Nga Kreshnik Kuçaj
Deri në fund të shekullit të 19-të, përdorimi i lëndëve narkotike nuk kishte përhapje të gjerë e konsumi i tyre ishte i kufizuar te pacientët dhe për arsye shëndetësore.
Shtresat e pasura nisën t’i përdorin ato për arsye kënaqësie ndërsa për masat e popullatës vendin e tyre e zinin alkooli dhe duhani.
Në fund të shekullit të 19-të e fillim të shekullit të 20-të përdorimi i lëndëve narkotike nisi të gjejë përdorim për qëllime kënaqësie e duke shkaktuar jo pak probleme, ndaj edhe për këtë qëllim do të niste ndërmarrja e kufizimeve ligjore për këtë qëllim.
E në këtë rast, edhe Shqipëria renditet në listën e vendeve të parë që i është bashkuar iniciativës për të sanksionuar në ligj përdorimin e opiumit apo të kanabisit; një zakon që e kishte trashëguar që nga periudha e Perandorisë Osmane.
Më herët, Shqipëria kishte njohur përdorimin e bimës së opiumit për qëllime mjekësore por edhe për qëllime kënaqësie përmes tymosjes.
Por ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri “beteja” për kufizimin e lëndëve narkotike nis jo domosdoshmërisht për shkak të pasojave negative në shkallë të gjerë në popullatë por si rrjedhojë e përmbushjes së disa detyrimeve që vendi kishte marrë në rang ndërkombëtar.
E gjithë beteja legjislative me drogën në vend ka lidhje direkte me anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një organizatë ndërqeveritare botërore e themeluar në janar të vitit 1920, si rezultat i konferencës së Paqes të mbajtur në Paris.
Shqipëria do të kishte përfaqësinë e saj në Lidhjen e Kombeve e direktivat e dala prej saj do të reflektoheshin e adaptoheshin edhe nga Shqipëria e atyre viteve.
E në kushtet e dy luftërave të mëparshme që kishin si burim tregtinë e opiumit, edhe trafikimi i drogës do të ishte një nga temat e trajtuara gjerësisht në këtë organizatë.
Në vitet 1924-1925, Lidhja e Kombeve do të ndërmerrte një përpjekje të re për të forcuar bashkëpunimin mes shteteve në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të narkotikëve.
E në këtë përpjekje, Shqipëria do të bëhej pjesë e saj, duke shënuar nisjen e betejës për vendosjen nën kontroll të prodhimit, tregtimit e përdorimit të drogës.
Në vitin 1925 do të zhvilloheshin dy konventa për opiumin nga Lidhja e Kombeve, në të cilat Shqipëria do të merrte pjesë.
Në konventën e parë mbi opiumin të 11 shkurtit të vitit 1925, u nënshkrua marrëveshja për zhdukjen e fabrikimit, tregtisë së brendshme e përdorimit të opiumit të përgatitur. Por Shqipëria nuk do ta ratifikonte këtë marrëveshje.
Në takimin e dytë të 19 shkurtit të vitit 1925 u bë konventa ndërkombëtare e opiumit dhe protokolli përkatës, të cilat Shqipëria do t’i firmoste përmes Benedikt Blinishtit, por nuk do t’i ratifikonte në parlament.
Konventa e Lidhjes së Kombeve, e nënshkruar edhe nga Shqipëria, parashikonte detyrimin e shteteve për të ndryshuar legjislacionin me qëllim vendosjen nën kontroll të prodhimit, tregtisë dhe eksportit të drogës.
Po ashtu, detyrimi parashikonte detyrimin e kufizimit të sasisë që tregtohej mes shteteve, porteve apo pikave kufitare ku mund të eksportohej droga.
E në këtë konventë do të parashikohej detyrimi që çdo shtet të merrte masa për kufizimin e përdorimit të drogës vetëm për qëllime mjekësore dhe shkencore dhe të bashkëpunonte me shtetet e tjera për të ndaluar përdorimin e saj për qëllime të tjera.
Legjislacioni i Ahmet Zogut kundër drogës
E në fakt, Shqipëria do të përmbushte detyrimin e saj për të reflektuar ndryshimet e nevojshme ligjore të diktuara nga konventa që kishte nënshkruar.
Në Kodin Penal të Ahmet Zogut, parashikohej ndëshkimi penal i veprimtarive të paligjshme të drogës.
Në listën e veprave penale u përfshinë edhe krimet kundër shëndetit e kushdo që tregtonte, fuste apo eksportonte kontrabandë opium, hashash apo ekstrakte të kësaj natyre, ndëshkohej me burgosje deri në 1 vit dhe me gjobë që varionte nga 100-1000 mijë franga ari. Më shumë sesa t’i jepte zgjidhje një problematike të brendshme, këto masa synonin të përafronin legjislacionin, i cili ishte hartuar në frymën e praktikave ligjore ndërkombëtare.
Si u anulua koncesioni i mbledhjes dhe mbjelljes së hashashit në Korçë
Krahas kontrollit përmes legjislacionit, një kontroll tjetër që u ushtruar ishte edhe ai i dhënies së koncesionit për mbledhjen dhe mbjelljen e hashashit.
