Zhvillimet politike të vitit 2019-të dhe ato që pritet të ndodhin gjatë 2020-tës, ngritja e SPAK, marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës, apo raportet mes mazhorancës qeverisëse dhe presidentit Ilir Meta kanë qenë disa nga çështjet të cilat janë komentuar nga ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.
Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, teksa u ndal tek ngritja e SPAK, deklaroi se kjo strukturë duhet të nisë punën me dosjet e bujshme, të cilat gjatë këtyre viteve janë mbyllur qëllimisht apo presin të hapen. Sipas tij, të gjithë sytë e qytetarëve shqiptarë janë tek SPAK dhe kësisoj dosjet e bujshme duhen hapur.
Ndërkohë, duke komentuar faktin që prokuroria pak ditë më parë kërkoi pushimin e hetimeve për ish-kryeministrin Sali Berisha sa i takon çështjes “CEZ”, ish-kreu i SHISH theksoi se ky është një veprim i nxituar nga ana e institucionit të akuzës. Në këtë kontekst, zoti Klosi teksa shprehu keqardhje që Prokuroria gjatë këtyre viteve ka qenë inekzistente në punën e saj, u shpreh se Berisha nuk mund të shpëtojë nga afera e CEZ dhe se sipas tij, kjo dosje duhet të hetohet nga SPAK.
Sa i takon marrëdhënieve brenda opozitës dhe sidomos brenda Partisë Demokratike, ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi theksoi se kryedemokrati Lulzim Basha nuk është lider dhe për rrjedhoje, sipas tij, ai nuk ka fuqi në parti.
-Zoti Klosi, pak ditë më parë u mbyll viti 2019. Në aspektin politik si mund ta quajmë këtë vit?
Viti 2019-të nën gjykimin tim do ta konsideroja një vit të brishtë dhe i mbushur me shumë trazira të forta politike. Domethënë politika nuk arriti ta justifikojë dëshirën që kanë njerëzit tek ajo, shpresën që kanë njerëzit tek ajo për ta çuar vendin përpara. Viti 2019 u shoqërua me përplasje të forta, kështu që në pikëpamjen time do ta konsideroja si një vit të mbrapshtë politik. Kjo nuk ka nevojë për diskutim, pasi më shumë pati regres se progres.
-Megjithatë, viti që lamë pas solli edhe shumë përplasje politike, ku padyshim përplasja më e fortë është ajo mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Pse erdhi kjo përplasje?
Për mendimin tim përplasja më e fortë sa i takon vitit që lamë pas ishte përplasja mes partive politike dhe jo ajo midis individëve apo politikanëve të caktuar. Në këtë pikë dua të shtoj që, vetëlargimi i opozitës nga Kuvendi i Shqipërisë ishte në një farë mënyre përplasja më e fortë për mua. Djegia e mandateve nga ana e opozitës ishte një ngjarje shumë e rëndë dhe e paprecedentë, ku një pjesë e politikës largohet nga tempulli i demokracisë. Parlamenti është tempulli dhe vendi ku gatuhen ligjet, bëhen diskutimet dhe të gjitha debatet, madje edhe lufta politike. Por lufta u spostua nga Kuvendi në rrugë. Kështu që, largimi i opozitës ishte më e forta. Pastaj që të rikthehem tek pyetja juaj, kemi të bëjmë me një marrëdhënie mes njerëzve, ku secili bën luftë për territorin e tij. Pra, përplasja mes Ramës dhe Metës ka ardhur si rezultat i luftës politike dhe në këtë rast është pasojë. Thënë ndryshe lufta politike qe shumë e fortë dhe u reflektua në qëndrimet e tyre personale, ku padyshim që secili e bën për kredo politike dhe për të ruajtur interesat personale.
-Partia Socialiste iu drejtua sërish Komisionit të Venecias, duke shtyrë në një farë mënyre shkarkimin e presidentit Meta. A ka një hezitim nga ana e mazhorancës për të shkarkuar kreun e shtetit?
Nuk mund ta them këtë. Por di të them që përderisa mazhoranca i është drejtuar sërish Komisionit të Venecias sa i takon shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra, tregon se shumica nuk i ka gjërat aq të qarta. Domethënë çuarja sërish tek Venecia, tregon qartë se mazhoranca ka nevojë për ndihmë, në mënyrë që ta ketë më të lehtë dhe ta kopsitë shkarkimin e Metës.
-Një zhvillim i ditëve të fundit është ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. A mendoni se viti 2020 do të sjellë hetime edhe në radhë pushtetarësh?
Shiko! Unë nuk mendoj dot se nuk kam asnjë eksperiencë në këtë aspekt, pasi SPAK sapo është ngritur. Nga kjo pikëpamje unë shpresoj se SPAK nuk do të jetë një strukturë formale, por do të jetë një strukturë e cila do të luftojë korrupsionin me themel. Kështu që, di të them se SPAK do të luftojë korrupsionin në nivel të lartë pushtetarësh. Si përfundim urojmë që viti 2020 do të jetë viti i fillimit të luftës kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit është jetike dhe tejet e rëndësishme.
-Teksa SPAK po merr jetë po shihen edhe tentativa për të shpëtuar emra të caktuar. Rasti më flagrant është ai i skandalit të CEZ, pasi prokuroria pak ditë më parë kërkoi pushimin e hetimeve për ish-kryeministrin Sali Berisha. Si i shihni këto zhvillime?
