Jo shumë ditë larg lajmit të hidhur që njoftoi ndaljen e zemrës, Elida Cangonji postoi në “Facebook” dy buqeta të mëdha lulesh të kuqe. Më 31 tetor, Lida, siç e thërrisnin miqtë, kishte ditëlindjen e 63- të dhe të fundit. “Ia bleva vetes këto lule, e kuqja më bën të dorëzohem”, shkroi mbi fotografinë. Në fakt, nuk donte vetëm lulet e kuqe, donte natyrën. Fotografitë e saj në fusha të stërmëdha me luledielli e me livando janë nga më të bukurat që mund të shihni. Një pemë përpara oborrit të shtëpisë na shfaqej ne, miqve virtualë, në çdo stinë.
Herë e gjelbëruar e herë e thatë dhe e vyshkur nga dimri. Nën hijen e saj ishte gjithnjë një tavolinë e dy karrige, në të cilat mund të harroheshe me orë të tëra. Lindjet e diellit, perëndimet, ishin gjithashtu gëzimet e ditëve të Elida Cangonjit në Francë, ku jetonte prej shumë vitesh. Rrjetet sociale duken si një lodër që në pjesën më të madhe të kohës mund vetëm t’i përbuzësh, por janë pikërisht prej të tilla emocioneve e njerëzish që vazhdon të qëndrosh aty.
Elida Cangonji, Mevlan Shanaj dhe Timo Flloko, gjatë takimit të fundit,
pak kohë më parë në Tiranë
Mund të keni të gjithë miq që nuk i njihni, por a nuk mësoni prej tyre, pikërisht përmes gjërave që zgjedhin të ndajnë, më shumë sesa nga një bisedë në kafene?… Sidoqoftë, sot, gati një javë pas ndarjes nga jeta të aktores e mjekes Elida Cangonji, kemi folur me disa nga miqtë e bashkëpunëtorët e saj në film. Nuk ishte e lehtë të gjeje njerëz të afërt, për shkak të viteve të gjata që e kishin larguar. Do të mësoni më shumë për të prej aktorit Rikard Ljarja dhe filmit që e bëri të njohur për të gjithë, “Rrugë të bardha”. Mikesha e saj e fëmijërisë, aktorja gjithashtu mjeke, ka kujtime për të ndarë. Aktori Mevlan Shanaj tregon takimin e fundit me Elidën…
Këto e të tjera momente prej saj, të treguara në kohë të ndryshme nga vetë ajo, po i sjellim në kujtim të një njeriu që përcillte mesazhe të bukura dhe nuk ishte prekur asfare nga tjetërsimet karakteriale që kanë ndryshuar njerëzit. Ajo jetonte në paqe, me natyrën e saj, derisa pak ditë më parë gjeti paqen e përhershme…
Anisa Markarian: Ne të dyja ishim ‘Zanat’ e Viktor Gjikës, të dyja mjeke, të dyja aktore
Me aktoren Anisa Markarian, Elida Cangonji kishte të përbashkët historinë profesionale. Ishin të dyja mjeke që i kishin zgjedhur të luanin në filma. E kishte bërë këtë regjisori Viktor Gjika që, për rastësi ose jo, personazheve të tyre u kishte dhënë edhe të njëjtin emër, Zana. Ato qeshnin me njëratjetrën sa herë binte fjala për këtë. Kanë qeshur që fëmijë… Janë njohur që kur fillojnë e krijohen kujtimet e njeriut e deri vonë, kur jeta u dha drejtime të ndryshme, por në një mënyrë sërish të ngjashme.
Të dyja u larguan nga vendi dhe krijuan jetët e tyre larg Shqipërisë, të dyja në Francë. Sikur të mund ta kishte realizuar atë takimin, për të cilin ishin kohë që flisnin, të kishin qeshur edhe një herë, Anisa, sot, ndërsa na shkruan këto fjalë, nuk do të kishte pengje… “Jam shumë e trishtuar për humbjen e Lidës. Ndihem e mpirë, e munguar, e penduar që e shtymë kaq shumë takimin tonë. Secila nga ne tepër e zënë me aktivitet e saj në pritje të një momenti më të përshtatshëm, që nuk arritëm kurrë ta përkojmë. Kujtimet me Lidën janë të shumta, por më se të zakonshme. E jona ishte një miqësi së pari familjare. I ati i Lidës ishte shok i ngushtë i dajës tim të vogël. Prandaj, edhe në kujtimet e fëmijërisë Lidën e kam të pranishme pothuaj në të gjitha festat që organizoheshin te shtëpia e dajave.
