Konfirmohet frika e drejtuesve të Skënderbeut për prezencën e huliganëve në “Elbasan Arena”, gjatë sfidës play-off të Champions League me Dinamo Zagreb. Në pikën kufitare të Hanit të Hotit, policia shqiptare ka ndaluar disa dhjetëra tifozë kroatë. Sipas ‘Indeksonline” lajmi konfirmohet nga zyrtarët e klubit korçar, që mbeten në kontakte të shpeshta me drejtuesit e policisë së shtetit, për të garantuar mbarëvajtjen e takimit dhe të evitohen të gjitha incidentet.
Sipas të njëjtave burime nga Skënderbeu, tifozët dyshohet se i përkasin grupimit famëkeq, “Bad Blue Boys”. Ata tentuan të hynin nga pika kufitare me Malin e Zi. Të gjithë ishin të gjithë të pajisur me bileta për ndeshjen, por nuk kishin autorizim nga klubi i Dinamos për të qenë të pranishëm në stadium.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kufirin e Kroacisë me Bosnje Hercegovinën. Sipas mediave në Zagreb, 80 tifozë të Bad Blue Boys që po udhëtonin drejt Shqipërisë u ndaluan.
“Pjesa më e madhe e tyre ishin të skeduar për dhunë në stadiume. Pas kontrolleve në mjetet me të cilat udhëtonin, tifozëve iu gjetën mjete piroteknike. Disa prej tyre u ndaluan nga policia, ndërsa të tjerë u kthyen mbrapsht. Edhe në këtë rast mungonin autorizimet e skuadrës së Dinamos. Një zgjedhje e klubit nga Zagrebi, që biletat në dispozicion vendosi t’i shpërndante vetë, për të evituar që ato të binin në duart e tifozëve problematikë” – shkruan Indeksonline.
Megjithë këto masa dhe kontrollet në kufi, dyshohet se një numër i konsiderueshëm ultrasish kroatë ndodhen në Shqipëri. Policia ka njoftuar se personat pa autorizim nuk do të hyjnë në stadium. Mbi 400 uniformat blu dhe personeli i sigurisë prej 250 personash, do të kenë edhe mbështetjen e 4 oficerëve të sigurisë nga Kroacia, të cilët do të evidentojnë huliganët, për të mos i lejuar të hyjnë në stadium.









