Spekulimet për gjendjen shëndetësore të presidentit kinez, Xi Jinping janë rikthyer në mediat e huaja, pas raportimeve për disa kërkesa të pazakonta gjatë vizitës së tij në Uashington në fund të shtatorit.
Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, zyrtarët kinezë i kërkuan Shtëpisë së Bardhë që gjatë vizitës të përgatiste një ambient të veçantë privat ku Xi të mund të pushonte mes aktiviteteve.
Në këtë hapësirë, sipas raportimit, qëndruan vetëm Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, ndërsa nuk u lejua hyrja e anëtarëve të tjerë të delegacionit kinez apo personelit të Shtëpisë së Bardhë.
The Wall Street Journal raporton se Pekini kishte reduktuar gjithashtu programin e vizitës dhe kishte kërkuar më shumë kohë private për presidentin kinez.
Pretendohet se një muaj përpara vizitës, pala kineze kishte refuzuar edhe zhvillimin e një dreke pune të planifikuar mes Xi Jinping dhe presidentit amerikan Donald Trump më 24 shtator.
Dyshimet ishin shtuar edhe më herët, pas mungesës së Xi në një darkë gjatë samitit të BRICS në Nju Delhi më 12 shtator. The Wall Street Journal raportoi se mungesa lidhej me gjendjen e tij shëndetësore.
Spekulime të ngjashme për Xi Jinping janë shfaqur edhe në të kaluarën. Edgar Kagan, ekspert për Kinën në Center for Strategic and International Studies, ka deklaruar se zëra të tillë shfaqen në mënyrë periodike, por “rrallë konfirmohen”.
Sipas ekspertëve të cituar në material, Xi mund të ketë një rënie të natyrshme të rezistencës fizike me kalimin e moshës, por nuk ka tregues publikë që mbështesin pretendime për probleme të tjera shëndetësore.
Eksperti Henry Yep, në një koment për Lowy Institute, ka shkruar se sa herë Xi largohet për një periudhë të shkurtër nga vëmendja publike, rishfaqen zëra për shëndetin ose pozicionin e tij politik. Sipas tij, natyra e mbyllur e sistemit politik kinez krijon një mjedis ku informacione të pakonfirmuara mund të përhapen lehtësisht.
Edhe Jamestown Foundation ka argumentuar se në sisteme ku kundërshtimi i hapur politik është i vështirë, përhapja anonime e thashethemeve mund të përdoret nga grupime të pakënaqura për të testuar reagimet brenda strukturave të pushtetit ose në publik.











