Sektori i ujësjellës kanalizimeve është mbështetur gjatë viteve të fundit me investime të shumta si nga buxheti i shtetit ashtu edhe nga donatorët.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në Kuvend për ratifikim Marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe KFW, Frankfurt am Main, për financimin e Programit Infrastruktura Bashkiake V, me një fond në shumën 80 milionë euro.
“Qëllimi i programit është të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe përmirësimin e performancës së shoqërive të ujësjellës kanalizimeve të bashkive të përfshira në program”, tha Denaj.
Përcaktimi i bashkive është bërë sipas prioriteteve të Masterplanit Kombëtar të Ujësjellës Kanalizimeve, si dhe nevojës për investime për të përmbyllur investimet e kryera në fazat e mëparshme të programit. Konkretisht programi do të përfshijë bashkitë Shkodër, Lezhë, Kamëz, Berat, Kuçovë, Elbasan, Fier, Vlorë.
Fazat e mëparshme të programit Infrastruktura Bashkiake I & II janë zbatuar gjatë viteve 2012-2017, ndërsa kjo fazë e Programit do të zbatohet deri më 31.12.2027.
Fjala e plotë:
I nderuar Kryetar i seancës,
Të nderuar deputetë,
Ky projektakt synon ratifikimin e një marrëveshjeje huaje në shumën e 80 milionë euro, realizuar nga qeveria shqiptare dhe ajo gjermane nëpërmjet KFW, Frankfurt am Main dhe vjen si pjesë e një programi i cili ka kohë që ka nisur dhe është në 5 faza, kjo është faza e pestë.
Qëllimi i programit është të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe përmirësimin e performancës së shoqërive të ujësjellës kanalizimeve në bashki të cilat janë përzgjedhur si pjesë e këtij programi.
Nëpërmjet financimeve të parashikuara në kuadër të programit synohet përmirësimi i situatës së furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit por njëkohësisht edhe largimi dhe trajtimi i ujërave në bashkitë e përfshira.
Përcaktimi i bashkive është bërë sipas prioriteteve të Masterplanit Kombëtar të Ujësjellës Kanalizimeve, si dhe nevojës për investime për të përmbyllur investimet e kryera në fazat e mëparshme të tij. Konkretisht programi do të përfshijë bashkitë Shkodër, Lezhë, Kamëz, Berat, Kuçovë, Elbasan, Fier, Vlorë.
Aktualisht po zbatohen punimet në kuader të programit Infrastruktura Bashkiake III & IV duke zbatuar standarte ndërkombëtare të cilat garantojnë cilësine dhe impaktin real në përmirësimin e furnizimit me uje të pijshëm por janë investime shumë të rëndësishme në infrastrukturën dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në këto zona.
Faza e parë dhe e dytë kanë një mbështetje me gati 50 milionë euro. Është një fazë e konkluduar. Faza e tretë dhe e katërt është një mbështetje në formën e huasë dhe grante në vleftën e 48 milionë euro. Faza e pestë është shuma prej 80 milionë euro hua por ka edhe grantë në vlerën e 45,6 milionë euro, konkretisht:
9 milionë euro nga KFW(qeveria gjermane) 13,3 milionë euro nga SECO (qeveria zviceriane) dhe 23,3 milionë euro nga BE-ja dhe unë këtu gjej rastin që ti falenderoj për të gjithë mbështetjen, të gjithë programet, por edhe shumë programe te tjera.
Sigurisht,qeveria shqiptare ka kontribuar duke mbështetur në këtë fazë me 29 milionë euro dhe në përgjithësi gjithë programin me gati deri në 20% të vleftës totale.
Vetëm kjo fazë që ne po diskutojmë, faza e pestë ku pjesa e huasë është 80 milionë euro ka një vlerë totale të kontributit 155 milionë euro. Huaja është një hua e cila ka terma financiar të butë në aspektin e normës së interesit të kredisë por edhe maturitet të lartë me gati 15 vjet. Duke qënë pjesë e programit buxhetor afatmesëm, nuk cënon ekuilibrat e termit të borxhit pasi një nga pyetjet e z.Alimadhi lidhej me këtë pikë sikursë edhe me sa është vlefta e të gjitha fazave dhe unë shpresoj që të kemi zeruar këto dy pyetje përvec të tjerave.
Masat e investimeve për ujësjellës dhe kanalizme janë shumëpërfshirësë. Ato janë në të gjithë Shqipërinë megjithatë siç e përmenda pak më parë janë jo pak qytete që do të marrin përfitim i cili shkon jo vetëm për jetën e qytetarëve por njëkohësisht për një infrastrukturë shumë të domosdoshme për tu realizuar me standartet ndërkombëtare.
Rehabilitimi i infrastrukturës së marrjes së ujit të pishëm, rehabilitimi i stacioneve të pompimit, rehabilitimin e linjave të transmetimit, duke përfshirë lidhjet e konsumatorëve dhe instalimin e ujëmatësave, rehabilitimin e rrjeteve grumbulluese duke përfshirë kolektorët e transmetimit për në impiantet e trajtimit të ujrave të përdorura.
Ky është një program 360 gradë për të realizuar atë objektiv që kanë edhe donatorët por edhe qeveria shqiptare. Programi do të zbatohet deri në 31 dhjetor 2027 dhe sigurisht që do të përfshijë shumë më tepër nevoja të të gjithë ndërmarrjeve të ujeësjellës kanalizime.
Unë e thashë pak më parë që është një mbështetje financiare për këto ndërmarrje pasi kontributi i buxhetit të shtetit është në masën e 20%, kjo në mënyrë absolute nuk ndikon pavarësinë që ka pushteti vendor sepse ishte dhe një pyetje tjetër e z.Alimadhi dhe më rezulton që kam edhe një pyetje e cila lidhet me konsultimin publik të këtij projektakti.
Dua të sqaroj se projektakti që është një hua ndërkombëtare nuk është pjesë e standarteve të konsultimeve publike siç mund të jenë ligjet e tjera megjithatë konsultimi publik ka ndodhur. Ka ndodhur me bashkitë pjesëtarë të këtij programi, është drejtuar nga KFW dhe AKUM dhe ka përfshirë edhe dakordësinë e këtyre bashkësive në këtë proces.
Sigurisht, e thashë edhe më parë që barra e pagimit i takon sa buxhetit të shtetit, bashkive dhe në një farë mënyrë kjo nuk cënon vendimarrjen lokale por tregon angazhimin e qeverisë që edhe në programe që janë dhe duhet të financohen nga buxheti vendor kanë një kontribut të shtuar në vlerën e 20%.
Ju ftoj ta aprovoni këtë hua sepse është e rëndësishmë që të ndihmojë në një vlerë të konsiderueshmë një përmirësim të dukshëm të infrastrukturës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Vetëm kjo fazë është 150 milionë euro përpos fazave të tjera që përmenda.
Faleminderit!