Më pas, miqësia fëminore u bë edhe lidhje artistike e profesionale. Mbi të gjitha, ne kishim të përbashkëta 3 gjëra: profesionin (mjeke), një nga regjisorët (Viktor Gjika) dhe emrin e një roli (Zana). Për këtë kam një kujtim që mund ta veçoj nga të tjerët. Ishte shtator 1980. Një pasdite, duke u kthyer në shtë- pi, pas xhirimeve të filmit “Në çdo stinë”, dëgjova një zë që më thërriste. Ishte Lida në biçikletë që zbriste nga spitali.
“Për aktoret e tij mjeke, Viktori zgjidhka vetëm role me emrin Zana”, më tha duke qeshur. Dhe në bisedë e sipër më foli me shumë entuziazëm për 2 filmat e bërë me të, “Rrugë të bardha” dhe “Njeriu me top”, duke më lënë të kuptoja jo vetëm respektin e pakufi që kishte për Gjikën, por edhe se sa me fat dhe e nderuar ndihej që kishte xhiruar nën drejtimin e regjisorit të madh”.
Rikard Larja: Elida ka pasur inteligjencën dhe nuhatjen për të kapur rolet
Megjithëse luajti në shtatë filma, Elida Cangonji në vite të tëra dhe ende sot identifikohet më shumë me rolin e Zanës te filmi “Rrugë të bardha”. Dialogët me aktorin Rikard Ljarja “Alo, Dedë…”, “Alo, Zana…” ende sot përdoren nëpër batutat e “humorit bashkëkohor”, sado që nga këndvështrimi i dikurshëm nuk se gjeje diçka për të qeshur. Pak sepse vetë aktori Rikard Ljarja ka qenë natyrë vetmitare, i papërzier dendur në rrethin e kolegëve, e pak sepse aktorja e re nuk ishte mirëfilli pjesë e aktorëve, kujtimet nuk janë të shumta.
Përveç kohës së xhirimeve, Elida nuk kalonte kohë në Kinostudio, siç mund të ishte e zakonshme për të tjerët. Megjithatë, duke qenë se roli i saj “historik” ishte pikërisht në marrëdhënie me Ljarjen, nuk mund të mos e pyesnim këtë të fundit për kujtime të kohës. “Kanë kaluar shumë vite që kur e kisha takuar Elidën për herë të fundit. Ajo nuk jetonte në Tiranë, kështu që as takimet e rastësishme përmes të cilave takon shumë njerëz nëpër Tiranë, nuk ishin të mundura.
U befasova kur mësova lajmin, ishte shumë e re për t’u larguar. Unë kam punuar me Elidën vetëm në një film, te “Rrugët e bardha”. Kujtimet prej saj nuk janë të shumta sepse ajo ishte mjeke, nuk ishte aktore, arsye kjo pse nuk kalonte kohë me ne dhe nuk ishte pjesë e rrethit të aktorëve, pavarësisht marrëdhënieve që mund të ketë krijuar me njërin apo tjetrin. Mirëpo, edhe pse nuk kishte ardhur nga bankat e Akademisë së Arteve, Elida kishte inteligjencën dhe nuhatjen e duhur për t’u futur në rol dhe për ta sjellë atë siç duhet. Ishte e dëgjueshme dhe shumë kërkuese ndaj vetes.
