Për ndarjen nga jeta të poetit Petrit Ruka ka reguar miku i tij, regjisori dhe publicisti Pëllumb Kulla. Ndërsa e quan këtë një ditë të trishtë, Kulla ka publikuar një poezit të Rukës. Një poet i pazëvendësueshëm, shkruan Kulla, për kineastin e ndjerë.
“Këtë ditë të trishtë, ditën e parë pa Petrit Rukën, dua ta ndriçoj sado pak me këtë poezi të tij, që e shënon “me hua nga populli”. Dhe të gjithë e dijmë si ia pat kthyer huatë popullit, ai poet i pazëvendësueshëm”, shkruan Kulla.
KAM NJË LËMSH NË ZEMËR
Kam një lëmsh në zemër,
E s’di kujt t’i rënkohem,
T’ju rënkohem maleve,
Zënë e më largohen,
Mjegull vënë përpara,
Sytë më qorrohen…
T’ju rënkohem grave,
Gratë zbukurohen,
Tek vitet e mia,
Këmbët u pengohen,
Në prag të mëshirës,
Zemrat u ngat’rrohen…
T’ju ankohem këngëve,
Këngët hidhërohen,
Sa shtrohen mbi letër,
Zënë e vjetërohen,
S’i plakat në dimër,
Nxijnë dhe sterrohen…
T’ju rënkohem shokëve,
Shokët më rrallohen,
Të gjithë ndrrojnë adresat,
Në varreza shtohen.
O ky lëmsh në zemër,
E di, … që do helmohem…
T’i ankohem zemrës,
Lëmshi më zmadhohet,
Si qebap kafeje,
Mbi zjarr rrotullohet.
T’i ankohem vdekjes,
Veç ajo gëzohet,
Si vejushë e djegur,
Zë e më afrohet,
Me mua të gjorin,
Vdes që të martohet…
Kam një lëmsh në zemër,
Po kujt i besohet?!…











