Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Fitim Zekthi, në një intervistë për Politiko.al ka denoncuar sjelljen e kundërshtarëve politikë, kryesisht atyre të LSI dhe PDIU. I pyetur për rivalitetin me këto parti, Zekthi tha se LSI dhe PDIU kanë mbledhur në ekipet e tyre njerëzit më vulgarë që lëvizin gjithë ditën kot me makina luksoze.
Sa i përket programit të PD-së, Zekthi konsideron pikën më të fortë pjesën për bujqësinë. Ai thekson se sot në Shqipëri ka një varfëri ekstreme në fshat, e cila do të lehtësohet me programin e demokratëve.
Lidhur me planin e qeverisë së Edi Ramës për ndërtimin e një inceneratori në Elbasan, Fitim Zekthi ka deklaruar se është parimisht kundër dhe se do të tregohet shumë i kujdesshëm kur të marrë një vendim për këtë çështje.
Intervista
Zoti Zekthi, pse e morët vendimin për t’ju bashkuar tani politikës?
Të them të drejtën nuk ka qenë një ambicje e imja të merresha me politikë, sidomos këto kohë. Kur kam qenë më i ri edhe e kam menduar. Iu bashkova pas një kërkese të kryetarit të PD-së Lulzim Basha që më tha se donte të ndërtonte një ekip me njerëz që do të përfaqësonin një ide, një qasje, një projekt që do të përfaqësonte në thelbin e vet një forcë për të ndryshuar një mënyrë të zvetënuar të të bërit politikë, një modus të shëmtuar të të sjellurit në politikë ku e paditura, e pista, kriminalja po rrezikon përditë të na shkatërrojë jo thjesht ne si persona por tërë këtë vend, tërë pritshmëritë për fëmijët tanë duke na kthyer në qenie që ekzistopjmë si copa mishi dhe asgjë më shumë. Iu bashkova edhe sepse në zemër të saj ishte e djathta. Unë mbroj me ngulm prej kohësh një pozicion qartësisht të djathtë konservator dhe mendoj se shoqëria ka nevojë dëshpëruese pë ride të tilla. A do sjellë ndonjë ndryshim të madh e gjitha kjo? Unë nuk e di por besoj tek kjo. Më ka mbetur në mendje prej vitesh një fjali monumentale nga Nënë Tereza e cila iu përgjigj një kardinali që e pyeti kur ajo ishte në fund të jetës se ç’kuptim kishte patur përpjekja e saj disa vjeçare për të luftura varfërinë, urinë apo lebrën në Indi kur gjendja ishte po njëlloj e keqe. Ajo i tha: Zoti nuk më ka kërkuar të jem e suskeshme por të jem besëplotë tek ajo bëj.
Ju ndodheni i gjashti në listën e Elbasanit, një pozicion i diskutueshëm, a do vazhdoni të qëndroni në politikë pavarësisht rezultatit në zgjedhje?
Kjo do të varet nga rrethanat, sidomos nga PD dhe drejtuesit e saj. Unë tashmë jam në këtë rrugë. Sigurisht nuk kam ndonjë fiksim që të merrem bjer e vdis me politikë por jam në të.
Cila mendoni se është pika më e fortë e programit të PD?
Meqë unë kandidoj në një zonë fshati them menjëherë që pjesa për bujqësinë. Subvencionet dhe mënyra se si e parasheh program i PD-së dhënien e tyre është me të vërtetë shumë e mirë. Sot ka një varfëri të tmerrshme në fshat. Produktet bujqësore të cilat nuk subvencionohen më që kur erdhën socialistët në pushtet i kanë kthyer fermerët në argatë pa pagesë dhe pa fitim të tokave të tyre. Vetëm dje më thoshte dikush gati në lot në një fshat (Rrasë) “kam tonelata me kastraveca dhe me domate dhe nuk di ku t’i çoj. Çmimi i një arke domate bën 100 lekë të reja ndërkohë që kam shpenzuar miliona për plastma, ujitje, energji etj”. PD do të subvencionojë koston e inputeve dhe mekanikës dhe kjo është shumë e mirë. E ka bërë disi edhe më parë. Por në tërësi pjesa e programit të nxitjes së zhvillimit të ekonomisë është e mirë, sidomos taksa e sheshtë 9%, heqja e taksës së qarkullimit apo lehtësirat e tjera.
Në gjykimin tuaj, a është i zbatueshëm ky program apo rrezikohet të përsëritet historia e programit të ‘Rilindjes’?
Unë mendoj se është i realizueshëm por kjo është çështje njerëzish. Në qoftë se njerëzit nuk duan ta bëjnë diçka ata edhe idenë apo programin më të mirë në botë mund të shkatërrojnë. Besoj se PD do t’i hap një shtysë të re ekonomisë. Do të jetë një sfidë e madhe sidomos rritja e pensioneve dhe e ndihmës ekonomike pasi do të duhet që ekonomia të dyfishojë ritmet e rritjes të paktën. Le të shpresojmë se do të bëhet.
