Me heqjen e fashës 300 kilovat për pagesë e en ergjisë elektrike pritet të përfitojnë edhe 5000 vetë më tepër nga 203 – mijë familje që janë në skemë. Përmes vendimit të fundit të qeverisë, për t’u ardhur në ndihmë familjeve me pak të ardhura, kompensimin do ta përfitojnë edhe kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie qyteti e fshati, edhe pse banojnë në fshat, me kushtin që familja të përbëhet vetëm nga pensionistë. Gjithashtu në skemë, për të marrë 648 lekë më shumë çdo muaj, do të përfshihen edhe kryefamiljarët që marrin pension social, si dhe anëtarët e familjes me pension familjar. Deri më tani kjo masë përfitohej vetëm nga ata kryefamiljarë, të cilët përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por me kushtin që të ishin me banim në qytet. Ndryshimi i ri do të heqë pagesat edhe për familjet që kanë mbyllur dyert e shtëpive, e që përfitonin pagesën duke mos konsumuar asnjë kilovat energji. Lidhur me këta të fundit, vendimi citon se “është vendosur përjashtimi nga kualifikimi për të përfituar në rastet kur fatura e lëshuar nga OSHEE ka të evidentuar vetëm tarifën fikse të shërbimit prej 340 lekë”.
“Vendosja e këtij kushti do të përjashtojë mjaft kërkesa të atyre personave që për arsye të ndryshme nuk banojnë në shtëpitë e tyre”, thuhet në vendim. Këtë propozim, hartuesit e mbështesin në faktin se nuk ka logjikë apo arsye të legjitimuar që të paguhet një kompensim 640+648 lekë, kur fatura është në vlerën 340 lekë dhe kjo e mbuluar nga kompensimi i vendosur në vitin 1993. Si realizohet pagesa Kompensimi për pensionistët realizohet nga qendra e pagesës së pensioneve, sipas gjenerimeve në portalin informatik të pagesave të pensioneve ose mbi bazën e urdhërpagesës së listuar, që përgatitet nga strukturat rajonale të ISSH-së. Dokumentimi i pagesës faktike të kompensimit bëhet nga një listëpagesë e veçantë, e cila nënshkruhet nga përfituesi në emër të tij dhe nga qendra paguese. Kompensimi i diferencës së çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 kwh fillon nga 1gushti dhe i përgjigjet energjisë elektrike të shpenzuar nga data 1 korrik. Me qëllim që gjenerimi dhe pagesa e kompensimeve në favor të përfituesve të kryhet pa krijuar shqetësime, fillimisht nga ISSH si dokumente që përcaktojnë të drejtën e përfitimit, janë të vlefshme 3 dokumente, deklarata (vetëdeklarimi), certifikata personale dhe libreza e energjisë.
Vetëdeklarimi Për të përfituar, personat që u përkasin këtyre shtresave duhet të bëjnë një vetëdeklarim, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të marrin paratë. Kjo, sipas një vendimi qeverie që rregullon mënyrën e përfitimit e ku saktësohet se kjo procedurë zhvillohet pranë institucioneve përkatëse, në të cilat përfituesit marrin pagën, pensionin apo përfitimet e tjera. “Përfituesit, të cilët kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 kilovat/orë, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në të cilat ata marrin pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit të tyre personal. Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast, institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet ndër të tjera në vendim, ndërsa theksohet se ata persona që do të bëjnë deklarim të rremë, do të detyrohen ta kthejnë përfitimin e padrejtë si dhe do të përjashtohen, përgjithmonë, nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike. Bazuar në numrin e përafërt të llogaritjeve, efektet financiare prej rreth 45 milionë lekësh do të përballohen nga vetë Fondi i Sigurimeve Shoqërore, të programuar për vitin 2016.
Kategoritë
Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, sipas ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Të verbrit. Personat paraplegjikë e tetraplegjikë. Familje me ndihmë ekonomike. Kryefamiljarë në pensione pleqërie e invaliditeti.
210 000 familje janë të përfshira në skemën e përfituesve të pagesave të energjisë elektrike, me heqjen e fashës prej 3000 kilovat.
Neritan Gjergo
ma.me