Me 27 nëntor të vitit 1931, Këshilli i Ministrave me vendimin me numër 178 vendosi të anulojë lejen e dhënë në Prefekturën e Korçës për mbledhjen e hashashit me argumentin se ajo ishte një bimë e dëmshme.
Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis” shkruan se qeveria urdhëroi “dikasterin kompetet (kryeministria nr 666/1 datë 13 qershor 1931) mbi përgatitjen e një projektligje për ndalimin e mbjelljes së kësaj bime”.
Por, sipas Shkozës, mbi këtë urdhër nuk është vënë ndonjë dispozitë ligjore për ndalimin në fjalë në kundërshtim me ligjin e të dhjetave.
Në fakt, anulimi i koncesionit vjen në një kohë kur edhe Lidhja e Kombeve kishte hartuar një konventë të re që kufizonte më tej dhe rregullonte shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këtë konventë të korrikut të vitit 1931, pala shqiptare e nënshkroi dhe e ratifikoi në parlament. E pak muaj më vonë, në nëntor anuloi edhe koncesionin ekzistues.
Duhet evidentuar një element tjetër, që anulimi i këtij koncesioni për hashashin vjen në të njëjtën ditë kur në Bangkok (27 nëntor 1931) u nënshkrua marrëveshja ndërkombëtare për “zhdukjen e zakonit të pirjes së opiumit”, por që sipas Shkozës, kjo marrëveshje ndërkombëtare nuk është nënshkruar nga ana e vendit tonë.
Studiues të ndryshëm kanë evidentuar faktin se krahas opiumit që përdorej për qëllime mjekësore apo në raste të rralla për qëllime kënaqësie, Shqipëria ka njohur kultivimin e kërpit si praktikë. E kërpi përdorej për prodhimin e veshjeve, litarëve, ilaçeve e lëndëve djegëse.
Në Maqedoni prodhoheshin 300 mijë kg, në Shkup çmimi ra me 300%
Në Shqipërinë e viteve ’30 diskutimi për opiumin apo kanabisin (hashashin) ishte diçka e zakonshme për faktin se përfshihej në listën e bimëve bujqësore, të kultivueshme në interes të industrisë farmaceutike (opiumi prodhon morfinën). Edhe pse duhet pranuar fakti se ka shumë ngatërresa, edhe në ditët e sotme, me emërtesat e bimëve e të lëndëve që dalin prej tyre.
Në revistën “Ekonomisti Shqiptar” të vitit 1932, organ i Odave të Tregtisë, analizohet situata ekonomike në Jugosllavi (me fokus Maqedoninë)
Në artikull evidentohet fakti se rënia e çmimeve të opiumit ka shkaktuar në popullatë humbjen e dëshirës për ta kultivuar atë. Në vitin 1931, sasia që prodhonte vendi fqinj vlerësohet 200 mijë kilogramë në 1930 dhe 40 mijë kilogramë në vitin 1931. Arsyet e rënies së çmimit vlerësohen kufizimet e vendosura nga Lidhja e Kombeve, mbiprodhimi që kapërcen nevojat e industrisë kimike botërore etj.
Si shembull merret Shkupi ku çmimi i bimës së opiumit vlerësohet se ka shënuar rënie deri në 300 % në krahasim me çmimet e 4-5 viteve më parë.
Më poshtë shkrimi i plotë i revistës:
Pushtimi i Shqipërisë, mungesa e stabilitetit në vend dhe periudha e luftës rezulton një periudhë ku konsumi i drogës për qëllime kurative e pse jo edhe për konsum jomjekësor ka njohur rritje. Në kushtet e mungesës së ilaçeve e në kushtet e plagosjeve e traumave të shumta, do të ishin bimët mjekësore ato që do të mbushnin boshllëkun e krijuar. E një nga bimët e përdorura do të ishte bima e opiumit që përmbante brenda edhe morfinën e nevojshme për qetësimin e dhimbjeve te shkaktuar nga traumat apo plagët e luftës. Por gjithashtu, nuk mungojnë as dëshmitë se kjo bimë është konsumuar për qëllime kënaqësie në këtë periudhë. Po ashtu, nuk mungojnë as shkrimet për konsum kanabisi.
Burimet zyrtare dëshmojnë se situata e përdorimit të bimës së opiumit do të ishte problematike në Shqipërinë e pasluftës.
Në media është bërë publike një qarkore e vitit 1947, ku ministri i Shëndetësisë Medar Shtylla kërkon të ndalohet tregtimi e konsumi i hashashit, që klasifikohet si narkotik i fuqishëm dhe i rrezikshëm për organizmin. Dokumenti dëshmon gjithashtu se shitja e tij ushtrohej lirisht në treg, veçanërisht në ditë pazari.
E në këtë rast, urdhëresa i referohet b
imë së opiumit me lule të kuqe, pjesët e së cilit përdoreshin për efekte qetësuese e jo bimës “kanabis sativa”, rezina e së cilës prodhon hashishin.
Krahas urdhëresës për marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të tij, do të jepej edhe udhëzimi që të realizoheshin konferenca të posaçme për të trajtuar dëmet që shkakton hashashi në popullatë./SCAN/a.m.