Si e kanë pritur qytetarët listën e PD? Keni marrë mbështetje?
Ndryshe nga sa jemi mësuar ne në Tiranë, nëpër redaksi gaztash apo televizionesh, nëpër kafene ku lajmi prodhohet aty dhe po aty jep efektin dhe iu krijon njerëzve aty se qendra e botës është aty, në Shqipërinë e arave apo Shqipërinë ku njerëzit rraskapiten përditë për të nxjerrë bukën e gojës nuk ekziston asfare shqetësimi se ikën nga listat disa njerëz apo se ka qejfmbetje për listat. Mendimi mbizotërues është se duhet një ndryshim i fortë dhe lista e Bashës shihet si e mirë në kuptimin që “bëri mirë që ndryshoi fort”. Sa i takon rastit tim unë kandidoj në vendin ku jam lindur dhe rritur dhe ku kam gjithë të afërmit, familjarët, kushërinjtë e dhjetarë miq që prej fëmijërisë. Kjo ma ka lehtësuar shumë punën.
Mendoni se PD është gati për të qeverisur vendin?
Mendoj se shumica e tanishme qeverisë, pra koalicioni PS-LSI-PDIU duhet urgjentisht të humbë zgjedhjet. Qeveria e këtyre katër viteve për mendimin tim ka qenë e tmerrshme, delirante, i përdori paratë publike në një mënyrë të papranueshme dhe shkatërrimtare dhe bëri që një klimë e neveritshme lufte kundër opozitës, kundër biznesit të prodhojë varfëri aq sa nuk i takon dot njerëzit. Më tha dikush sot që shumë prindër dalin në mëngjes nga shtëpitë para se fëmijët të ikin në shkolllë nga frika se ata do ju kërkojnë 50 lekë dhe prindërit nuk i kanë. Në këtë gjendje sigurisht që PD është gati të qeverisë, absolutisht. Pastaj Basha ka qenë drejtues për vite në disa ministri, të tjerë njerëz kanë eksperiencë, program është i mirë. Pse nuk qenka gati?
Elbasani është një prej qyteteve më të ndotura në Shqipëri, ndërkohë qeveria kërkon ndërtimin e një inceneratori. Vazhdon PD të jetë kundër këtij projekti?
Unë personalisht nuk e njoh mirë këtë punën e inceneratorëve, dmth dëmin që sjellin, rreziqet që bartin etj. Por jam kundër inceneratorëve si parim. Pra jam i formuar kulturalisht kundër djegies së mbetjeve, më duket sikur janë ndotësa të mëdhenj. Dhe do ta mendoj hollë dhe me shumë kujdes kur të më duhet të marr një vendim. Kjo çështja e mbetjeve duhet të ketë një zgjidhje gjithsesi por inceneratoërt ndoshta janë më e keqja.
Qarku i Elbasanit është gjithashtu një prej pikave më të nxehta politike në këtë zgjedhje, si e shihni rivalitetin me LSI dhe PDIU?
Fushata është e qetë në pamje të parë, nuk ka dhunë, nuk ka flamuj e banderola, nuk ka karshillëk të madh etj, por është e tmerrshme. LSI dhe PDIU sidomos në Elbansan nuk kanë lënë gurë pa lëvizuar që të gënjejnë gjithkënd diku me një premtim për vend pune, diku me oferta të tjera. Gjithashtu pjesa më vulgare e shoqërisë janë ekipet e tyre, vijnë gjithë ditën vërdallë me makina të mëdha të bukura etj. Po shkoja një ditë tek spitali të takoj një mikun tim mjek dhe isha në këmbë. Më morën në telefon dhe më thanë pse ikën në këmbë, merr një makinë. Duhet të tregosh forcë. Madje janë të pakënaqur edhe që unë përdor një makinë benz të vitit 1998 që ma ka dhënë dega e PD-së Elbasan. Sipas tyre më duhet një fuoristradë e madhe si ato të PS, LSI dhe PDIU. Tmerr. Edhe PS, të paktën në Elbasan bën po këtë gjë: mashtrime për një vend pune, oferta të ndryshme kudo. T’ju jap një shembull: edhe tek të afërmit e mi, tek tezet, tek hallat kanë shkuar njerëz të LSI-së dhe PDIU-së, ju kanë marrë emrat, ju kanë marrë firmat, ju kanë marrë numrin e kartës së identitetit. Kur shkova unë ata më thanë që kjo ndodhur me gjithkënd. Shokë të mi të shkollës më thonë që do të të përkrahim por nuk dalim dot hapur sepse kunati është në punë këtu, apo djali e tezes në punë atje etj. Pra një klimë e shëmtuar. Praktikisht nuk jemi në fushatë zgjedhjesh por në një fushatë shitblerjesh dhe presionesh./Politiko.al