Arrinte të të kuptonte, falë vëmendjes, pa qenë nevoja të sqaroheshe shumë. Kuptohet që ditët e para qëndronte e ndrojtur, ishte vajzë e re dhe nuk e njihte as ambientin, as aktrimin dhe mbi të gjitha, nuk kishte informacion rreth profesionit. Mirëpo hyri shpejt në rol. Në fillim kisha një lloj mosbesimi, sado që nuk e shpreha, por më pas fiziku i saj, bisedat që shkëmbyem, inteligjenca dhe dëshira për punë më bënë të ndryshoja mendim.
Nga sa kujtoj, sepse nuk duhet të harroni që kanë kaluar më shumë se 40 vite, këtë përshtypje kam pasur për të, kur kemi luajtur bashkë e kur e kam parë më pas në filmat e tjerë. Marrëdhënia jonë thuajse përfundoi aty, me përfundimin e xhirimeve, prandaj edhe nuk do të dija ç’të shtoja më tepër”, tregon Rikard Ljarja.
Mevlan Shanaj: Pak kohë më parë u përqafuam për herë të fundit
“Elidën e kam njohur shumë kohë më parë, që kur ishte nxënëse tek “Ismail Qemali”, me sa kujtoj në TVSH eksperimental e asaj kohe është aktivizuar, por takimi i parë më ka lënë mbresa për mënyrën e komunikimit. U interesova dhe më thanë që ishte nxënëse shumë e mirë. Më tej, me rritjen e saj, takimet janë të shumta e miqësore. Ishte një vajzë e mbushur me dashuri për jetën, me dëlirësi dhe aftësi komunikuese. Besoj, çdokush që e njihte krijonte ndjesinë se e kishte mike.
Jo shumë kohë prej këtij lajmi të papranuar u takuan te Pedonalja, kishte ardhur në Tiranë. Isha bashkë me Timo Fllokon dhe Saimir Kumbaron, na rrëmbeu gjithë dinamizëm, u përqafuam dhe fiksuam një fotografi të cilën po jua dërgoj. Nuk e ndaje dot artisten nga mjekja. Siç mund ta kenë ndier të gjithë, ikja e saj pati një mbajtje fryme për të gjithë ne”.
***
Filmi “Rrugë të Bardha”/ Elida Cangonji: “Në fillim jam ndierë shumë keq me atë film
Nuk kishte sesi përgjatë gjithë viteve të mos ishte pyetur Elida Cangonji për filmin që e bëri të njohur “Rrugë të bardha”. Kjo copëz rrëfimi e dhënë dikur prej saj është për të treguar bashkëpunimin me Dedën, aktorin Rikard Ljarja, të cilin e shihte me drojën e një aktori të famshëm, por që më pas e njohu nga afër dhe iu kthye në mbështetje. “Ideja që do të luaja me Rikard Ljarjen ishte shumë emocionuese për mua. Ai ishte ndër aktorët më të mirë të njohur në atë periudhë.
Elida Cangonji ne rolin e Zanes ne filmin “Rruge te Bardha”
Ishte bërë si i shtëpisë. Nuk kam pse i fsheh emocionet, por më pas, pasi e takova çdo gjë ndryshoi. Kuptova që Rikardi ishte njeri me humor, i dashur dhe i afrueshëm. Krijonte situata humoristike dhe e bënte ambientin të ngrohtë. Në qoftë se s’do të ishte i tillë, vërtet do të ndihesha keq. Ai në sheshin e xhirimit është ndryshe se në jetë, merr përmasat e vërteta. Pa një Rikard të tillë, unë ndoshta do të ndihesha e vetmuar, e paplotësuar, e mënjanuar. Imagjinoni që isha fare e re, studente në vit të dytë të Fakultetit të Mjekësisë.
S’kisha hyrë asnjëherë në botën e bukur të artit. I njihja artistët nga larg dhe mendoja se ata ishin tjetër botë. Pse ta fsheh, kisha shumë dëshirë të njihja nga afër artistët dhe se mendoja se do të isha në rol përkrah tyre. Me ta takuar më pati thënë “Do t’ia dalësh mbanë, je një vajzë inteligjente”. Ai film ka qenë i rëndësishëm për mua, për vite të tëra më kanë folur Zana….
