Prokurori Besnik Hajdarmataj ka dhënë sqarime lidhur me hetimet për kokainën e Maminasit. Ai thotë se për sasinë e konsiderueshme të kokainës po zhvillohen hetime intensive, teksa ka nisur bashkëpunim me partnerë të vendeve ku është tranzituar kontenieri.
Pa thënë diçka konkrete rreth hetimeve për sasinë e 613 kg kokainë e pastër, Hajdarmataj tha se janë përfshirë oficerët më të mirë që kanë agjencitë shqiptare.
“Rastin për të cilin ju flisni, gjithë strukturat shtetërore, ligjzbatuese përfshi Prokurorinë e Krimeve të Rënda, policinë e Shtetit dhe struktura të tjerat që japin ndihmesë në këto çështje, është një rast që është vlerësuar nga të gjithë ne të bashkëpunojmë me partnerë dhe homologe të vendeve ku është tranzituar kontenieri. Hetimet janë intensive, kemi përfshirë në hetim oficerët më të mirë që ka Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda po vijojnë hetimet dhe në momentin që do kemi diçka të deklaruar do të jemi këtu para jush”, tha prokurori Hajdarmataj./a.m.