Mendoj se Prokuroria kot u ngut që kërkoi pushimin e hetimeve për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ne kemi shpresuar ose më saktë kështu na kanë mbushur mendjen, që SPAK do të merret me të gjitha dosjet e bujshme, qofshin këto të vjetra apo të reja. Sidomos dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin në nivele të lartë si rasti në fjalë, që janë dosje që deri më tani nuk janë shqyrtuar. Shiko! Nuk kemi parë luftë kundër korrupsionit në nivele të larta, ndonëse të gjithë e kemi pranuar dhe kemi parë që në Shqipëri ka korrupsion. Kështu që, Prokuroria po ngutet kot që po kërkon pushimin e hetimeve dhe do në një farë mënyrë që të shmangë SPAK. Në këtë aspekt di të them se SPAK apo institucionet e reja të drejtësisë janë krijuar pikërisht për të hetuar korrupsionin në nivel politikanësh dhe zyrtarësh të lartë, kështu që duhet t’i lëmë të kryejmë punën e tyre. Mos harroni që kjo prokurori që nuk e ka zbardhur këtë çështje e tregoi veten e saj që nuk ishte në gjendje të punonte, kështu që tani sytë janë tek SPAK. Struktura e Posaçme Antikorrupsion për këtë punë është ngritur të hetojë pushtetarët. Nga ana tjetër, mendoj se duhen hapur të gjitha dosjet dhe këtu hyjnë të gjitha, jo vetëm ato të bujshmet apo sensitivet. Unë nuk e kam merakun tek dosjet sensitive, pasi ky term është subjektiv, por problemi është që ka ardhur koha që të hapen të gjitha dosjet në mënyrë që gjithçka që ka mbetur pa u zbardhur apo pezull, apo që është mbyllur pa të drejtë të hapen dhe të gjejnë rrugën e tyre për zgjidhje. Domethënë njerëzit që kanë bërë korrupsion të japin llogari.
-Nga ana tjetër, në fund të muajit që lamë pas ka pasur një dënim për ish-kryeministrin Berisha, të cilin gjykata e ka dënuar për shpifje ndaj kryeministrit Edi Rama. A mendoni se pushteti i Berishës mbi drejtësinë në Shqipëri po dobësohet?
Nuk e di, të shohim. Por nga ana tjetër më vjen për të qeshur që ish-kryeministri Sali Berisha dënohet për shpifje. Kjo punë është si ato kafetë e Byrosë Politike. Është për të qeshur.
-Si i shihni marrëdhëniet mes PD dhe LSI, pasi ende nuk kemi një koalicion zyrtar mes këtyre dy forcave politike?
Nuk e di, pasi do parë kjo punë nëse Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim iu leverdis që të kenë një bashkëpunim mes njëra-tjetrës. Por mendoj se PD dhe LSI duhet të dalin dhe të flasin, madje t’i sqarojnë gjerat. Kam dëgjuar që Monika Kryemadhi e ka nisur luftën politike dhe e ka ngritur siparin e kësaj lufte për këtë vit të ri politik dhe foli në emër të opozitës së bashkuar. Kjo krijon idenë se ata do të punojnë së bashku. Por mbetet të shohim.
-A mendoni se Lulzim Basha do të sjellë një gjë ndryshe në PD apo tek kjo parti vijon ende të bëjë ligjin Berisha?
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha s’është kërkushi. Basha nuk është kërkushi. Kështu që, nuk kam çfarë të them, pasi Basha nuk ka asnjë lloj pushteti në opozitë dhe për rrjedhojë nuk ka çfarë të japë. Basha mund të jetë një njeri i ngrehur dhe i krehur bukur, por deri këtu e ka takatin.
-Opozita joparlamentare kërkon zgjedhje të parakohshme. A mendoni se këto zgjedhje do të ndodhin këtë vit?
Shiko! Opozita joparlamnetare ka kërkuar gjithmonë zgjedhjet të parakohshme, madje kjo kërkesë është artikuluar edhe një ditë pasi janë mbajtur zgjedhjet dhe kjo nuk është ndonjë gjë e re. Zgjedhjet e parakohshme janë një kërkesë e vjetër e opozitës. Kjo e fundit gjithmonë këtë ka pasur si slogan dhe kërkesë, duke u shprehur se na i vodhën zgjedhjet, na i blenë zgjedhjet. Opozita po të jetë e zonja le të bëjë zgjedhje. Por problemi është që a ia del dot opozita që të fitojë zgjedhjet. A ka opozita forca dhe njerëz që i votojnë dhe që i vjen pas valles që të bëhen faktor? Opozita nuk është faktor. Madje, ajo u defaktorizua vetë qëkur iku nga Parlamenti, duke u mburrur që do të bënin një luftë të fortë politike. Por që në fund të gjithë e pamë që opozita dhe kauza e saj është “tretur si kripa në ujë”, thotë populli. Por nuk bëhet kjo punë me deklarata, pasi duhet edhe aksion.
-PD ka nisur një revansh ndaj SPAK dhe sidomos anëtarëve të kësaj strukture. Si i cilësoni këto sulme?
Kjo tregon se Partia Demokratike i trembet Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Të gjitha akuzat tregojnë që PD i trembet SPAK-ut. Edhe Sali Berisha ka qenë i madh në kohën e regjimit komunist edhe unë edhe i tjetri, etj. Të gjithë kemi bërë punët tona në atë kohë. Kështu që, të merresh me atë periudhë pas 30 vjetësh do të thotë se ke diçka që të mundon. Pra, demokratët kanë diçka që i mundon dhe i frikësohen SPAK. Si përfundim mendoj se PD dhe sidomos krerët e saj kanë frikë nga SPAK.