Nga Elisa Spiropali
Sot është një ditë e mirë. Sot është nje dite e mirë e cila bën si të gjitha ditënetët e një kombi, historinë e tij. Do të doja shumë që e sotmja të kishte ardhur dje! Që Shqipëria të ishte aty ku e ka vendin, aty ku shqiptarët, zgjedhja dhe zgjidhja e tyre e vetme, historia e gjeografia, tradita dhe synimi i përbashkët strategjik, i kanë përcaktuar vendin në hartën politike, kulturore, por edhe shpirtërore të botës.
Por historia nuk ka qenë bujare më ne. Liria nuk ka qenë gjithmonë gjendja jone politike dhe shoqerore. Nga pushtimet dhe regjimet, ne kemi shtrenguar dhembet për te mbijetuar. Por dicka eshte e sigurt, sa herë këmi qene të lirë, ne kemi zgjedhur Evropen. Ne jemi pjesë e botës evropiane. Aty ku jemi brenda familjes sonë, jemi më të fortë, më të sigurt, më të mbarë e më të ndershëm, por duke e bërë edhe vetë kontinentin e vjetër edhe më të ri, edhe më të natyrshëm, edhe më të pasur në diversitetin e tij.
Do të doja që kjo e sotme të kishte ndodhur dje! Dhe dua shumë, që kjo histori e të nesërmes që po shkruhet nga shqiptarët, të jetë ajo që duan dhe dinë të duan vetë shqiptarët!
Kjo faqe e historisë ka bashkaksionerë cdo qytetar shqiptar. Duke nisur me atë punëtorin që ngjitet në skelën e ndërtimit apo shtron asfalt në rrugë, më atë burrin e urtë që zgjohet në mesnatë dhe pjek bukën e mëngjesit apo ndez ekspresin për të shërbyer, për fermerin që punon tokën pa gdhirë, për mjeken e urgjencës, për arsimtarët, ushtarakët, për fëmijët e deri edhe për foshnjat që do të lindin dhe do të trashëgojnë Shqipërinë e nesërme si një yll më shumë në flamurin krenar të Evropës që po rilind! E kështu, po njëlloj edhe me shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe me gjithë diasporën tonë, pjesën më të integruar të Shqipërisë në botën euroatlantike.
Sot me shumë se kurre jam krenare që jam pjesë e ekipit të kryeministrit Rama, i cili, sic e pranojnë duke shkulmuar edhe kundërshtarët e tij më të egër, afroi një kontribut eskluziv dhe spektakolar në këtë rrugëtim të mundimshëm mes detyrimit për të ndryshuar me themel vendin, mes betejave për të mbijetuar në sfidat e njëpasnjëshme nga tërmeti e pandemia tek lufta në kufinjtë lindorë të Evropës, mes ambicjes për t’u përmirësuar dhe nevojës për t’u rishpikur në një botë shpesh moskokëcarëse ndaj të voglit. Kurrë në historinë tonë të mundimshmë nuk ka patur Shqipëria më shumë dinjitet në arenën ndërkombëtare sesa sot. Edi Rama dhe kjo shumicë kanë rrugë të re pa kthim për tranformimin rrënjësor të vendit tonë të jashtëzakonshëm.
Kjo ditë është vetëm një stacion. Eshtë një stacion i shenjuar drejt një sipërmarrjeje edhe më të madhe, drejt një të përpjete edhe më të fortë që kërkon një seri reformash harmonike që si qëllim të fundit, kanë rritjen e cilësisë së jetës së cdo shqiptari. I cili sic jeton dhe aspiron Evropën, duhet dhe do të duhet të jetojë si evropian. Të mendojë si i tillë dhe të shërbehet po si i tillë.
Askush nuk është i tepërt në këtë sipërmarrje kombëtare; madje edhe kush nuk gjen forcen të gezoje, të paktën të gjeje forcen të heshte! E tashmja harrohet shpejt, por historia shkruan me gërma të mëdha vetveten dhe di t’i verë emër për emër cdo personazhi që për kulm të Shqipërisë, zgjedh tarracën e shtëpise së tij, dhe që për peisazh të të gjithë vendit, zgjedh të ndërtojë gardhin e forcës së vet politike.
Fati e desh që në të njëjtën ditë, Kuvendi i Shqipërisë të ftohet të votojë një nga rezolutat më të rëndësishme që kanë kaluar prej tij.
E dinim që në krye të herës që raporti famëkeq i senatorit Dick Marty ishte një farsë. Një hakmarrje primitive e frymëzuar nga revanshi i atyre që ishin mundur në luftë dhe që kërkonin ribërjen e saj në kushtet e paqes. Duke tentuar të kthejnë kokëposhtë të vërtetën: të shndërronin heronjtë e luftës clirimtare të një populli të tërë në kriminelë dhe të shndërronin kriminelët e luftës në viktima të saj. Në një botë ku shpesh teksa e vërteta është duke veshur ende këpucët dhe gënjeshtra ka përshkruar gjysmën e saj, kjo teknologji absurde, jo rrallë herë ka sukses. Madje sa më e madhe të jetë gënjeshtra, sa më i madh të jetë absurdi që e frymëzon atë, aq më e besueshme bëhet ajo. Fatkeqësisht kështu ka ndodhur me gjetjet fallso të një raporti që vuri në lëvizje një mekanizëm shumë më të madh, që si i tillë, duhet të shkojë për inerci deri në fund. Fiks aty ku mund ta pengojë e ta rikthejë mbrapsht vetëm e vërteta.
