Agjencia e Trajtimit të Pronave do të hartojë një “grafik” të saktë për ndarjen e fondeve të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit për shpërndarjen e fondit 3.33 miliardë lekë për vitin 2017. ATP-ja duhet të pasqyrojë shpërndarjen e fondit të vitit 2016, i cili ishte në vlerën 3 miliardë, si dhe duhet të mbyllë vlerësimin ekonomik për 26 mijë vendime.
Këto janë rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me ndarjet e fondeve, të cilat janë bërë të ditura në raportin e auditimit për periudhën 01.01.2014 deri më 30.06.2016. Në raportin prej 42 faqesh janë pasqyruar në mënyrë të detajuar të gjitha gjetjet e auditimit, ku ndër më të rëndësishmet janë gabimet në llogaritjet e sipërfaqes takuese për ndërtimet që janë legalizuar dhe në oborret në përdorim. KLSH-ja ka gjetur shkelje në 37 raste dhe pronarët e këtyre sipërfaqeve duhet të kthejnë vlerën e dëmit pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
RAPORTI
ATP Tiranë, për periudhën 2014-30.6.2016 nuk ka ndjekur hapat e duhur ligjorë për instalimin e sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, pra dhe nuk ka hartuar e zbatuar dokumentet lidhur me organizimin e procesit. Hartimi i deklaratës së qëllimit, misionit, vizionit dhe objektivave themelorë të aktivitetit; Plani strategjik, miratimi dhe monitorimi i tij.
“Nga auditimi nuk u paraqit dokumenti ‘Deklarata e misionit, vizionit, qëllimit dhe objektivave themelorë të aktivitetit’, i cili do të përfshinte së paku 4 objektiva strategjikë që burojnë nga programi i qeverisë, ligji funksional, objektiva të cilët do të pasqyrojnë në mënyrë të qartë, konkrete e koncize misionin, vizionin dhe objektivat e ATP-së në mënyrë të matshme të krahasueshme për treguesit kryesorë të synuar për t’u arritur dhe të arritur për objektivat themelorë të aktivitetit të ATP-së për vitet 2014, 2015 dhe 2016, mungesa e të cilëve sjell pamundësinë e monitorimit dhe vlerësimit”, thuhet në raport.
Sipas KLSH-së, nuk ka ose nuk u paraqit ndonjë dokument për analizën dhe raportimin e treguesve të parashikuar dhe të monitoruar për realizimin e objektivave themelorë të aktivitetit për ATP-në në secilin prej viteve 2014 dhe 2015, ekzistenca e të cilit do të krijonte mundësinë për audituesin, por edhe për publikun, të dhënies së një opinioni vlerësues lidhur me arritjen e objektivave për secilin prej viteve 2014 dhe 2015. Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon ATP-së të marrë masat për të ndjekur procedurat dhe hapat e duhur ligjorë për instalimin e sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit.
REKOMANDIMI
Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon ATP-së që menjëherë të nisë punën për hartimin dhe miratimin e dokumentit të Strategjisë dhe plan-veprimet përkatëse, të përfshijë objektivat lidhur me parashikimin, zbërthimin, programimin, monitorimin dhe raportimin e treguesve të matshëm e të pamatshëm që u përkasin 4 objektivave kryesorë të Programit të Qeverisë. Dhe konkretisht: “Për objektivin e përshkruar: ‘Në 3 vjet do të mbyllet procesi 25-vjeçar i njohjes së pronësisë dhe do të përfundojë vlerësimi ekonomik i 26 mijë vendimeve për kompensim”, nuk është bërë ndarja në tri vite 2014-2017, dhe të raportojë e marrë në konsideratë monitorimin e këtij treguesi për periudhën 2014, 2015 dhe 6 mujorin I 2016 në korrektim të plan-veprimit që do hartohet.
Për objektivin e përshkruar: ‘Është krijuar fondi i qëndrueshëm dhe i paprekshëm për kompensimin’, që lidhet me kompensimin financiar; të bëhet ndarja e fondit për secilin prej 3 viteve 2014, 2015 dhe 2016, ku përcaktohen 3 miliardë, 3,33 miliardë dhe 3,69 miliardë lekë, dhe të shprehet e merret në konsideratë niveli i parashikuar dhe i realizuar i këtij treguesi, në korrektim të plan-veprimit që do hartohet”, thuhet në raport. Ndërsa, në lidhje me kompensimin fizik, nuk janë parashikuar dhe përfshirë në dokumentin e strategjisë treguesit e shpërndarjes si fond kompensimi fizik të tokës bujqësore prej 23,368,8 ha, vlerësuar me 37 miliardë lekë, dhe të fondit pyjor dhe kullosor prej 50,989,76 ha, vlerësuar 60 miliardë lekë, si dhe të 150 objekteve, vlerësuar në vlerën 2,1 miliardë lekë; tregues të cilët të përfshihen si nivel parashikimi e realizimi në strategjinë, matricën e treguesve të planveprimit që do të hartohet e monitorohet.
VENDIMET
“Agjencia e Trajtimit të Pronave, Sektori i Financës, duhet të marrë menjëherë masa në organizimin dhe mbajtjen e evidencës kontabël analitike të detyrimeve mbajtur në llogaritë 6027 ‘Shpenzime për detyrime për Kompensime’, pra shpenzimet e lindura nga vendimet gjyqësore për paga nga ndërprerjet e marrëdhënies së punës dhe detyrimet në llogarinë 604 ‘Transferime korrente të brendshme’.
Detyrime të rrjedhura nga vendimet e gjykatave për kryesisht kompensim financiar për kthim kompensim prone dhe apo oborre; si dhe shpenzimet gjyqësore; të dyja këto llogari të pasqyruara në mënyrë sintetike, dhe të mbajtura të grupuara analitikisht sipas datës së hyrjes së vendimit në vitin përkatës, por nga ana tjetër të kryqëzuara sipas datës së vendimit, pra datës së krijimit të detyrimit; të dyja këto llogari analitike të grupohen edhe bazuar në kriterin e fiksimit të vitit si datë hyrjeje, duke i klasifikuar vendimet sipas datës së shpallur nga gjykata, mënyrë kjo që realizon ndjekjen e parimit të kontabilitetit ‘Hyrja e parë-dalja e parë’ në procesin e shlyerjes së detyrimit, nëpërmjet bashkërendimit të sektorit të financës me grupin e trajtimit të vendimeve të gjykatave”, thuhet në raportin e KLSH-së.
ma.me