Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi prezantoi sot programin e tij me prioritetet, sfidat dhe angazhimet e mëtejshme të ministrisë që drejton, në një aktivitet të organizuar në hotel Tirana.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, ambasadorë dhe përfaqësues të huaj si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme që operojnë në Shqipëri.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi u ndal në mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, zyrat e punës, reformën territoriale etj
Një nga aspektet në të cilin ministri Klosi u ndal kishte të bënte me zyrat e punës.
“Do të flas pak edhe për zyrat e punës të cilat do të duhen të shndërrohen nga zyra të cilat vazhdimisht vetëm presim ankesat e qytetarëve, në zyra që ofrojnë punë, sidomos qytetarëve që janë në nevojë”, tha Klosi.
Duke iu referuar sigurimeve shoqërore, ministri i Mirëqenies Sociale tha se kjo reformë do të duhet të vazhdojë, duke vënë në plan të parë transparencën.
“Sigurimet Shoqërore, një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria, dhe çdo administratë sot në Evropë apo në vendet më të zhvilluara të kësaj Evrope. Sigurisht që sigurimet shoqërore tashmë kanë marrë një këndvështrim të ri. Por skema nuk mund të mbetet kjo që është. Rritja e transparencës do të mbetet objektivi ynë dhe rritja e kontributeve me skemat dytësore apo kontribute alternative do të jetë një nga prioritetet tona të mëdha”, deklaroi Klosi.
Lidhur me përfshirjen sociale, ai tha se “përfshirja sociale shtrihet në fushat që kanë nevojë për mbështetje si ato të mbrojtjes së dhunës në familje, kundër dhunës së fëmijëve, kundër dhunës së gruas, shtresave në nevojë, shtresave diskriminuese dhe ish të përndjekurve politikë’.
Ndërsa për rininë, ministri Klosi tha se politikat e ministrisë nuk janë të mjaftueshme ndaj duhet punuar më tej.
Gjatë fjalës së tij, ai gjithashtu u ndal në reformën e re territoriale që sipas tij, është shumë e rëndësishme.