Tentativa për të vënë në një simetri kriminale dhe të barazvlefshme, gjithë atë tmerr lufte të frymëzuar nga ideologjia nacionalfashiste e regjimit të Miloshevicit, atë skenar masakrash cnjerëzore dhe spastrimit etnik, deportimin me dhunë dhe përdhunimet si armë lufte, të orkestruar nga regjimi i tij, me luftën e drejtë të UCK-së, aleate e koalicionit të madh historik të drejtuar nga SHBA, Britania e Madhe dhe gjithë bota e qytetëruar, duhet të marrë fund. Paqja e arritur me luftë mbrohet vetëm nga e vërteta, e cila është një dhe e vetme.
Cila është e vërteta jonë, e vërteta shqiptare, që ne duam t’ja bëjmë të ditur solemnisht gjithë botës?
Ish-Prokurorja e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë, zonja Carla Del Ponte boton një libër me kujtime të sajat, me titull: “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës”. Vetëm dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, libri ngrinte dyshime se drejtues të UCK-së, tashmë politikanë drejtues të shtetit më të ri të Evropër, kishin kryer trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe kishin trajtuar në mënyrë cnjerëzore të burgosur të luftës.
Asnjë hetim zyrtar nuk kishte provuar asnjë nga këto akuza, por kjo mjaftoi që një aleancë e cuditshme, forma, përmasat dhe frymëzimet e të cilës tashmë janë të qarta, të merrte jetë duke krijuar një reaksion të rrezikshëm politik, moral dhe njerëzor. Fillimisht një mocionit për rezolutë, i firmosur nga rusi Kosachev, ngriti të njëjtat pretendime. Ai shërbeu si bazë për rekomandimet e Rezolutës 1782 të APKiE dhe shkas për një seri ndryshimesh kushtetuese dhe ligjore në Kosovë dhe Shqipëri.
Kuvendi i Kosovës dhe qeveria e saj, por dhe republika e Shqipërisë shfaqët vullnetin e plotë politik dhe institucional për krijimin e të gjitha kushteve që këto pretendime të hetoheshin në mënyrë shteruese.
Dhjetë vjet hetime, dhjetë vjet ndjeke ligjore ndaj individëve të dyshuar për kryerjen e këtyre krimeve të përmendura në raportin famëkeq të zotit Dick Marty, nuk është gjetur asnjë fakt që të lidhet me krimin e trafikut të organeve njerëzore.
Kështu do të ndodhë ëedhe nëse këto hetime do ta zgjasin një shekull!
Ne sot, të armatosur me forcën e të drejtës dhe legjitimitetin e të vërtetës, i bëjmë thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të ndërmarrë hapin logjik të rradhës: të realizojë një raport vijues dhe të rishikojë Rezolutën 1782 duke hedhur poshtë pretendimet e saj.
Kjo rezolutë është në vijim dhe në frymën e 8 rezolutave për Kosovën dhe 12 deklaratave të Kuvendit të Shqipërisë; cka është një unitet logjik i gjithë qëndrimeve zyrtare të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri më tani.
Unë do të lutesha që kjo rezolutë të ketë votën unanime të Kuvendit të Shqipërisë.
Unë besoj se deputetët e të gjitha ngjyrave politike të përfaqësuara në Kuvend do të duhej të realizonin me votë atë që sugjeron dhe urdhëron vullneti i votuesit shqiptar që ka bindjen absolute në shenjtërinë e luftës së UCK-së dhe gjithë atë përpjekje titanike të popullit shqiptar për clirim kombëtar.
Askund dhe askurrë, pavarësisht kalvarit që zakonisht fati projekton për heronjtë që i mbijetojnë luftës që ata bëjnë, herozimi nuk mund të shndërrohet në krim dhe luftëtarëve të lirisë nuk mund t’u vishet si këmishë force damka e kriminelit.
Duke ju ftuar të votoni këtë rezolutë, dua t’i drejtohem një individi në këtë sallë, por pa i përmendur emrin. Eshtë ai burri që mes fjalëve që thotë dhe veprave që bën ka një distancë më të madhe se e sotmja e tij me ditën e tij të lindjes. Je mësuar të hedhësh gurë dhe baltë mbi të gjithë dhe gjithcka, duke qenë i bindur se kështu ngre piedestalin e pushtetit tënd.
E ke bërë shpesh këtë gjë edhe me Kosovën. Ke turfulluar mbi Prishtinën dhe ke kapërcyer egërsisht në Morinë, sa kohë që në Tiranë të digjej toka nën këmbë.
Mos e bëj kësaj here! Duro dhe po munde, edhe mos voto fare!
Shaj dhe mallko Edi Ramën, për shembull. Fol për shkallët ku ishte ulur në foto, sajo ndonjë gjë tjetër, thirr në apel ushtarin tënd dixhital dhe vazhdo ta mallkosh! Ke të drejtë ta bësh. Fundja të përmbysi nga pushteti dhe të zbriti në ferrin e të vërtetës tënde të hidhur: erdhe si demagog dhe po ikën si i padëshirueshëm.
Më shaj dhe më mallko edhe mua. Nuk ka asnjë pikë problemi. Merr me vete edhe Flamurin, Edin, Lucin, madje bëhu bashkë edhe me Gazin, Alibeajn. Edhe Lulin merre me vete po deshe. Bëhuni të gjithë bashkë dhe unë mund të merrem me ju të gjithë bashkë, emër për emër, jo sepse jam e fortë, por sepse nuk kam asnjë skelet frike në sirtarët e mi.
Mallkoni sa të mundni, por bëjeni njëherë tjetër!
Ka kohë për punë të tilla të liga, edhe pse koha juaj ka mbaruar prej kohësh!
*Fjala e mbajtur sot në Kuvend