduar nga dirigjenti krejt, në fillim nuk ka qenë pa qëllim.

“Kur kam filluar të merrem me muzikë korale, kam menduar që ndonjë ditë do të mund të vij këtu e të dëgjoj një koncert të tillë e jo të jem pjesë e interpretuesve. Pra është një ëndërr e bërë realitet”, ka thënë koristja Fllanza Taraku menjëherë pas koncertit. Bashkë me kolegët derisa kanë shkuar në zhveshtore kanë përqafuar njëri-tjetrin si urim që ia dolën.

“Është ndjenjë e papërshkrueshme të ngjitemi në këtë skenë me një Orkestër si kjo pasi gjithmonë e kemi pasur ëndërr. Kjo na u bë realitet. S’ka se si të mbyllet më mirë ky vit. Është një moment që do ta mbaj në mend gjatë gjithë jetës”, ka thënë baritoni Shaban Behramaj.

Image
Të njohurit “Silverter Concert” që mbahen në Vjenë paralelisht me “Koncertin e Vitit të Ri” të mëngjesit të ditës së parë të vitit, kanë tjetër peshë (Foto: Arben Llapashtica)

Realisht krejt anëtarët e “Siparantumit” që kanë interpretuar në këtë skenë, kanë qenë në gjendje emocionale thuajse të njëjtë. Vijnë nga një vend që ka përjetuar luftën para me pak se çerekshekulli. Nga një vend ku salla koncertale krejt normale është ekzotike pasi nuk ekziston. Me prova nëpër qendra rinore e nëpër kisha, nën udhëheqjen e Memli Kelmendit ia kanë dalë të interpretojnë në një Sallë të inauguruar me vepra ikonike nën praninë e Perandorit të Austro-Hungarisë.

Momentet e fundit të veprës janë kulmore. Mund të ndikojnë që pos publikut, edhe vetë interpretuesit të kenë ndonjë “flashback” të përjetimeve të tyre. Ambienti me ngjyrat e abazhurët që ka, u jep forcë shpërthimeve emocionale.

“Si muzikante kjo është një prej ëndrrave që kemi pasur frikë edhe ta mendojmë. Si këngëtarë kemi lindur me një medaljon në fyt dhe të ngjitemi këtu është një prej dhuratave më të mira, sidomos para publikut vjenez që e vlerëson shumë muzikën e skenën”, ka thënë koristja Natyra Mehmeti.

Image
Atmosfera e festave të fundvitit mbretëron. Kur publiku i veshur për “Simfoninë e nëntë” të Ludvig van Beethoven ulet, sallës i shtohen ngjyrat edhe më (Foto: Arben Llapashtica)

Koristët kosovarë sivjet kanë pasur shumë suksese. Kanë marrë medalje të arta në gara botërore e evropiane në Korenë e Jugut e në Suedi. Por të njohurit “Silverter Concert” që mbahen në Vjenë paralelisht me “Koncertin e Vitit të Ri” të mëngjesit të ditës së parë të vitit, kanë tjetër peshë. Bëhet fjalë për një qytet ku prej reliefëve te statujat e dizajnet e çokolatave i ka me imazhe të kompozitorëve të vet. I ka dhënë botës veprat më ikonike që mund të ketë muzika klasike.

“Vetëm sikur turistë apo publik të ishim sonte, kjo do të ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Ishte një mbrëmje historike dhe një ndjesi që nuk e kam pasur kurrë në jetë. Sonte jam më i emocionuar sesa kur dirigjoj vetë. Është një ndjenjë që do ta mbaj në mend për jetë. Është një histori se po i japim një tjetër imazh vendit tonë”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi.

Historia e muzikës korale në Kosovë prej së hënës ka shtuar edhe një kapitull të ri: Atë të interpretimit në “Silvester Concert”. Për rrethanat e Kosovës, nuk është aspak patetike të thuhet se mund të duket ëndërr. Dirigjenti Omer Meir Wellber krejt në fillim i ka thënë publikut të vendosin nëse disa pjesë të koncertit janë ëndërr ose realitet. Por për pjesëmarrjen e koristëve kosovarë në këtë koncert nuk ka më mëdyshje. E kanë vendosur vetë. E kanë bërë realitet. Koha Ditore

 

Next Post
ChatGPT, revolucioni teknologjik për 2023: Ja çfarë na pret në vitin 2024!

ChatGPT, revolucioni teknologjik për 2023: Ja çfarë na pret në vitin 2024!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Mediaset: Donald Trump blen një ishull në Shqipëri

Mediaset: Donald Trump blen një ishull në Shqipëri

February 13, 2026
Babai kërcënon vajzën me thikë në Durrës, plagos veten pas ndërhyrjes së policisë

Babai kërcënon vajzën me thikë në Durrës, plagos veten pas ndërhyrjes së policisë

February 13, 2026
Murrizi flet hapur: Deputetët e opozitës kanë një vit nuk shkelin në zonat që janë zgjedhur, nuk gëzojnë reputacion

Murrizi flet hapur: Deputetët e opozitës kanë një vit nuk shkelin në zonat që janë zgjedhur, nuk gëzojnë reputacion

February 13, 2026
“Duan të më shantazojnë me video intime!”, Rivali i Orbanit akuza partisë në pushtet dy muaj para zgjedhjeve

“Duan të më shantazojnë me video intime!”, Rivali i Orbanit akuza partisë në pushtet dy muaj para zgjedhjeve

February 13, 2026
Akuzohet për krime lufte në Kosovë/ Serbia arreston një ish-anëtar të UÇK-së

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Andoni: Presim zbutje dënimi. Qeveria e Kosovës dështoi në mbrojtjen e tyre

February 13, 2026
Debate të forta në Kryesinë e PD, Salianji përplaset me Nokën: Ke shkatërruar partinë! Jep dorëheqjen, Flamur!

Opozita në rrugë, Çejku: Duhet të përgatisë alternativë, të dallojë nga qeveria

February 13, 2026
“Trazira gjatë demonstratës”/ Mediat e huaja pasqyrojnë protestën e PD: U hodh molotov drejt Parlamentit

Biberaj: Kam pasur oferta nga Edi Rama, ja çfarë do të ndodhë më 20 shkurt

February 13, 2026
Baraba u lirua, Shabani u kryqëzua

Dashi e mundi Berishën në lojën e vet

February 13, 2026
“Thaçi dhe të tjerët”, Prokuroria kërkon 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK

Rezolutat e Shqipërisë dhe Kosovës për ish-krerët e UÇK-së, analistët: Duhet ofensivë diplomatike e përbashkët

February 13, 2026
Katastrofë në Luvër, përmbyten sallat me kryeveprat italiane. Dëmtohet rëndë afresku i shekullit XIX

Katastrofë në Luvër, përmbyten sallat me kryeveprat italiane. Dëmtohet rëndë afresku i shekullit XIX

February 13, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In