Bukuroshja që nuk grimohej, refuzoi të hiqte vetullat e të trukohej në film
Tualeti ishte diçka që në asnjë pikë nuk përputhej me natyrën e Elida Cangonjit. Vetullat e saj mund të jenë hequr gjithsej vetëm tri herë dhe në ato pak herë ajo vinte re se ndryshonte aq shumë, saqë i dukej se nuk kishte më asgjë të përbashkët me veten e saj. Madje, i është dashur që t’i mbushë mendjen edhe stafit të “Rrugë të bardha” që të mos e xhironin të ngarkuar me makijazh, por ashtu natyrale.
Dhe pasi u bënë kinoprovat edhe me makijazh, edhe pa të, grupi i xhirimit ishte në një mendje: Elida dukej shumë më bukur pa tualet. Ashtu siç është dukur e bukur gjatë gjithë jetës së saj, e veshur thjesht dhe pa e rënduar veten kurrë. “Kam lyer buzët me buzëkuq, pasi kam mbushur 40 vjeç dhe po në të njëjtën moshë kam filluar edhe të përdor kremin e fytyrës. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem e thjeshtë dhe kam bërë këtë zgjedhje, por kjo nuk do të thotë aspak që i paragjykoj ato femra që bëjnë tualet apo vishen ndryshe nga unë”.
Disi më ndryshe janë marrëdhëniet me aksesorët. Ka preferuar që të mos e privojë veten nga kënaqësia e të mbajturit çfarëdolloj bizhuterish argjendi, përveç vathëve. “Më duket sikur më tërheq njeri nga veshi dhe vathët nuk i kam preferuar asnjëherë, madje as veshët nuk i kam të shpuara”. Dhe kur diçka i pëlqen, Elida nuk e njeh kompleksin e të pasurit drojë se çfarë do të thonë të tjerët. Një byzylyk që vendoset në pjesën e parakrahut dhe që Elidës i pëlqen shumë bën pjesë në ato gjërat e saj të veçanta dhe që ajo i vendos me shumë dëshirë, duke e kombinuar me veshjen e saj, e cila si në Shqipëri, ashtu edhe në Francë ku jeton momentalisht, është gjithmonë e thjeshtë dhe e përshtatur me tipin e Elida Cangonjit.
Sigurisht e ka ndier shumë edhe vështirësinë për t’u veshur bukur. Ka përjetuar radhët deri në të gdhirë para shkallëve të dyqanit të metrazheve dhe ka sajuar rroba më ç’të mundte. “Më kujtohet një vit kur shoqet e mia, të cilat kishin më shumë rroba ngaqë kishin njerëz jashtë, vishnin funde skoceze, me kuadrate të kuqe, që mua më pëlqenin aq shumë. Por copë të tillë nuk gjeje dhe unë nuk kisha fatin e shumë të tjerave që të kisha të afërm jashtë shtetit. Por e doja një fund të tillë dhe e sajova më astarin e pardesysë të babait tim, e cila ishte një copë e ngjashme me kuadrate. Astarin më pas e zëvendësuam me një copë fanellate dhe unë më në fund u bëra një fund si të shoqeve të mia”.
Të njëjtën eksperiencë ka ndarë edhe në dasmën e motrës së saj, kur nga dy funde të vjetra u sajua një fustan, që doli vërtet i bukur dhe që Elida e mbajti si një fustan shansi edhe për gjashtë vite të tjera. Kanë gjithmonë rroba të qepura te rrobaqepësja, e cila ia kishte marrë dorën mirë shijeve dhe kërkesave të Elidës.
“Vetë nuk më është dhënë kurrë të qep dhe të sajoj modele. Vetëm një herë mbaj mend që kam sajuar një fund xhins me copën e një thesi të ardhur nga Kina. Ky ka qenë i vetmi rast. Gjithmonë i kam qepur rrobat te rrobaqepësja, kurse trikot m’i punonte mami. Ishin vërtet nga më të bukurat dhe më të veçantat. Gjithmonë shoqet e mia i merrnin për model. Por unë vetë preferoja më mirë të lexoja një libër, sesa të harxhoja kohën duke punuar triko”. Panorama
ma.me