Mediat gjermane vijojnë t’i bëjnë jehonë vizitës së kancelares Merkel në Tiranë. Këtë herë është gazeta prestigjoze gjermane DIE WELT e cila i ka kushtuar një analizë të gjatë vizitës së Merkel Në Tiranë.
Duke folur me nota të larta për artin, gazeta gjermane shkruan për kryeministrin artist Edi Rama, surprizën që ju përgatit Merkelit si dhe veprën që përcillte mesazh, nga Thomas Demand. Ja se ç’shkruan Die Welt:
Në mes të krizës në Greqi, Kancelarja Merkel viziton Ballkanin. Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, qeveria shqiptare ka menduar një gjetje të veçantë, kjo edhe në funksion të anëtarësimit në BE.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është një piktor i njohur në atdheun e tij. Fakti që ai prezanton para kancelares Angela Merkel një vepër nga Thomas Demand, përcjell një mesazh.
Thomas Demand është ulur në Tiranë dhe ka përpara një gotë me ujë duke pritur Angela Merkel (CDU). Kjo fjali tingëllon shumë e pazakontë. Demand, është një artist i cili punon në Los Anxhelos dhe ndonjëherë në Berlin. Atje shumë njerëz e njohin atë, sidomos kur në 2009 ai ekspozoi veprat e tij në Galerinë Kombëtare. Vecantia e artit të tij qëndron në faktin që ai fotot e marra nga mediat i shndërron në skulptura duke i fotografuar këto të fundit sërish. Merkel është kancelarja gjermane që këto ditë po përpiqet që Greqia të mos dalë nga zona e Euros. Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë. Dhe këtu, të dy takohen me njëri-tjetrin.
Si mund të ndodhë kjo? Prania e Merkelit në Tiranë është më e lehtë për t’u shpjeguar, edhe pse na befason. Në fakt, është një periudhë shumë e ngarkuar si në Berlin ashtu edhe në Bruksel. Por Kancelarja, ka vendosur që pikërisht në javën që kriza greke po precipiton, të mos ndermerrte udhëtime të gjata. Pothuajse në mënyrë demonstrative ajo po bën punët e saj si zakonisht, në mënyrë që paniku i shkaktuar të mos prekë tregjet europiane. Por edhe për t’i treguar Athinës: Ju nuk jeni qendra e universit, edhe në qoftë se ju silleni si e tillë. Prandaj, ajo u nis nga Brukseli, ku kaloi gjysmën e natës në Samitin e Euros, më pas ndaloi në Berlin për të drejtuar mbledhjen e kabinetit, duke fluturuar më tej për në Ballkan, edhe duke vazhduar nga aeroporti i Tiranës në rrugët e nxehta mbushur me flamujt gjermanë që e cuan në Kryeministri.
Dhe Demand? Cfarë e solli artistin nga Kalifornia në këtë cep të largët të Europës Juglindore? Ai, gjithashtu, ndodhet aty vetëm për një kohë të shkurtër, sepse fluturoi vetëm një ditë më parë, por rruga e tij në Tiranë filloi në Bienalen e Venecias. 15 vjet më parë, ai njohu atje Anri Salën, një artist shqiptar. Ai është i njohur për videot e tij dhe jeton në Berlin, në zonën e Muzeve, ku ndodhet gjithashtu edhe banesa e Merkelit. Në takimin e çuditshëm në Tiranë, merr pjesë një artist i tretë, Edi Rama. Një piktor i njohur ndërkombëtarisht, i cili dhjetë vjet më parë, ndryshoi profesionin e tij; Rama piktor u bë politikan dhe tani ai është Kryeministër i Shqipërisë.
“Kjo është shumë e gjetur”
Njeriu i madh me kokën e rruar befason në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm bashkatdhetarët e tij;
Rama vendosi që ta shndërrojë katin e parë të godinës së Kryeministrisë në një “Qëndër për hapje dhe dialog.” Ndërsa në katet e sipërme do të merren vendime qeveritare, poshtë do të zhvillohen seminare dhe do të paraqiten vepra arti: Së pari, do të ekspozohen pikturat e Thomas Demand, artistit gjerman, që jeton ne Los Anxhelos.
Rama ia ka treguar pikturat e Demand Merkel-it, madje ai ka bërë të mundur që Merkel të japë konferencën e saj për shtyp në Tiranë, duke pasur si sfond veprën “Sign”. Ajo jep deklaratën e saj dhe i përgjigjet pyetjeve përpara një fotoje të madhe, e cila ka qënë në atelienë e Demand-it. Ai ka rikrijuar një shenjë që e gjeti në një foto që ishte ekspozuar në vitin 1939 në Ekspozitën Botërore në Nju Jork. Dy duar që shtrëngojnë njëra-tjetrën, dhe ku ishte shkruar “Bashkëpunimi i konsumatorit”.
Demand nuk e ka përdorur mbishkrimin, por mesazhi është i qartë: liria, shkëmbimi, bashkëpunimi, prosperiteti. “Motivi i premtimit të kapitalizmit,” thotë Demand. Ëndrra e Perëndimit. Këtu, në hapësirën e lirë, në Tiranë, Rama, i cili dëshiron të udhëheqë vendin e tij drejt BE-së, Merkel, e cila përfaqëson BE-në, qendrojnë përballë fotografisë së Demandit, të cilit e tëra kjo i duket shumë e gjetur.
Ndërkohë që Demand pret në paradhomë dhe ka përpara tij një gotë me ujë, veprat e tij artistike përbëjnë lajm. Kryeministri Rama përshkruan “rrugën për të dalë nga diktatura gri në demokracinë europiane”. Ai uron që Shqipëria të ketë në vjeshtë një datë të caktuar për anëtarësim në BE; ndoshta një e largët, por për të cilën vendi i tij do të punojë që t’a arrijë. Kancelarja Merkel nuk jep një datë. Rama premton se do të pajtohet me ish-armiken, Serbinë, duke ndjekur shembullin franko-gjerman.
Merkel fluturon në të njëjtën mbrëmje për në Beograd. Të dy bien dakord se shqiptarët nuk duhet të marrin azil në Gjermani: “Ky është gabim, që nuk do të funksionojë,” paralajmëron Merkel. Edhe Rama thotë se Shqipëria duhet të klasifikohet si “vend i sigurt”. Por historinë thelbësore të vizitës së Merkel në Shqipëri na e tregon vepra e Thomas Demand, pjesë e së cilës është tashmë edhe Merkel. Gjithashtu ekziston edhe ajo, ëndrra e Perëndimit. Që është akoma Europa. Dhe do të ëndërrohet vazhdimisht. Edhe në Shqipëri.
Midis Kancelares dhe artistit u shkëmbyen disa fjalë, por pavarësisht nga kjo, vepra foli më shumë.